Emërimet në diplomaci Blushi e Islami, kritika Ramës për Ndrecën në Vatikan: Shkruan në gegërisht, në konflikt me Presidentin

Florenc Drizari

Ben Blushi: Gegërishten e pëlqej si variant letrar, por jo si normë zyrtare

Ardian Ndreca: Standardin e përdor me më pak gabime se letrat e administratës shtetërore

  

kom_jashtem_04.02.2014Shqyrtimi i kandidaturave për ambasador të Shqipërisë në Kosovë, Maqedoni dhe Vatikan u shoqërua me debate në Komisionin e Jashtëm. Në mbledhjen e djeshme u miratuan kandidaturat e Petrit Bushatit për ambasador në Maqedoni, Qemal Minxhozit në Kosovë dhe Ardian Ndreca në Vatikan. Ishte pikërisht kandidatura e Ndrecës që solli debate dhe replika mes anëtarëve. Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, shfaqi rezervat e tij për mënyrën se si Ndreca kishte shkruar jetëshkrimin e tij (në gegërisht). I njohur edhe për qëndrime kritike ndaj qeverisë për kandidatura të tjera në fushën e diplomacisë, Blushi theksoi se gjuha letrare është e sanksionuar në Kushtetutë dhe përbën një nga simbolet më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Për këtë ai i kërkoi z. Ndreca se me cilin variant do të komunikojë në komunikimet zyrtare.

 

Ben Blushi

“Kushtetuta e ka të sanksionuar që bashkë me flamurin shteti shqiptar ka edhe disa simbole të tjera. Një nga këto është edhe gjuha letrare. E shoh në CV-në tuaj, ju e konsumoni veprimtarinë në gegërisht nëse s’e kam gabim? Unë citoj disa prej shënimeve tuaja: Shieja e harrueme të qenit njeri. Shteti laik dhe amiqt e tij. Ne themi armiqt. Unë shkruaj vetë zoti Ndreca dhe kur je mendimtar i lirë mund të shkruash nga të gjitha dialektet e shqipes. Në qoftë se konsumohet veprimtaria që ju bëni, mund të shkruar në anglisht, frëngjisht, italisht etj.., por jo kur je zyrtar i shtetit, sepse shteti ka disa parime, si: gjuha, flamuri, simbolet kombëtare janë ta pacenueshme. Gjuha letrare është njëra prej tyre. Është ndoshta një nga arsyet se përse jemi bashkë. Pa gjuhën shqipe, Shqipëria nuk do të ishte. Kemi rreth 40 vjet që e kemi përcaktuar normën letrare kombëtare. Ka pikëpamje të ndryshme dhe nuk është vendi për ta diskutuar, por besoj se gjuha kombëtare është më e përshtatshmja për ne apo jo?”, – theksoi deputeti Blushi.

Duke iu përgjigjur anëtarit të Komisionit të Jashtëm, kandidati për ambasador në Vatikan, Ardian Ndreca, u shpreh se shkrimet për të cilat i referohet Blushi janë shkrime jozyrtare, shkrime letrare ose ese. “Për sa kohë që standardi i vitit 1972 është dhe do të jetë gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, unë në gjuhën zyrtare do të përdor këtë standard, ashtu siç e kam përdorur deri tani. Madje, e përdor me më pak gabime se letrat shqiptare që kam marrë ndonjëherë prej administratës shtetërore”, – deklaroi Ndreca.

Ndërkaq, sipas deputetit të PS-së, debati për gjuhën standarde duhet të jetë një debat i hapur intelektual në Shqipëri. Lidhur me përdorimin e variantit gegë Blushi sqaroi edhe qasjen e tij ndaj gjuhës letrare dhe dialekteve. “Unë hyj tek ata që i rri kësaj gjuhe amtare, sepse në 50 vitet e fundit kemi konsumuar aq shumë art, letërsi, histori, arsim dhe kërkim, mbi këtë normë gjuhësore dhe është e pamundur të kthehemi mbrapa, por mendimi im nuk është përfundimtar, gjuha letrare duhet pasuruar edhe në gegërisht. Unë nuk kam asnjë paragjykim për gegërishten, përkundrazi, më shijon Gjergj Fishta, Koliqi shumë, Migjeni. Paraardhësit e mi kanë shkruar në gegërisht para gjuhës letrare. Pra, e pëlqej si variant letrar, por jo si normë zyrtare”, – deklaroi Ben Blushi.

