“Tempesta” Shkatërrohet banda e trafikantëve të femrave

 Anxhela Tato

 

Operacioni italo-shqiptar, në pranga vëllai i kryebashkiakut të Roskovecit, tentoi të arratisej

 Hetimet, në disa raste detyroheshin të bënin zanatin e prostitutës edhe motrat dhe gratë e të arrestuarve

 

prostitutes11371658691Vëllai i kryebashkiakut të Roskovecit në listën e bandës së trafikantëve të femrave për prostitucion. Rrjeti i përbërë nga 30 persona kishte në qendër të veprimtarisë trafikun dhe shfrytëzimin për prostitucion të femrave, madje në disa raste viktimat kanë qenë edhe nënat, motrat apo gratë e të arrestuarve. Operacioni është organizuar paralelisht në dy shtete, Shqipëri dhe Itali. “Strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Tempesta” të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet policore italiane, greke dhe rumune, bënë të mundur kapjen e 7 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e një organizate kriminale, e cila merrej me shfrytëzim e femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve”, – bëhet me dije nga Policia e Shtetit. Mediat italiane raportojnë se është dashur 1 vit hetime për të dokumentuar aktivitetin dhe vënë në pranga pjesëtarët e bandës së prostitucionit. Të njëjtat burime thanë se të arrestuarit akuzohen se trafikonin femra për qëllime prostitucioni në drejtim të Italisë, ku shfrytëzoheshin në rrugë dhe shpeshherë këta persona i dhunonin vajzat të cilat refuzonin të prostituonin. 30-vjeçari Eugen Çaushi është arrestuar disa muaj më parë nga policia e Fierit, pasi në fushatën elektorale të zgjedhjeve më 23 qershor të vitit të kaluar ky shtetas dhunoi kandidatin e FRD-së, Mitat Hoxha. Sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit, Laura Totraku, në Shqipëri janë arrestuar 7 persona, nga të cilët Eugen Çaushi, Igli Metushi, Gazmir Shkurtaj, Daniel Lika, Eduarto Hoxha, Kreshnik Bendo dhe Edër Dorzi.

 

Hetimet

 Organizata kriminale u zbulua nga qytetarët e lodhur nga pushtimi me prostituta dhe shpërndarës droge. Sipas mediave italiane, hetimi ka nxjerrë në dritë ekzistencën e dy bandave, atë të prostitutave dhe drogës, ndërsa mes emrave përmenden edhe Geron dhe Mikel A., respektivisht 40 dhe 36 vjeç, të dënuar në Shqipëri për një vrasje të kryer në Belgjikë për të marrë hak për vrasjen e babait të tyre, si dhe dy shqiptarët e të tjerë, 41-vjeçari Eris K. dhe 37-vjeçari Mario S. Vajzat ishin rekrutuar në përgjithësi në Shqipëri dhe Rumani, por kishte edhe bullgare ruse dhe moldave, të gjitha nga 23 deri në 40 vjeçe. Në disa raste gratë janë detyruara të bënin zanatin e prostitutës edhe motrat dhe gratë e të arrestuarve. Në lidhje me normat e përfitimeve, në qoftë se jashtë Milanos mjaftonin 30 euro për 30 minuta, brenda qytetit tarifa shkonte në 70 euro. Të ardhurat janë riinvestuar në aktivitetin e drogës që menaxhohet nga një grup i dytë kriminal, lideri i së cilës është një shqiptar, i ndihmuar nga aktorë të tjerë të botës së krimit mes Shqipërisë, Greqisë, Firences dhe Milanos.

 

Arrestimi

 Nga të dhënat e policisë mësohet se gjatë natës Çaushi kishte qenë në Fier dhe dikush e kishte lajmëruar për operacionin që po kryhej dhe ai do të arrestohej. Në këtë kohë, ai ka tentuar të largohej, por është vënë në pranga nga uniformat blu në Tiranë. Në këtë operacion kanë marrë pjesë karabinierë të Torinos, Firences, Lodit, Alesandria dhe Pavias, të cilët bashkë me policinë shqiptare kanë shkatërruar organizatën kriminale, që trafikonte femrat për t’i shfrytëzuar si prostituta si dhe lëndë narkotike që shitej në qytete të ndryshme të Italisë. Hetimet janë bërë nga prokuroria e Milanos, që ka nxjerrë në dritë dy organizata kriminale të lidhura me njëra-tjetrën. Njëra e kishte bazën në Milano dhe merrej me shfrytëzimin si prostituta të femrave nga Evropa Lindore. Ndërsa organizata tjetër merrej me trafikun e lëndëve narkotike, që transportohej në Itali nga Shqipëria.

 

 

Tiranë

Grabiten 20 mijë euro në një bankë, i dyshuar një nga punonjësit

 Pronarët e një banke në Tiranë kanë denoncuar në polici se i janë grabitur rreth 20 mijë euro nga një person i stafit. Sipas informacioneve të policisë, referuar ndërtimit të ngjarjes nga ana e bankës, grabitësi i ka marrë paratë, i ka fshehur në xhepat e pantallonave dhe është larguar pa u pikasur nga të tjerët. Dyshohet se grabitësi ka bashkëpunuar me dy persona të tjerë, pjesë të stafit. Grabitja ka ndodhur ditën e diel, ndërkohë që pronarët e bankës pasi kanë pritur deri sot që grabitësi të kthejë paratë dhe nuk e ka bërë, e kanë denoncuar ngjarjen në komisariatin nr. 2 të policisë së Tiranës. Ndërkohë që deri tani, policia ka marrë dëshmi të 15 punonjësve të bankës për zbardhjen e grabitjes.

 

 

Policia

Parandalohet atentati, kapet montuesi i eksplozivit

 Një atentat me bombë celular është mundur të parandalohet nga policia paraditen e djeshme. Gjatë operacionit të realizuar nga policia rreth orës 10:00 në një lokal në kilometrin e 11-të të autostradës Tiranë – Vorë, u bllokua eksplozivi i lidhur me celular. Policia ka arrestuar në flagrancë 30-vjeçarin Albert Stafa, person me precedent të rëndë penal, i cili në momentin e arrestimit ishte në fazën e montimit të bombës me celular. Blutë e Tiranës kanë sekuestruar lëndën eksplozive të llojit tritol, e cila po montohej, si dhe celularin. Policia publikon fotot e lëndës eksplozive dhe të celularit, që po montoheshin për të realizuar bombën celular gjë që u arrit të parandalohej nga policia. Ndërkaq nuk bëhet i ditur identiteti i objektivit ndaj të cilit po tentohej të realizohej atentati me bombë me celular, si dhe nuk dihen ende motivet. Pas arrestimit të 30-vjeçarit, po vijojnë hetime për zbulimin dhe kapjen e porositësit, si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

 

 

 

Share it :