Anxhela Tato
Dëshmia e xhaxhait: “Dëgjuam një shpërthim të fuqishëm, gjetëm fëmijët e plagosur”
Zv/Ministri i Shëndetësisë: “I mituri me dëmtime të shumta në kokë, e pamundur që të shpëtohej
Loja me granatë i kushton jetën fëmijës 6 vjeç S.Tema. Njëri prej 4 motrave e vëllezërve të mitur të familjes Tema nga fshati Greps i Fushë-Krujës, të cilët u plagosën mëngjesin e djeshëm nga shpërthimi i një granate luftarake. Fëmijët e kishin gjetur në breg të lumit dhe kishin nisur të loznin me të pa e ditur rrezikun. Të plagosurit e tjerë janë F.Tema, 6 vjeç, Xh.Tema, 9 vjeç dhe B.Tema, 8 vjeçe të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që 6-vjeçari S.Tema ka mbërritur në koma në spitalin e Traumës, ndërsa më pas ka ndërruar jetë.
Zv. Ministri i Shëndetësisë
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, duke folur nga spitali i Traumës në Tiranë, ka bërë të ditur se njëri nga fëmijët e ardhur nga Fushë Kruja, ishte me dëmtime të shumta në kokë dhe ka qenë i pamundur që të shpëtohej. Ndërsa 9-vjeçarja B.Tema, pas operacionit ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Fëmija që humbi jetën erdhi në gjendje të rëndë, pasi kishte një ekspozim të madh të pjesës trunore. Dy fëmijë janë në gjendje më të mirë, ndërsa njëra prej vajzave është futur në sallën e operacionit dhe shpresojmë të bëhet mirë. Nuk mund të themi shkakun e plagosjen pasi ka pasur të dhëna kontradiktore në lidhje me ngjarjen dhe policia është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes”, – tha Rrjepaj.
Dëshmia e xhaxhait
Xhaxhai i fëmijëve tregon se pranë fshatit kanë një vendgrumbullim plehrash. Aty mendohet se fëmijët kanë gjetur granatën. “Dëgjuam një shpërthim të madh. Kur shkuam gjetëm fëmijët të plagosur. Pranë fshatit është një vendgrumbullim mbeturinash ku çfarë nuk hidhet. Atje duhet ta kenë gjetur granatën”, – thotë xhaxhai. Fillimisht u raportua se fëmijët bashkë me të atin, Flamur Tema kanë shkuar për të kullotur bagëtitë. Ata kanë gjetur granatën dhe kanë nisur të lozin.
Ngjarja
Zv/ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj i cili ndodhej në spital për tu interesuar për gjendjen shëndetësore të të plagosurve nga aksidenti tragjik të Kukësit raportoi edhe për plagosjen e fëmijëve. “Mund t’ju them që ka pasur dhe një problem tjetër. Katër fëmija nga Fushë-Krujë, për shkak të plasjes së një granate. Një është në gjendje të rëndë. Janë fëmijë, nuk mund t’ju them moshën, sepse do të kemi informacione zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Njëri është në rrezik të madh për jetën. Ekipet mjekësore janë trefishuar, ekipet infermierore janë në gatishmëri të plotë, baza mjekësore nuk mungon”, ka bërë të ditur sot në ambientet e spitalit të Traumës, zv. Ministri i Shëndetësisë, Rrjepaj.
