Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare mjeshtri i violinës Ibrahim Madhi. Virtuozi i violinës ka ndërruar jetë ditën e djeshme, pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet për artistin, me një karrierë të gjatë, bëhen sot në mesditë në Universitetin e Arteve. Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë në “Twitter”, duke e cilësuar Madhin një mik të mirë kohësh të vjetra dhe një virtuoz në violinë. “Ibrahim Madhi mik i mirë kohësh të vjetra, violinist e pijetar virtuoz iku pa zhurmë duke lënë pas shijen e muzikës e të bisedës pa zhurmë”, – shkruan Rama.
Madhi shënon mbi 50 vjet karrierë. Ai lindi në Elbasan, më 25 nëntor të vitit 1945. Pas disa viteve shkollim muzikor, më 1968 Ibrahim Madhi diplomohet në Konservatorin e Tiranës për violinë. Këtu nis rrugëtimi i tij artistik. Virtuoz në violinë, veprimtaria e tij artistike shënon dhjetëra koncerte të suksesshme. Solist pranë Orkestrës së Radio Tiranës, më pas në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Madhi më vonë vazhdoi edhe në Akademinë e Arteve me kontributin pedagogjik, por edhe me aktivitete të ndryshme. Ibrahim Madhi është vlerësuar disa herë me çmime të rëndësishme kombëtare. Në 1999-ën fitoi titullin “Profesor”.
Për herë të fundit, Ibrahim Madhi u shfaq në skenë në koncertin për 100-vjetorin e Pavarësisë, me Orkestrën e Harqeve, të cilën e kishte themeluar vetë në vitet ‘70 e që sot nuk ekziston më, por që e riktheu enkas për jubileun e shqiptarëve.
Çfarë mbahet mend në mesazhet e fundit të violinistit janë të rinjtë, kur është shprehur: “Të dëgjojnë artistë të mëdhenj dhe më pas të reflektojnë për rrugën e tyre në boten e mrekullueshme të violinës”.
Re. Ku.




