Ervin Kaduku
Në fund të muajit nëntor, kredia për bizneset private dhe individët është 2.6% më e ulët se një vit më parë
Tkurrja vjetore e kredisë për biznese, e nisur që në muajin maj të vitit 2013, kulmoi në muajin tetor 2013, duke shënuar nivelin prej 3.8%
Ndryshimi politik në shtetin shqiptar nuk ka sjellë atë që pritej në fushën e gjallërimit të ekonomisë, përkundrazi, tendenca negative është thelluar nga tetori i vitit të kaluar. Tkurrja vjetore e kredisë për biznese, e nisur që në muajin maj të vitit, kulmoi në muajin tetor 2013, duke shënuar nivelin prej 3.8%, ndërsa në muajin nëntor ajo u moderua paksa në 3.5%. Po kështu, kredia për investime vijon të tkurret, por me ritme më të ulëta se në tremujorin e dytë të vitit. Gjithashtu, edhe kredia për financimin e kapitalit qarkullues shënoi tkurrje vjetore në muajt tetor dhe nëntor. Në fund të muajit nëntor, këta dy portofola qëndrojnë përkatësisht 3.4% dhe 3.0% më të ulët se një vit më parë.
Në fakt, ecuria e kreditimit në vend ka reflektuar rënien e huadhënies bankare për sektorin privat të ekonomisë, raporton Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit nëntor, kredia për bizneset private dhe individët është 2.6% më e ulët se një vit më parë. Nga kahu i kërkesës, pasiguria e individëve dhe rënia e besimit konsumator kanë kushtëzuar një sjellje hezituese ndaj konsumit dhe financimit të tij me kredi.
Ecuria e dobët e kredisë për biznese evidentohet në të gjithë sektorët e ekonomisë. Segmenti i bujqësisë dhe ai i shërbimeve të tjera ishin të vetmit për të cilët kredia shënoi rritje në muajt tetor e nëntor, por në nivele të ulëta. Reduktimi i financimit bankar është veçanërisht evident në segmentin e industrisë dhe në atë të tregtisë, hotelerisë dhe restoranteve. Në fund të muajit nëntor, në terma vjetorë, rritja e kredisë për shërbimet e tjera është ngadalësuar në 1.8%, ndërkohë që kredia për tregti, hoteleri dhe restorante dhe ajo për industrinë janë tkurrur me përkatësisht 3.3% dhe 1.1%. Tkurrja e sektorit të ndërtimit, e nisur prej mbi një viti, ka vijuar edhe në këta dy muaj, por me ritme më të ulëta, duke shënuar vlerën 15.0% në muajin nëntor.
Ecuria e plogësht e konsumit dhe e aktivitetit ekonomik kanë përcaktuar rënien e investimeve të reja të bizneseve dhe të nevojës për financimin e tyre. Në kushtet e një kërkese anemike, bankat kanë ruajtur sjelljen e tyre konservatore ndaj ndërmarrjes së rrezikut, veçanërisht për bizneset.
Sipas BSH, analiza e kushteve të kreditimit, pavarësisht lehtësimit në segmente të caktuar, tregon për një çmim ende të lartë të rrezikut nga ana e bankave. Kjo sjellje është e shprehur në ngurtësi të normave të interesit të kredisë, pavarësisht rritjes së stimulit monetar në ekonomi, si dhe në përdorimin e elementëve të tjerë jo-kosto në racionimin e kredisë.
Financimi i bankave për bizneset ka vijuar të shfaqë ecuri të dobët edhe në muajt tetor dhe nëntor. Kjo ecuri është ndikuar njëkohësisht nga kushte të shtrënguara të financimit dhe nga kërkesa e ulët e bizneseve për financim gjatë vitit 2013. Analiza e vrojtimit të aktivitetit kreditues evidenton rënien e kërkesës së bizneseve jo vetëm për investime, por së fundi edhe për financim afatshkurtër. Bankat, nga ana tjetër, kanë shtrënguar më tej kushtet e kreditimit për biznese, veçanërisht për financimin e investimeve.
Pas Kinës, Rusia bëhet gati të ndalojë monedhën virtuale
Autoritetet në Rusi po përgatiten të ndalojnë përdorimin e monedhës virtuale, Bitcoin, dhe kanë paralajmëruar se ata që përdorin të ashtuquajturën “kriptomonedhën”, po thyejnë ligjin.
Ky veprim i autoriteteve ruse vjen në një kohë që Bitcoin po njeh një përdorim të gjerë anembanë globit dhe Rusia ishte vendi i dytë më i madh në botë, pas Kinës, që përdorimi i monedhës virtuale po rritej me shpejtësi të madhe. Sipas analistëve, ndërhyrja e Rusisë vjen në një kohë të vështirë për Bitcoin, çmimi i të cilit ka rënë ndjeshëm gjatë fundjavës pasi kompania Mt Gox, një nga zyrat e këmbimit valutor më të mëdha në botë, ndaloi konvertimin e Bitcoin në para fizike. Gjithsesi kompania njoftoi se ky vendim për arsye teknike dhe shërbimi do të rifillojë shumë shpejt.
Organizatat e zbatimit të ligjit në Rusi dhe Banka Qendrore po punojnë se bashku për të parandaluar “aktet e paligjshme në aspektin e qarkullimit të parasë në Rusi dhe parandalimin e shkeljes së të drejtave të qytetarëve mbi pronën”, thuhet në deklaratën e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Gjithashtu në njoftim thuhet: “sistemet anonime të pagesave dhe “kriptomonedhat”, që kanë fituar një qarkullim të konsiderueshëm, duke përfshirë këtu edhe Bitcoin, po zëvendësojnë paratë “kesh” dhe për këtë arsye nuk mund të përdoren nga individë apo persona juridikë”.
Sipas legjislacionit ekzistues, futja e njësive të reja monetare, përveç rublës, është e ndaluar në Rusi. Sipas të dhënave, shkarkimi nga internet i programit të Bitcoin arriti në Kinë gjatë muajit të kaluar dhe përfaqëson rreth 10% të të gjitha shkarkimeve në të gjithë botën. Në muajin dhjetor, edhe Kina e ndaloi përdorimin e Bitcoin nga institucionet financiare, ndërsa tregtarët online, duke përfshirë këtu edhe Baidu, u detyruan më mos pranojnë pagesa në Bitcoin. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autoritetet federale dhe shtetërore, dëshirojnë të rregullojnë biznesin e Bitcoin dhe t’i detyrojnë ata të kryejnë të njëjtat kontrolle, kundër pastrimit të parave, ashtu si bankat.




