Intervista/ “Ndihmë nga shteti, mos e lini Fotaq Zaharinë të vdesë”

 Anxhela Tato

 

Rrëfehet bashkëshortja e “të fortit të Vlorës”: Ka nevojë urgjente të operohet, por pajisja nuk ndodhet në Shqipëri

 

Leonora Zaharia mohon akuzat ndaj burrit, fajëson policinë se e plagosi në sy të familjes

 

zahariaBashkëshortja e Fotaq Zaharisë kërkon me urgjencë ndërhyrjen kirurgjikale për bashkëshortin e saj, gjendja shëndetësore e të cilit është tepër e rënduar. Leonora Zaharia tregon se bashkëshorti i saj është i burgosur prej 9 vjetësh dhe është më se emergjente që të ndërhyhet sërish nga ana kirurgjikale, por pajisja e kërkuar nuk ndodhet në Shqipëri. Ajo rrëfen në një intervistë se në shkresën e dërguar Ministrisë së Drejtësisë i ka ardhur një përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve, në të cilën thuhet se burri i saj ka kalbje të kockës dhe është më se e nevojshme që të operohet sërish. Herën e parë Fotaq Zaharia është operuar në vitin 2008, pasi u plagos në kofshë nga policia. Por, me sa duket, kjo ndërhyrje nuk ishte edhe aq efektive, pasi i dënuari rrezikon kalbjen totale të kockës dhe trupi i tij nuk mban më qetësuesit. Ndërsa më tej ajo shton se për këtë çështje është vënë në dijeni edhe Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i Popullit. Në lidhje me akuzat, për të cilat është dënuar Zaharia, bashkëshortja shprehet se asnjë provë nuk ka ndaj burrit të saj, i cili është arrestuar dhe dënuar padrejtësisht nga drejtësia.

 

Leonora Zaharia

 

“Fotaq Zaharia është i burgosur prej 9 vjetësh dhe tashmë ndodhet në gjendje të keqe shëndetësore në Spitalin e Burgut Tiranë. Fotaqi është plagosur në rrëzë të kofshës me plumb, me diagore shpërthyese. Policia e Vlorës e qëlloi në prezencë të familjes dhe dy fëmijëve, ndonëse ishte i paarmatosur. Mandati i kontrollit vërteton se nuk kishte asgjë të paligjshme si vetë i dënuari që ndodhej në banesë. Gjendja e tij dita-ditës përkeqësohet. Më 8 qershor të vitit 2008 i është bërë një operacion, i cili u quajt thjesht për të shpëtuar jetën. Operacioni dihej që nuk do të funksiononte, se materialet që duhen për atë operacion, nuk gjenden në shtetin shqiptar dhe kostoja e tyre është shumë e madhe. Materialet për të zëvendësuar kockën e dëmtuar dhe frakturën e gjurit janë të pamundura për tu gjetur”, – është shprehur komisioni i 13 mjekëve specialistë të Spitalit Ushtarak dhe e cilësuan si një rast unik. “Prej 7 vjetësh e vetmja mundësi ka qenë qëndrimi në shtrat dhe sot gjendet i paralizuar dhe me migrenë, e cila rritet çdo ditë. Para një muaji ai ka rrezikuar jetën, sepse trupi i tij nuk mund të mbajë më qetësues. Kalbja e kockës do vetëm 3 cm që të arrijë sferën e legenit të kockës. Kjo do të thotë se i dënuari është duke pritur vdekjen. Për këtë çështje janë në dijeni Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i Popullit. Është bërë 2 herë ankesë në Gjykatën e Lartë Tiranë. Përveç dënimit që mori duke e paralizuar për gjithë jetën, mos duhet ta lëmë të vdes?? Pse i mohohet gjendja reale shëndetësore dhe faktet se nuk ka pasur armë dhe nuk ka asnjë provë e dëshmitar? Ju lutem të bëni një verifikim të Fotaq Zaharisë dhe gjendjes së tij shëndetësore, i cili ndodhet në Spitalin e Burgut Tiranë”.

 

Kush është Fotaq Zaharia

 

I cilësuar si “i forti i Vlorës”, Fotaq Zaharia është dënuar me 23 vjet burg nga Apeli i Krimeve të Rënda për pesë akuza, si: grabitje, pengmarrje, tentativë vrasje. I dënuari i është drejtuar edhe Gjykatës së Lartë, ku kërkonte lirinë për shkak të gjendjes të tij shëndetësore. Fotaq Zaharia dyshohej për pengmarrjen e M. J. kundrejt shumës 50 milionë leke, ngjarja pas arratisjes nga paraburgimi i Vlorës. Në vitin 2011 Gjykata e Krimeve të Rënda pas më se një ore këshillimi ka shpallur të pafajshëm të pandehurin Fotaq Zaharia, duke i rrëzuar të dyja akuzat që rendonin mbi të me argumentin se prova e vetme e Prokurorisë nuk mund ta dënonte atë, por ky vendim është rrëzuar nga Apeli i Krimeve të Rënda, i cili pas shqyrtimit ka cilësuar të pandehurin fajtor, duke i dhënë dënimin me 23 vjet burg.

