Kritika/ Më në fund, të lirë…

Remzi Zeqja

 

uranPak kohë më parë, në konkursin kombëtar të letërsisë “Penda e Artë”, Uran Butka fitoi çmim të parë si eseist, me librin “Kristo Kirka”. Në opinion njihet si historian, kryesisht me libra, si: “Ringjallje”, “Lufta civile në Shqipëri, 1943-45”, “Mukja, shansi i bashkimit”, “Masakra e Tivarit”, “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, “Bombë në ambasadën sovjetike”, “Dritëhije të historisë”. Me po aq pasion që shfaq në trajtimin e disa temave më nevralgjike e të debatueshme në prag e mbas Luftës së Dytë Botërore, ai nis të çajë me gjoks në hullinë e fushës së letërsisë, fillimisht me monografi si: “Elita shqiptare”, “Gjeniu i kombit” kushtuar Mit’hat Frashërit dhe “Safet Butka”. Kështu pra, hap pas hapi, pa iu ndarë historisë dhe polemikës me ndonjë historian të njohur, ai prek dimensionin e letërsisë së mirëfilltë, duke u shfaqur para lexuesit me disa vëllime tregimesh, si: “Vdekja e bardhë”, “Humbja nuk është mbarim”, “Në shtëpinë tonë”, “Dora e shtetit” dhe romanin “Miti i Haxhi Qamilit”.

Si një vullkan në veprim, që nuk resht, duke pasuruar krijimtarinë letrare shqiptare, Urani promovoi këto ditë vëllimin me tregime “Më në fund, të lirë”. Shkrimtarë dhe kritikë të njohur, si: T. Laço, B. Kuçuku, M. Marku, F. Dado, V. Zhiti, B. Londo etj. vlerësuan dhe e quajtën këtë botim si një hap përpara të autorit Butka, si një arritje të prozës sonë të shkurtër.

Ashtu si edhe në vëllimet e mëparshme me tregime, në qendër të vëmendjes së autorit te ky vëllim i ri janë dy botë, antipode të njëra-tjetrës. Urrejtja dhe dashuria, dhuna dhe toleranca, padrejtësia dhe drejtësia shfaqen si një binom i pandashëm. Peizazhet e çdo stine, si një piktor i natyrës, nuk mungojnë të shoqërojnë një pjesë të mirë të ngjarjeve. Ndaj gjejmë jo rrallë të pranishme, krahas metaforave dhe epiteteve, shprehjeve frazeologjike e paralelizmit figurativ, edhe antiteza e antonime.

Nëse do të përmblidhnim me dy fjalë se ku qëndron vlera e vëllimit, do të theksonim tematikën e gjerë dhe motivet e larme, mënyrën e kompozimit dhe gjetjet e goditura, të cilat nuk mungojnë në secilin nga tregimet. Ndonëse në shumicën e këtyre krijimeve zë vend vuajtja e dhimbja, nuk mungojnë, aty-këtu, edhe notat e një humori të hollë, që diku jepet edhe i dhimbshëm, të themi, tragjikomik (kujtojmë tregimin “Zëri i Amerikës”, kur për një harresë se lihet hapur qendra e zërit në një qytet të vogël minatorësh, mësuesi viktimë dëgjon për vete nga radioja e vogël me kokë nën jorgan, ndërsa jashtë buçet altoparlanti: “Populli shqiptar nuk gëzon asnjë liri e të drejtë njerëzore…!” Autori shfrytëzon me mjeshtëri ndonjë gjetje të tillë, merr shtysë nga kjo nyjë lidhëse kompozicionale dhe shtjellon artistikisht materialin lëndor.

Po kështu ngjet edhe në tregimin “Tryeza”, ku nyjë lidhëse kompozicionale, një gjetje e përkryer, mbetet këmba e tryezës që çalonte, “si çdo gjë tjetër…” dhe bëri që i zoti i shtëpisë të vinte nën të një libër me kopertinë të trashë, duke shtuar: “Tani nuk e luan më bishtin!”. Ky veprim me librin e diktatorit sipër bëhen shkak i një frike të ndërsjellë, i përsiatjeve brerëse, mbushur me dyshimet e secilit nga të dy miqtë.