 

 

DETAJ

1) Petrit Bushati për ambasador në Maqedoni
2) Qemal Minxhozi për ambasador në Kosovë
3) Ardian Ndreca për ambasador në Vatikan

 

 

 

 

Emërimet në diplomaci

 Islami: Ndreca në konflikt me Presidentin, i ka thënë figurë groteske, kukull…

 Deputeti i opozitës, Kastriot Islami, kritikoi vendimin e Kryeministrit Edi Rama për të propozuar si kandidat për ambasador në Vatikan emrin e Ardian Ndrecës, duke thënë se ai është në konflikt moral me kreun e shtetit për qëndrimet e mbajtura më parë kundër tij. “Në fakt, Ardian Ndreca ka qenë dhe u paraqit edhe në seancën dëgjimore kundër Presidentit Bujar Nishani, të cilin e ka cilësuar në mënyre joetike si “figurë groteske”, “kukull lepe-peqe e Sali Berishës”, “me kufizime të dukshme fizike” e tjerë, e tjerë. Në të vërtetë, me këtë kandidaturë Rama i bën një provokim Presidentit Nishani për ta goditur nëse nuk e emëron dhe tallur nëse e emëron… Unë veçse bëra me dije anëtarët e Komisionit dhe publikun se zoti Ndreca me këto qëndrime është në konflikt “interesi” moral me Institucionin e Presidentit të Republikës e konkretisht me Presidentin Bujar Nishani sepse njëkohësisht i kërkon atij ta emërojë ambasador në Vatikan, pasi ka bërë cilësimet e mësipërme. Pasi u pyet nëse i ruante këto vlerësime apo kishte ndryshuar mendje, z. Ndreca, pasi u përpoq të mos i përgjigjej pyetjes, konfirmoi qëndrimet dhe cilësimet e bëra më parë”, – ka thënë deputeti Islami.

 

 

Rregullorja e Kuvendit

Gati ndryshimet, shtime në stafin politik dhe ristrukturime institucionale

 Kuvendi i Shqipërisë harton planin e veprimit për përmbushjen e rekomandimeve të raport-progresit për vitin 2013 të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Komisioni në raportin e tij vë theksin në nevojën e përmirësimit të transparencës së procesit legjislativ. Pas analizës së kryer mbi problematikat e konstatuara në progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2013, Kuvendi ka hartuar një plan veprimi, me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të dhëna. Plani i veprimit përfshin nëntë objektiva dhe parashikon në detaje hapat konkretë që Kuvendi do të ndërmarrë gjatë vitit 2014 në funksion të përmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Evropian. Një ndër këto pika është edhe përmirësimi i rregullores së Kuvendit për afatet e konsultimit të projektligjeve me organizatat e shoqërisë civile dhe caktimin e rregullave shtesë për bashkëpunimin dhe aksesin e organizatave të shoqërisë civile në punimet e Kuvendit. Duke argumentuar se përshtatja e strukturave organike me ligjet dhe aktet në fuqi është një tjetër objektiv i përcaktuar në planin e veprimit të Kuvendit për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, Kuvendi pritet të fusë në axhendën parlamentare të miratimit nga komisionet përkatëse parlamentare të strukturave të depozituara në Kuvend për institucione si AMA, KMD, AKEP, AK. Më herët, ndryshimi i strukturave të këtyre institucioneve është kundërshtuar nga opozita shqiptare. Ndërkaq, një tjetër ndryshim në strukturën e Kuvendit të Shqipërisë pritet të jetë edhe rritja e numrit të stafeve politike dhe teknike të Kuvendit për përafrimin e legjislacionit; kërkimi parlamentar dhe biblioteka e Kuvendit.

Share it :