Sulmuesi i Barcelonës, Nejmar, i ka dhënë fund pas një viti historisë së dashurisë me bukuroshen braziliane, Bruna Markezine. Aktorja 18-vjeçare, e dha lajmin nëpërmjet përfaqësuesve të saj, ndërkohë që i ka hequr të gjitha fotot me Nejmarin të publikuara në adresat e saj në rrjetet sociale. Për të konfirmuar lajmin, ylli i Barcelonës publikoi në adresën e tij në “Twitter” një foto ku dallohet qartë një tatuazh në pjesën e majtë të qafës me mbishkrimin: “Gjithçka kalon”. Sipas mediave braziliane, Nejmari dhe Bruna Markezine e festuan të ndarë Vitin e Ri, çka ishte tregues më i qartë për fundin e dashurisë mes tyre. Një ndarje që duket se nuk ka qenë e këndshme për Nejmarin. Lëvizja e tij nga Brazili në Spanjë ka qenë një ndryshim i madh për të dy të rinjtë. Ambienti i ri i në Katalunjë duket se i ka ftohur dhe gjërat midis çiftit. Akoma nuk është dhënë një deklaratë zyrtare nga njëri prej tyre, por duket se çdo gjë ka marrë fund.
Vidhet makina e Behramit, gjendet nga policia
Probleme në Itali ndodhin shpesh. Sidomos kur bëhet fjalë për personazhe të njohur që bëhen gjithmonë pjesë e shakave te hidhura. Këtë radhë viktima në qytetin e Napolit ka qenë Valon Berhami. Kosovarit, i cili luan aktualisht te klubi i kaltër, i është vjedhur makina e tij. Edhe pse jo një makinë super e shtrenjtë, është bërë objekt vjedhjeje dhe ka shqetësuar lojtarin që luan me kombëtaren zvicerane. Nuk kaluan as 24 orë nga ankesa e Valon Behramit, i irrituar për vjedhjen e makinës dhe policia e Napolit ka mundur të gjejë makinën “Smart” të futbollistit. Autoritetet italiane kanë njoftuar se kanë gjetur makinën e futbollistit pas denoncimit që ky i fundit bëri në “Twitter”. Makina humbi në rrugën “Caravaggio” dhe u gjet në rrugën “Cerlone” dhe për gjetjen e saj vlejti pajisja antivjedhje satelitore që ishte instaluar në makinë
Tifozi që goditi Ronaldon, 50 mijë euro gjobë
Probleme të mëdha vetëm për një çakmak. Kështu, jeta e një tifozi gjaknxehtë do të ndryshojë. Kjo, pasi agresori i Ronaldos do të detyrohet që të qëndrojë larg skuadrës së tij, duke mos e ndjekur në stadium. Gjithashtu, ai ka marrë mbi supe edhe një barrë financiare, që duhet thënë se është një shifër e kripur. Tifozi i Atletiko Madridit goditi me çakmak Kristiano Ronaldon gjatë ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit në “Vicente Calderon”. Ai është identifikuar dhe pritet të përballet me një pezullim nga 6 muaj deri në 2 vjet, pa të drejtë pjesëmarrjeje në veprimtari sportive dhe një gjobë prej 50.000 eurosh. Burime nga Federata e Futbollit në Spanjë kanë konfirmuar për të përditshmen spanjolle “El Confidencial” se klubi “Los Colchoneros” do të gjobitet, mirëpo fakti që Ronaldo nuk kërkoi ndihmë mjekësore, do të jetë një rrethanë lehtësuese në procedurën e sanksionimit kundër Atletikos. Kështu, mbyllja e stadiumit do të përjashtohet, diçka që nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishte goditur arbitri në vend të ndonjë lojtari.
Stekelenburg dëmtohet frikshëm
Liverpuli mori tri pikë të arta në transfertën e djeshme ndaj Fulhaitm, edhe pse e gjeti veten dy herë në dizavantazh. Mjaftuan vetëm tetë minuta lojë që Kolo Ture të bënte gafën e radhës, kur shënoi një autogol qesharak. Pas një topi në zonë, mbrojtësi e devijoi gabimisht për në portën e tij. Megjithatë, ishte Starixh ai që barazoi pak minuta para fundit të pjesës së parë, ndërsa Kutinjo me një gjuajtje nga distanca dhe më pas Xherard me penallti në kohën shtesë, vulosën suksesin 2-3. Një triumf që i afron në vetëm 4 pikë me vendin e parë, duke i rikandiduar fuqishëm në garën për titull, por ajo që do të mbahet mend nga kjo ndeshje është përplasja e frikshme mes sulmuesit të të kuqve, Luis Suarez, dhe portierit vendas, ish-it të Romës, Marten Stekelenburg. Holandezi pësoi një ënjtje dhe nxirje të menjëhershme në syrin e djathtë, duke alarmuar stafin mjekësor të Fulhamit, por fatmirësisht ka kaluar pa pasoja shumë të rënda.




