Anxhela Tato
Gjykata e Milanos e ka dënuar Laçin në 2011 me 10 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar droge
Paro Laçi u arrestua në janar të këtij viti në rrugën e “Durrësit”, ishte i shpallur në kërkim
Ekstradohet drejt Italisë ish-presidenti i ekipit të “Partizanit” Paro Laçi. Në ngarkim të tij rëndon masa e dënimit me 19 vjet heqje lirie për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Vendimi i dënimit është dhënë në mungesë nga ana e Gjykatës së Milanos në vitin 2011. Sipas të dhënave të policisë mësohet se Laçi ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale të ndodhura në vitin 1997. 45-vjeçari rezultonte person në kërkim ndërkombëtar në Itali nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Mësohet se ish-presidenti i “Partizanit” është ekstraduar para dy ditësh në vendin fqinj nga Interpol Tirana dhe i është dhënë nën dorëzim forcave të policisë italiane. Ekstradimi i tij është bërë me linjë ajrore Tiranë-Romë dhe nën masa të rrepta sigurie. Nga ana e forcave të policisë së kryeqytetit nuk është sjellë në njoftimin për shtyp ekstradimin i Laçit duke u mbajtur në fshehtësi jashtë vëmendjes së medias. Por burime konfidenciale pohojnë se Laçi tashmë ndodhet në Itali, ku pritet që të dalë para gjykatës dhe t’i nënshtrohet ekzekutimit të dënimit me 10 vjet heqje lirie. Paro Laçi u arrestua më 12 janar të këtij viti në një lokal poshtë banesës së tij. Arrestimi u bë në favor të drejtësisë italiane, e cila e kishte shpallur në kërkim pas vendimit të dënimit dhënë në mungesë.
Arrestimi
Në lidhje me prangosjen e Paro Laçit burime nga blutë zbuluan se kishte pasur informacione paraprake për vendndodhjen e tij. Një patrullë polici u paraqit në një lokal në rrugën e “Durrësit”, ku fillimisht u hodhën dyshime se ndodhej i ulur ish-presidenti i ekipit të “Partizani”. Pas identifikimit punonjës policie u futën në ambientet e brendshme të lokalit, duke i vënë prangat. Mësohet se Paro Laçi nuk kishte bërë asnjë rezistencë dhe u mbajt i prangosur në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku iu nënshtrua marrjes në pyetej nga ana e punonjësve të policisë. Ndërkohë që u konfirmua fakti se arrestimi i tij ishte në kuadër të ekstradimit për në Itali, ku ndaj tij është dhënë një masë dënimi në mungesë. Por Laçi është i njohur edhe për problemet me drejtësinë shqiptare. Fillimisht ai ka qenë në një procedim gjyqësore për akuzën e trukimit të ndeshjeve, por në fund Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm. Në momentin që dosja vajti në Apel, u vendos ndryshimi i vendimit duke u dhënë ndaj tij masa e sigurisë arrest shtëpi, kjo e fundit pas pranimit nga vetë Laçi për ekstradim në Itali. Por i pandehuri nuk u gjet asnjëherë në banesë dhe policia e shpalli në kërkim. Kjo masë ka ardhur sepse Interpol Roma-Itali ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar pasi Gjykata e Milanos me Vendim të saj të datës 09.04.2011 e ka dënuar Paro Destan Laçi, me 10 vjet e 6 muaj burg për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikim të lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 73, 80, të nenit 309/90 të Ligjit Italian për Drogat.