Le t’ia hedhim sytë tregimit “Shqipëruesi”. Janë dy mësues, kolegë, banues në të njëjtën dhomë dhe që, në një moment të tregimit ndihen vuajnë njëkohësisht. Profesorin, mbyllur në guaskën e vet të përkthimit, e përpin Ferri i Dantes, se nuk po gjen fjalën më të përshtatshme aty ku kont Ugolini po brente kokën e arkipeshk Ruzherit, ndërsa tjetri vuan se vajza që dashuron, është me hije në biografi, lidhje mund t’i sjellë pasoja në jetë. Mbas alternativave që ofron i dashuruari, frikacak ndaj regjimit, autori luan symbylltas me përgjigjet (antonime) të profesorit verior “lene”,“merre”, “lene”, “merre”, që kthehen në një lloj muzike me ulje- ngritje, gjersa vjen përgjigjja e fundit, e prerë e pulsante: “Ai që dashuron me të vërtetë, guxon”. Një aforizëm kuptimplotë.

Lexuesin nuk e pushton assesi pesimizmi, por ai arrin ta përjetojë të bukurën artistikisht, bëhet njësh me perceptimet, ndjesitë dhe imazhet. Nganjëherë ky proces realizohet jo vetëm përmjet fjalës, por edhe një gjesti të vetëm a një grimase. Në tregimin “Sytë e gjirafës” mes një djali dhe një vajze familjesh të internuara, por të kaheve të kundërta klasore, lind një idil gati tragjik. Autori jep kompleksin psikik: të urresh e të duash të pashmangshmen.

Si një shkrimtar me individualitet e origjinalitet të spikatur, ai arrin të bëhet tërheqës me stilin e zhdërvjellët, përdorimin e dendur të dialogut, pasurinë e fjalorit, gjuhën figurative dhe fjalën e zgjedhur e të latuar.

Dukuri tjetër e librit të Butkës është fjalori i pasur. Dikur,kur, Pjetër Bogdani shprehte shqetësimin prej eruditi për gjuhën që po “bdarej e po bastardhohej” dhe bënte thirrje që të mos liheshin në harresë fjalët “pjaka” të shqipes. Në luftën që u shpallën barbarizmave, rilindasit, sidomos Sami Frashëri, gjithnjë me qëllimin e mirë, i tejkaluan kufijtë në krijimin e neologjizmave (kujtojmë gjithëmësime për universitet, dheshkronjë për gjeografi, njeritregonjë-anatomi etj.) Në vazhdën e Kadaresë, prirja për krijimin e pasurimit të gjuhës sonë mbi bazën e fjalëve të shqipes, vihet re kohët e fundit edhe tek shkrimtarë si Visar Zhiti, Flutura Haçkaj e ndonjë tjetër. Le të rendisim disa fjalë të reja të qëmtuara në këtë vëllim tregimesh: vdekësore, përtejbota, tonulët, sërësuar, vetëmbyllur, majekreje, i përllaçur; përsëmbari, përsëgjalli, përmëngjesshëm, përkorësia, ndajafërsi.

Autori parapëlqen përdorimin e fjalëve të ndeshura rrallë e të fjalorit poetik, si: fytyra e dielltë; të shkarrëzuar në togun e llaçit; iu ndez prushi i hirnosur i shpirtit; murlani ulëritës me gjëmim kujesh; mot i molisur; errësisë qorruese; i bërtiti me një zë shpellar; zgafellë; zdrënkthi; rrënjëshkulur, angështi etj.

