Anxhela Tato
Julian Sinanaj kishte shkruar 2 herë në bllok që të mos fliste me askënd për asgjë
31-vjeçari mbante në bllok listën e plotë të armatimeve si dhe datat e vrasjes së Çelës dhe Veizit
“Të lutem mos fol me askënd për asgjë, pasi do të të vrasin”. Kjo është fraza e shkruar nga Julian Sinanaj në një bllok shënimesh prej 20 faqesh. Në fillim dhe në fund të bllokut gjendet i shkruar ky shënim, me anë të së cilit vrasësi me pagesë i bën thirrje vetvetes që të ruajë fshehtësinë për çfarëdo që ka bërë. Është me të vërtet interesant fakti që vrasësi me pagesë ka zgjedhur të shkruajë këtë thirrje lutëse për t’i rikujtuar herë pas here vetes se në çfarë rrethi vicioz është i përfshirë. Frika nga kushërinjtë Mëhillaj, ekzekutimet dhe atentatet e trembnin Julianin, i cili preferonte që t’ia rikujtonte vetes në një bllok të vogël. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se vrasësi me pagesë do t’u nënshtrohet dy seancave me një psikologe, e cila do të ndërtojë profilin e 31-vjeçarit. Dy seancat janë caktuar që të zhvillohen javën e ardhshme, por mësohet se në analizë do të merret edhe blloku i shënimeve të vrasësit me pagesë. Burime bëjnë me dije se në këtë bllok kanë qenë të shënuara me data ekzekutimet e biznesmenit Agron Çela, peshkatarit Sokol Veizi si dhe tri atentate me lëndë eksplozive prefektit Besnik Dervishi, Ardian Kollozit dhe B. E. Gjithashtu, në këtë bllok ndodhet edhe lista e armatimeve që dispononte 31-vjeçari Julian Sinanaj. Bëhet fjalë pikërisht për armët e zjarrit që u sekuestruan nga ana e forcave të policisë në banesën e 31-vjeçarit.
Hetimet
Në asnjë moment gjatë dëshmisë së tij Julian Sinanaj nuk ka rrëfyer për personat që fshihen pas atentateve. Ai ka treguar se çdo porosi i vinte nga kushërinjtë Mëhillaj dhe vetë nuk interesohej që të dinte se cili ishte motivi dhe cili person e kërkonte. Julian Mëhillaj ka tentuar që të mos përfshihet në këto biseda, duke dashur që të ruante veten e tij nga vetë kushërinjtë Mëhillaj. Juliani preferonte që të mos e dinte kush ishte porositësi, duke mos u ekspozuar më tepër se ç’kërkohej në këto rrethana. Ka dyshime se 31-vjeçari është autor i shtatë vrasjeve në vendin tonë, por deri tani janë vërtetuar vetëm dy. Janë pikërisht pamjet filmike të ekzekutimit të Çelës dhe Veizit, të filmuara, një provë e fortë në duart e prokurorisë. Por në lidhje me pesë krimet e tjera nuk ka asnjë detaj apo të dhënë. Vetë Juliani deri tani ka rrëfyer vetëm krimet e bëra publike nga policia, pasi është i trembur për sigurinë e jetës së familjarëve të tij. Juliani ka kërkuar madje mbrojtjen e familjes së tij, nëse Prokuroria do të dijë të vërtetën e krimeve. Në deklaratat e tij 31-vjeçari ka treguar se kushërinjtë Mëhillaj kanë shumë njohje me politikanë, por nuk ka rrëfyer asnjë emër, duke mos dashur që të bëhet pjesë e çështjeve politike. Në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Greqi nuk janë kompetencë hetimi e organit të akuzës. Bëhet fjalë për ngjarje kriminale të ndodhura jashtë shtetit, për të cilin Shqipëria nuk ka të drejtë të hetojë. Kjo është edhe arsyeja pse Juliani nuk është pyetur për të tilla episode. Ai thjesht ka deklaruar se ka kryer 27 vrasje, por ka zgjedhur të rrëfehet vetëm për dy krime dhe tri atentate. Julian Sinanaj ka përfituar statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Atentati
Besnik Dervishi ballafaqohet me dëshminë e Marjon Mitros, mohon njohjet me të
Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, është marrë sërish në pyetje gjatë ditës së djeshme nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, në lidhje me konflikte të mundshme që ai mund të ketë pasur me Marjon Mitron, ish-punonjësin e Inspektoratit Urbanistik të Vlorës, i arrestuar pak ditë më parë. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se kjo seancë pyetjesh është bërë duke ballafaquar deklarimet e Marjon Mitros të arrestuar disa ditë më parë nën akuzën e porositësit të eksplozivit të vendosur në makinën e Dervishit. Në qëndrimet e tij publike, Dervishi ka deklaruar se nuk e njeh Mitron, ndërsa ky i fundit ka mohuar në Gjykatë të ketë porositur vendosjen e tritolit në makinën e prefektit, duke argumentuar se nuk ka pasur asnjë arsye, e për më tepër ka njohje miqësore me të. Grupi i hetuesve është i rezervuar në lidhje me dëshminë e Dervishit dhe është rrëfimi i dytë dhënë nga Besnik Dervishi për prokurorët e Krimeve të Rënda. Sipas akuzës, biznesmeni vlonjat ka vajtur vetë tek Sinanaj, pasi ishte në dijeni se ky grup merrej me krime me pagesë. Mësohet se Marjon Mitro i ka kërkuar Sinanajt që të përdorte një bombë me telekomandë, të cilën ia ka siguruar vetë 31-vjeçarit. Ky i fundit ia ka montuar në automjet prefektit. Sipas të dhënave të Prokurorisë, dyshohet se Mitro ka qenë në konflikt me prefektin, për shkak të prishjes së parkingut të lokalit të tij në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Për sa i përket shumës së lekëve, është përdorur vlefta financiare që Mitro i kishte dhënë 31-vjeçarit për realizimin e një ekzekutimi, për të cilin Sinanaj kishte refuzuar. Për bandën e tritolit janë arrestuar katër persona, ndërsa dy kushërinjtë, Genid dhe Andon Mëhillaj, rezultojnë ende persona në kërkim nga policia.
Prokuroria
Pushohet hetimi për Kreshnik Spahiun, nuk ka vepër penale
Prokuroria e Tiranës ka pushuar dje hetimet ndaj kreut të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. Hetimet ndaj Spahiut nisën në lidhje me punësimin e një personi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në kohën kur Spahiu ishte nënkryetar i KLD-së. Mësohet se ky i fundit kishte paguar për 1 vit pa qenë punonjës i KLD-së shtetasin Sali Shehu. Hetimet nisën kur nënkryetari aktual, Elvis Cefa, ngriti një padi ndaj Spahiut. Sipas Prokurorisë, edhe punonjësit e KLD-së kanë deklaruar se Shehu nuk ka qenë në punë. Pushimi i hetimeve nga Prokuroria e Tiranës i është komunikuar edhe KLD-së.
Aksident
Përplas me makinë këmbësorin, jashtë rrezikut për jetën
Aksidentohet një këmbësor në zonën e Bllokut në kryeqytet. Sipas të dhënave të policisë, këmbësori është përplasur nga mjeti tip “Ford Focus” me targë TR 5989 T. Këmbësori ende i paidentifikuar është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku po i jepet ndihma e nevojshme, ndërsa policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka nisur tashmë hetimet.
Drogë
Sekuestrohen 180 kg marijuanë, arrestohet poseduesi
Një sasi prej 180 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë u kap dje në një automjet në kufirin shqiptaro-grek. Policia bën të ditur se droga u kap dje rreth orës 06:30 të mëngjesit në një fugon në Igumenicë. Marijuana ishte sistemuar në 7 çanta në një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar me destinacion Athinën. Personi që drejtonte automjetin është larguar dhe ka mundur t’i shpëtojë policisë. Në mjet janë gjetur gjithashtu dhe 4500 euro. Vijon operacioni i policisë për zbardhjen e plotë të këtij trafiku ilegal të lëndëve narkotike.