Lezhë
Arrestohet bashkëpunëtori i Ilir Kupës, e strehoi në shtëpi pas arratisë
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një person, i cili dyshohet se ka ndihmuar 27-vjeçarin Ilir Kupa të strehohej, pas arratisjes nga burgu i Trikalas në Greqi. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Agron Picaku, i cili dyshohet se ka bërë të mundur edhe transportimin e Kupës në Tiranë, ku ai jetonte në një banesë me qera. I shumëkërkuari Ilir Kupa u arrestua pak ditë më parë gjatë një operacioni policor tek mbikalimi i Kasharit, në periferi të Tiranës. Sipas policisë, ka qenë mbikëqyrja e lëvizjeve të bashkëshortes së Kupës, që ka çuar në zbulimin e vendit ku ai fshihej pas arratisjes. Burime policore sqarojnë se policia greke ka monitoruar për një kohë të gjatë lëvizjet e bashkëshortes së të arratisurit dhe në momentin që kjo e fundit është futur në Shqipëri, është vënë në dijeni policia shqiptare. Ditën e arrestimit, uniformat blu janë sinjalizuar për një makinë në një rrugë dytësore të Kasharit ku ka ndodhur arrestimi, nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Në makinë kanë qenë tre persona, dy prej të cilëve kanë arritur të largohen, ndërsa Ilir Kupa nuk ka mundur t’ia mbathë. Në makinën e tij u gjetën dhe sekuestruan armë dhe maska. Kupa është cilësuar si një nga personat më të rrezikshëm në Greqi, ku pas arratisjes figuron se është dënuar me 64 vite burg. Ndërkohë, edhe policia shqiptare ka hedhur dyshime se Kupa mund të ketë lidhje edhe me pesë vrasje, dy prej të cilave të kryera në Shqipëri dhe tre të kryera jashtë, por për asnjërën prej tyre nuk ka fakte të dokumentuara. Ndonëse mbërritjes së kërkesës për ekstradim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë helene, Kupa do të qëndrojë në vendin tonë deri në përfundim të procesit hetimore dhe dhënies së vendimit të dënimit për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Vetë Ilir Kupa ka kërkuar që shteti shqiptar të hetojë për vrasjen e tre shokëve të tij, duke mohuar çdo akuzë.
Shkodër
Organizuan udhëtimin ilegal, pranga 3 personave
Policia ka vënë në pranga tre persona të cilët akuzohen si organizatorët e udhëtimit drejt Gjermanisë të 52 personave që u kthyen dje në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Sipas policisë, dyshohet se qëllimi i këtyre personave ishte kalimi drejt Gjermanisë për të kërkuar azil. Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit: Edmond Hyseni nga Shkodra, Shkëlqim Fetaj nga Deçani dhe Besim Turkaj nga Istogu i Kosovës, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve. Një ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit u ndalua një autobus me 52 pasagjerë. Dyshimi i policisë se kishin të bënin me një kalim të paligjshëm, mori shkas pas kontrollit të dokumentacionit të pasagjerëve të autobusit. Nga kontrolli i bërë rezultoi se gjithë personat në autobus, edhe pse nuk kishin lidhje familjare me njëri-tjetrin, kishin të njëjtin destinacion dhe ishin ftuar nga i njëjti person. Po ashtu, vetë udhëtarët të pyetur për udhëtimin dhe ku do të shkonin, nuk kishin informacion të saktë për udhëtimin e tyre.
Kapshticë
Sekuestrohet 40 kg hashash, destinacion Greqia
Policia kufitare e Kapshticës ka sekuestruar mbrëmjen e djeshme një sasi prej 40 kg hashash që kishte destinacion shtetin fqinj, Greqinë. Sipas informacioneve nga pika kufitare, lënda narkotike ishte fshehur në gomën rezervë të një kamioni me targë AA141BI që po udhëtonte drejt Greqisë. Droga është zbuluar nga policia në një kontroll rutinë, ndërkohë që ka shoqëruar drejtuesin e kamionit ku u sekuestrua hashashi.
Greqi
Vrasja e 2 anëtarëve të “Agimit të Artë”, dyshohet 1 shqiptar
Një shqiptar dhe dy shtetas grekë janë të dyshuarit kryesorë të policisë greke për vrasjen e dy anëtarëve të “Agimit të Artë” në Iraklio. Gazeta greke “To Vima” shkruan se këta tre persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e dy anëtarëve të “Agimit të Artë” para zyrës së kësaj partie në Athinë më 1 nëntor 2013. Sipas gazetës greke tre të dyshuarit kanë qenë të akuzuar edhe për vepra të tjera penale, si grabitje me armë, vrasje të mbetur në tentativë. Oficerët e policisë kanë grumbulluar dëshmi të konsiderueshme për përfshirjen e tre të dyshuarve nëpërmjet përgjimit të telefonave nëpërmjet sistemit të Shërbimit Kundër Terrorizmit. Sipas gazetës, policia dhe anti terrori grek kanë analizuar edhe filmimet nga kamerat e sigurisë, ku duken lëvizjet e personave që kanë kryer vrasjen e dy anëtarëve të “Agimit të Artë”.