 

 

Analiza vjetore

Kryeprokurori Llalla: Problem shpejtësia në hetim dhe ruajtja e sekretit hetimor

 Për një vit organi i akuzës së Krimeve të Rënda ka proceduar 47 dosje hetimore vrasjesh dhe 269 dosje trafiku lëndësh narkotike, ndërkohë që 204 dosje janë ende në proces gjyqësore dhe vetëm 49 janë pushuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Gjatë analizës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kryeprokurori Adriatik Llalla kërkoi shpejtësi në hetime dhe sidomos në çështjet ndaj pasurive të krijuara në abuzim me ligjin. “Vijon të mbetet problem shpejtësia e hetimit dhe zbatimi i ligjit “Antimafia”, pra hetimi dhe sekuestrimi i pasurive”, – tha kryeprokurori Llalla. Duke vënë në dukje volumin e madh të punës se kësaj Prokurorie, Llalla tha se është për t’u vlerësuar puna e kësaj Prokurorie, pasi rezultatet e saj gjatë vitit të shkuar kanë qenë të prekshme dhe konkrete. “Vlerësoj si mjaft të rëndësishëm intensifikimin e marrëdhënieve mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pasi kjo është rruga më e mirë dhe më ë shpejtë për të zbardhur ngjarjet kriminale dhe për t’i vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit”, – theksoi Llalla. Duke shpallur prioritetet e organit të Prokurorisë, u shpreh se vëmendje të veçantë duhet të ketë hetimi pasuror. “Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë të krijuar në shkelje të ligjit dëmton rëndë strukturat kriminale. Zbatimi me efikasitet i ligjit “Antimafia” sjell sukses në luftën kundër krimit të organizuar”, – theksoi ai. Më tej, Llalla theksoi se “hetimi për trafikun e qenieve njerëzore, sidomos të grave dhe të miturve është duhet të marrë një vëmendje të veçantë. Ky objektiv mbart nën vete dy nën objektiva, prokurorët nga njëra anë duhet të gjejnë prova për të fajësinë e autorëve dhe nga krahu tjetër duhet të punojnë për të gjetur rrugëdaljen më të mirë për riintegrimin e viktimave”, – shtoi Llalla.

 

Sekreti hetimor

 Kryeprokurori Llalla u ndal edhe tek çështja e sekretit hetimor, duke theksuar se zbardhja e sekretit hetimor në media është një tjetër problematike, për të cilën duhet një vëmendje më lartë nga ana e prokurorëve. “Fshehtësia dhe hetimi profesional janë themeli i punës sonë, prandaj zbardhja i sekretit hetimor është një problematik e hasur shpesh vitin që lamë pas për të cilën duhet të merren masat përkatëse”, – theksoi ai. Kryeprokurori Llalla shprehu mbështetje të plotë për realizimin e këtyre objektivave, duke siguruar se Prokuroria e Përgjithshme do të japë të gjithë kontributin e saj për arritjen e objektivave dhe krahas kësaj do punohet për përmirësimin dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, pasi prokuroria e Krimeve të Rënda është arma kryesore më të cilën shteti shqiptar lufton krimin”. Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, duke bërë një ekspoze të punës së institucionit, tha: “Gjatë vitit 2013 Prokuroria e Krimeve të Rënda është ndeshur me një volum të lartë pune. Pavarësisht kësaj, ne me burimet në dispozicion ia kemi dalë të realizojmë me sukses punën tonë. Ne kemi punuar për përmirësuar bashkëpunimin me policinë dhe organe të tjera ligjzbatuese dhe jemi optimist se gjatë 2014-ës rezultatet do të jenë edhe më të mira”, – garantoi Beci. I pranishëm në këtë analizë, Avokati i Popullit, Igli Totozani, vlerësoi punën e bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda duke theksuar se ajo ka punën më të vështirë në Shqipëri. “Në institucionin tonë ka ardhur vetëm një ankesë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, çka tregon se puna e këtij organi hetimor ka qenë mjaft e mirë dhe e pakontestueshme”, – tha Totozani.

Share it :