Gëzim Saliu
Zëdhënësi i Füles, Stano: Zbatim të ligjit të nëpunësit. Ndjekim shfrytëzimin e fondeve të BE-së për trajnimin e ekspertëve
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle, ka konfirmuar vizitën e tij në Tiranë më 13 shkurt, duke theksuar se performanca dhe ndryshimet në administratën publike do të jenë temë kryesore e diskutimeve që ai do të zhvillojë me krerët e shtetit dhe personalitetet politike në vend. Zëdhënësi i eurokomisionerit, Peter Stano, ka bërë të ditur dje se profesionalizmi dhe depolitizimi i administratës publike në zbatim të ligjit të nëpunësit civil është një çështje kyçe për Bashkimin Evropian. “Komisioneri Stefan Füle do të vizitojë Tiranën në 13 shkurt dhe administrata publike do të jetë një nga temat e diskutimeve. Komisioneri po ndjek me shumë vëmendje ristrukturimin në administratën publike në Shqipëri. Përmirësimi i administratës publike është një nga kriteret kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë për të hapur negociatat e anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që të zbatohet ligji për nëpunësin civil dhe të reformohet administrata publike, me qëllim depolitizimin dhe rritjen e profesionalizmit të kësaj administrate”, – u shpreh zëdhënësi i Füles.
Ndryshimet
Çështja e administratës publike, largimet, ndryshimi i ekspertëve që prej kohësh punojnë me projektet e Bashkimit Evropian, të cilët edhe janë trajnuar me fonde të BE-së, do të jenë pjesë e diskutimeve të komisionerit të KE-së për Zgjerimin, Stefan Füle, me Kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit, Ilir Meta, dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Siç bëri të ditur dje edhe zëdhënësi Stano, gjithçka që ndodh me administratën publike në Shqipëri po ndiqet nga afër nga eurokomisioneri. “Sigurisht që ne ndjekim se si shfrytëzohen fondet e BE-së për logjistikën dhe trajnimin e ekspertëve në Shqipëri. Lidhur me impaktin e ndryshimeve të fundit në stafin e administratës, ky impakt nuk është shumë i qartë për ne, kështu që para se të kemi faktet për prekjen e administratës dhe impaktin e ndryshimeve aty, ne s’mund të komentojmë konkretisht për këtë. Shkurt, ne po e ndjekim nga shumë afër procesin e reformës në administratë, ricaktimin e stafit, largimet, shkarkimet dhe po përpiqemi të kemi një panoramë të qartë. Mund të konfirmoj se gjatë vizitës së komisionerit Füle, kjo çështje do të preket me autoritetet shqiptare”, – tha Peter Stano. Ndryshimet në administratën publike kanë qenë në qendër të debatit politik në Shqipëri, ku opozita kundërshtoi ashpër aktin normativ të qeverisë i cili shtyu me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit të nëpunësit civil, i miratuar më parë me konsensus mes palëve. Të djathtët e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka miratuar kërkesën e tyre, duke hedhur poshtë aktin normativ të qeverisë, por njëkohësisht moszbardhja e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese lë në fuqi aktin normativ të mazhorancës, i cili skadon thuajse për dy muaj e, në këtë formë, ndryshimet në administratë përmes ligjit të vjetër cilësohen si legjitime. Opozita ka kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, kërkesë e cila u refuzua nga mazhoranca. Për PD-në, mazhoranca e re në 5 muaj të qeverisjes së saj ka larguar nga puna një numër të madh ekspertësh, të cilët, sipas saj, janë zëvendësuar me militantë partiakë, ndërkohë që krahas çështjes së ndryshimeve në administratë, vizitën e tij në Tiranë eurokomisioneri Füle do ta shfrytëzojë edhe për të rikthyer dialogun politik mes palëve për të mundësuar plotësimin e reformave të domosdoshme në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat në mesin e muajit qershor të këtij viti.
Vizita
Ministri Bushati sot në Athinë për ministerialin NAJ, takime me Papuliasin dhe Samarasin
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, do të vizitojë sot Athinën, ku do të marrë pjesë në dy veprimtari të rëndësishme shumëpalëshe; në Takimin XVI të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ) dhe në Konferencën e Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR). Burime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme bënë të ditur dje se ministri Bushati do të zhvillojë disa takime në nivel dypalësh me Presidentin e Republikës së Greqisë, Karolos Papulias, Kryeministrin Andonis Samaras dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Evangelos Venizelos. Takimi i Këshillit të Ministrave të NAJ zhvillohet gjatë periudhës që Shqipëria ushtron Presidencën e radhës në këtë nismë dhe do të drejtohet nga ministri Bushati. Në takim do të marrin pjesë komisioneri i BE-së për Rajonet, Johannes Hahn, komisionerja për Çështjet e Detit, Maria Damanaki, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, vendi që ka Presidencën e BE-së, zoti Evangelos Venizelos, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ), si dhe sekretari i Përgjithshëm i NAJ. Zhvillimi i këtij aktiviteti është i një rëndësie të veçantë, pasi organizohet në kuadër të mbështetjes së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR), strategji e cila pritet të miratohet në fund të vitit 2014. Po ashtu, kryediplomati shqiptar është ftuar të kontribuojë në hapjen e sesionit të parë plenar të konferencës për EUSAIR, ku pritet të informojë auditorin rreth zhvillimeve të muajve të fundit të Presidencës shqiptare të NAJ, si dhe mbi ecurinë dhe konkluzionet e Takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të NAJ, zhvilluar paralelisht me konferencën e EUSAIR. Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, ministri Bushati do të takohet me emigrantë shqiptarë qe jetojnë në vendin fqinj, në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Athinë.
Ministri anglez
Lidington: Fuqizoni shtetin e së drejtës, përmbushja e standardeve ju bën pjesë të BE-së
Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington, deklaroi dje se vendi që ai përfaqëson mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit ku konkretisht do të japë ndihmë në përmbushjen e reformave të përcaktuara si kritere parësore nga Brukseli. Në një konferencë të përbashkët me ministren e Integrimit Klajda Gjosha, ministri anglez theksoi: “Duhet të përmbushen standardet që Shqipëria të jetë pjesë e kësaj familjeje. Ky proces që ka të bëjë me zgjerimin e Bashkimit Evropian, nuk kushtëzohet nga koha, por është thjesht një standard. Unë e vlerësoj shumë angazhimin e fuqishëm që ka pasur Shqipëria në këtë plan ambicioz reformash, e sidomos për reforma me rëndësi, forcimi i shtetit të së drejtës, në gjyqësor, dhe në zbatimin e të drejtave të njeriut, por plani për aderimin në Bashkimi Evropian është plan sfidues sic ishte dhe rasti konkret i Rumanisë”. Sipas Lindingtonit, duke fuqizuar shtetin e së drejtës, rezultatet do të ndihen drejtpërdrejt në rritjen e investimeve në vend. “Përpjekjet për të fuqizuar shtetin e së drejtës do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e investimeve në këtë vend, sepse çdo biznes kërkon tanimë sigurinë që kur të investojë në një vend, të mund të apelojë në një sistem të drejtë gjyqësor dhe jo në një sistem që jep një vendim të njëanshëm. I urojmë qeverisë shqiptare suksese në reformat. Britania do ta mbështesë në këto reforma shumë të rëndësishme. Ne jemi të hapur në këto proces bashkëpunimi”, – pohoi ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington.