Kolonjari Uran Butka, me sa duket, e ka për zemër shkodranishten dhe të kujton autorë të viteve “20-30”, si Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli etj., në krijimtarinë e të cilëve bashkëjetojnë fjalë të dy dialekteve kryesore. Le ta ilustrojmë këtë meritë të tij me fjalë të tilla që i ndeshim në vëllimin “Më në fund, të lirë”: kaherë, i kamotshëm, marre, nahije, shkapërderdhen, kapërdi, kacavjerrje, cullët, nguc,karthjet, carruqet,u përball, tekevona, mundimshëm, ndërmend,vrajë,ngutas, krande, i unshëm, ngutas, hutueshëm, briti, u gjegj, me bujt, lazdroj, bdaret, u përball, mos ki dert, i vranët, i priu, ngarend…

Gjuha e zgjedhur e figurative i jep mundësi autorit jo vetëm për t‘u shprehur qartë e bukur, por edhe për të portretizuar personazhe, si tek “I arratisuri”: Gruaja u përball me një qenie leshtore, plakur para kohe,; flokët e gjatë e të pakrehur i mbulonin një pjesë të fytyrës; mjekra deri në gjoks, mustaqet e dendura i jepnin pamjen e një ariu.

Është një anë pozitive e veçantë e autorit që arrin ta portretizojë ndonjë personazh të tregimit edhe nëpërmjet një dialogu lakonik. Kështu, në tregimin “Buka”, Danit, ish-fshatarit të pasur, i ashtuquajtur kulak, kur kooperativistët mbetën të gjithë trokë ose, siç shprehet autori, “u bënë kripë e piper”, i duhet të përulet disi para llogaritarit me arkën bosh. Dhe gjallon dialogu: “Mos e provofsh kurrë hallin e prindit para urisë së pashuar të fëmijëve!” “…Të lutem, merre nga unë këtë njëqindlekëshe; për bukën e kalamajve…” “Jo, nuk jam këtu për lëmoshë!-u trondit Dani dhe sytë i morën një shkëlqim të frikshëm, teksa iu zgjua fisnikëria e hershme e Danajve. “Kur të kesh, ma kthe”. “Ta paça borxh,-i tha Dani me një zë të njomur”. Në mbyllje, duke na kujtuar skicën migjeniane “Legjenda e misrit”, përmes një hiperbole gjer në grotesk, autori na e jep Danin sesi ngjitet në atë ditë bore me gjithë ato pllaka buke misri të blera njëherësh, me barrën e jetës mbi shpinë.

Në tregimin “Shiu” mënyra e kompozimit është e tillë që menjëherë pas përshkrimit të një dite me shi të rrëmbyer, autori na njeh me një të vërtetë jetësore, takimin e beftë pranë Prokurorisë së Përgjithshme të dy personave, që përfaqësojnë dy botë të ndryshme. Njëri, ish-Prokuror i Përgjithshëm në kohën e diktaturës, krekosur brenda një veture luksoze dhe tjetri- një viktimë e asaj kohe, por që, pas fitores së demokracisë, e ka goditur rëndshëm ish-funksionarin e lartë në median e shkruar e të folur, në mbledhje të hapura e në Parlament. Një realitet vertikal. Një absurd i paspërmbysjes së regjimit totalitar. Me anë të antitezës, autori përball “fitimtarin”me çadër në dorë, por që kullonte nga këmbët, (në pritje të së shoqes nga puna), me “të mundurin”, që lëviz xhamin e derës së pasme dhe me një ngërdheshje në fytyrë, guxon të artikulojë: “Të paskan thirrur në prokurori, ë?!” “Nuk e dija se jetoje ende!”,- parapëlqen autori ta kalojë atë situatë me një ironi të hollë. “U përpoqe me librat dhe me arkivat që të më bëje gropën, po re vetë brenda! – mbyllet ajo pjesë e dialogut me ish-in.

Dialogu mes dy botëve të papajtueshme, portretizon personazhet. Kur e shoqja pyet se me kë po bisedonte, ai u mat t’i thoshte me të shkuarën, por tha vetvetiu me të tashmen. Dy antonime aq të goditura, por edhe me ngjyresë aq të theksuar sarkastike. Janë kaluar edhe disa tregime të bukura pa u cekur në këto rreshta, por një gjë nuk e luan topi: shkrimtari Uran Butka është një prozator i spikatur.

 

 

 

 

Share it :