Sarandë
Morri hak ndaj avokates dhe policit, në qeli Saimir Selmani
Saimir Selmani një i dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare për vjedhje dhe falsifikim kartëmonedhash, është vënë në pranga nga Policia e Shtetit, si i dyshuar për vendosjen e tritolit zyrës së avokates Albana Hysi dhe oficerit të prokurorisë Sarandë, Altin Avduli. Arrestimi i tij është bërë pas disa muaj hetimi nga Prokuroria e Sarandës dhe Policia e Shtetit, ku pas veprimeve hetimore është arritur të zbardhen dy ngjarjet e ndodhura në 27 qershor të vitit të kaluar. Burime pranë policisë së Sarandës, thanë se Selmani ka qenë person në kërkim. Kërkimet për të janë mbyllur ditën e djeshme në mbrëmje, ku është arrestuar në lagjen nr.4 në Tiranë. Gjatë momentit të arrestimit Saimir Selmani nuk ka mundur të bëjë asnjë rezistencë, ndërkohë që është shoqëruar menjëherë në policinë e qytetit. Sipas burimeve të policisë, Selmani dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive në zyrën e avokates Albana Hysi, në Sarandë. Veç kësaj ngjarje, Selmani akuzohet të jetë pjesëmarrës në vendosjen e tritolit në fuoristradën e oficerit të prokurorisë Sarandë, Altin Avduli. Mësohet se ky i fundit ka qenë oficeri që ka hetuar Selmanin, për akuzën e vjedhjes, ndërsa Hysi rezulton të ketë qenë avokate mbrojtëse e caktuar kryesisht nga prokuroria dhe gjykata. Pritet që në ditët në vijim Selmani të merret në pyetje për të dyja ngjarjet. Selmani rezultonte si person i shpallur në kërkim. Ka mjaftuar një informacion në polici, që ky person të lokalizohet dhe të identifikohet duke u mbajtur për disa kohë në vëzhgim të rreptë. Vetëm gjatë ditës së djeshme është bërë e mundur arrestimi i tij, teksa po qëndronte në një banesë në lagjen nr.4 në Sarandë. Pritet që shumë shpejt Saimir Selmani të dalë para gjykatës për tu njohur me akuzat dhe dy dënimet e marra nga drejtësia.
Dibër
Vrau shokun për pronën, arrest m burg Endri Cenas
Arrest me burg është vendosur paraditen e djeshme nga Gjykata e rrethit gjyqësor Dibër, për Endri Cena, i dyshuar për veprën penale të vrasjes me dashje të Blondin Lushës dhe të mbajtjes pa lejë të armëve luftarake. Gjyqtari Halil Vani ka marrë në shqyrtim kërkesën penale për “arrest në flagrancë ndaj personit në hetim, Endri Cena”. Në këtë seancë, i pandehuri është përfaqësuar nga avokati i tij, Baftjar Rusi, ndërsa prokuroria u përfaqësua nga prokurorja Esmeralda Cami. Pasi u dëgjuan palët në seancë, si dhe pretendimet e të pandehurit dhe mbrojtjes për ngjarjen, gjyqtari Halil Vani vendosi si masë sigurie arrestin me burg për Cenën, “duke e vlerësuar të ligjshëm arrestimin flagrant” të tij.
Vlorë
Tentojnë të grabisin dyqanin, hasin në rezistencën e pronarit
Persona të maskuar dhe të armatosur kanë tentuar të grabisin një dyqan telefonash, mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në një dyqan në afërsi të Zyrës së Punës në qytetin bregdetar, ku grabitësit pasi kanë hyrë në dyqan kanë hasur në rezistencën e personave që ndodheshin aty dhe janë larguar pa mundur të marrin asgjë. Me të marrë njoftimin për ngjarjen, Policia e Vlorës mbërriti në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ekspertë të policisë po marrin në pyetje pronarin e dyqanit dhe dëshmitarët që ndodheshin në vendngjarje.
Tiranë
Gjendet i pajetë në Linzë, ishte zhdukur më 19 janar
Policia e Tiranës ka gjetur sot kufomën e një mashkulli në zonën e Linzës. Sipas të njëjtave burime trupi i pajetë i përket shtetasit Evis Allmetaj, 29-vjec. Trupi i viktimës është gjetur i hedhur në një shkurre, nga një qytetar që mblidhte lule në këtë zonë. Kufoma dyshohet se ka më shumë se 1 javë i vdekur, ndërsa hetimet e s vazhdojnë për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një vrasje apo vetëvrasje. Familjarët e viktimës e kishin denoncuar të zhdukur 29-vjecarin, që më 19 janar të këtij viti. Nga të dhënat e tyre në polici, mësohet se Evis Allmetaj ishte i martuar dhe punonte si menaxher në një firmë që prodhonte pije energjike. Nuk bëhet me dije nëse viktima ka pasur apo jo konflikte me ndonjë person.




