Rama “vjedh” idenë e koncesionit me 1 euro, të cilën PS e akuzoi si antishqiptare

Ervin Kaduku

– Çfarë u premtoi kryeministri investitorëve potencialë italianë dhe pse në gojën e tij kjo tingëllon një mashtrim?!

 – Tani na del që kjo nismë, jo vetëm paska qenë e mirë, por Rama do ta çojë edhe më tej. Të paktën të falënderonte Berishën dhe të kërkonte falje për populizmin ”dylekësh” që përdori në fushatë, si dhe para saj…

 

largea_qeveria1389192997Kryeministri Edi Rama çuditi pak italianët e mbledhur dy ditë më parë në Milano, duke u premtuar dhënien e objekteve shtetërore në përdorim për një euro. Ata kanë dëgjuar edhe më parë oferta të tilla, jo vetëm nga shqiptarët, por kryesisht nga vende aziatike. Por shumë më tepër habiti shqiptarët, të cilët mbajnë mend mirë sulmin që ka bërë Partia Socialiste në opozitë kundër idesë, së hedhur nga Sali Berisha dhe ekspertët e ekonomisë dhe privatizimit pranë qeverisjes së djathtë.

Oferta

Qeveria shqiptare ka dalë para përfaqësuesve të sipërmarrësve italianë në kryeqytetin e biznesit – Milano – me përpjekje të re për tërheqjen e investimeve italiane, tashmë duke rikthyer një praktikë të qeverisë së mëparshme. Projekti i qeverisë aktuale parashikon dhënien me qira 1 euro të ambienteve, kryesisht të ushtrisë, për kompani italiane. Kjo në vetvete është një tarifë simbolike, por, duke qenë se parashikon dhënien në shfrytëzim të këtyre ambienteve për të paktën 99 vite, realisht nxjerr në shitje pronat e shtetit falas, dhe nuk i jep në përdorim.

Referuar inventarizimit të deritanishëm, Ushtria Shqiptare ka në administrim rreth 1100 pasuri, një pjesë e mirë të cilave janë pranë zonave turistike.

Sipas Ramës, Shqipëria paraqet një destinacion të favorshëm për transferimin e investimeve italiane, kryesisht për bizneset që punojnë me material të porositur. Krahu i lirë i punës, regjimi fiskal dhe distanca e afërt duhet të bëjë që kompanitë italiane ta shohin vendin tonë edhe si një rrugëzgjidhje për investimet e tyre në kohë krize ekonomike.

Aktualisht, referuar të dhënave zyrtare, në vendin tonë gjenden rreth 400 kompani italiane dhe një serë sipërmarrjesh të përbashkëta italo-shqiptare.

Ideja

Programi “Shqipëria 1 euro”, nismëtare e së cilës ka qenë ish-qeveria “Berisha” duket pra do të vijojë dhe me qeverinë “Rama”.

Në fakt, “Shqipëria 1 euro” nisi me Nanon, u vazhdua nga Berisha dhe Rama, pasi e anatemoi mirë e mirë, tani ka kuptuar se p.sh. fasoni italian ka punësuar më shumë njerëz se ç’punëson shteti shqiptar, rreth 160 mijë vetëm në tekstile e këpucë.

Por, në opozitë, kjo ide është sulmuar shumë ashpër nga PS-ja. Ja dokumenti ku Erion Braçe madje ka kërkuar nga Kryeministri Berisha një interpelancë vetëm për këtë çështje.

Pas dhënies së përgjigjeve të kreut të ekzekutivit, deputeti i PS-së u ndal në gjashtë fusha, për të cilat akuzoi qeverinë për afera korruptive, ku përmendeshin nafta, kromi, “Shqipëria 1 euro”, ari, komunikimet elektronike dhe asetet e trashëguara.

Qasja e gabuar

Duket se me zigzaget e politikës së tij ekonomike Kryeministri Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shprehur një nivel tejet amatoresk qasjeje ndaj joshjes së investimeve të huaja drejt vendit tonë, edhe në rastin e takimit të tij me biznesin italian në Milano.

Strukturat industriale të çdo shteti kanë karakteristikat e tyre specifike, pika të forta dhe dobësi. Oferta në fakt duhet t’u adresohet qartë dhe specifikisht dobësive, me zgjidhje konkrete të propozuara. Industria e vogël dhe e mesme italiane, p.sh., ka një seri dobësish, që i ulin ndjeshëm aftësinë konkurruese në treg. Ndër to, më kryesoret janë kostoja e lartë e punës dhe presioni i lartë fiskal mbi të ardhurat.

Në këtë kontekst, një personalitet si kryeministri, në një kontekst të tillë, duhej të komunikonte me forcë dhe qartësi, pikërisht zgjidhjet alternative që propozon Shqipëria për këto dy probleme madhore: kostoja e punës dhe presioni fiskal. Krahun e punës ne vazhdojmë ta kemi rreth 10 herë më të lirë sesa Italia dhe presionin fiskal rreth 4 herë më të vogël. Pa llogaritur afërsinë gjeografike dhe përdorimin e gjerë dhe masiv të gjuhës italiane, që favorizon çdo investitor. Kurse mesazhi që doli në median italiane ishte “Hajdeni se kemi ca kapanone, ua japim lirë”!

Në vetvete një qira me kosto zero, natyrshëm, është tërheqëse. Por, me të ardhur këtu, këto kapanone bosh, që janë përdorur për magazina armësh psh, do të kenë koston shtesë të investimeve, për t’i kthyer në objekte prodhimi. Shto këtu edhe mungesën në shumë raste të infrastrukturës, rrugë, ujë, energji elektrike etj – për të gjitha këto Rama nuk përmendi asnjë fjalë, por investitorët italianë i dinë këto probleme shumë mirë nga kolegët e tyre. Bizneset e dinë shumë mirë që asgjë nuk ofrohet falas dhe po u bë një gjë e tillë, ka ”bishta” nga mbrapa.

E keqja nuk është tek ideja „Shqipëria 1 euro“, por tek mungesa e koherencës dhe amatorizmi – bashkë me populizmin – i Ramës. Dikur Rama dhe të tijtë e sulmuan këtë nismë, që solli investime në Shqipëri dhe u dha vlerë gjërave që nuk kishin vlerë, si shitje të Shqipërisë. Propagandë kjo, e nxjerrë direkt nga librat e PPSH kundër një nisme thellësisht me impakt pozitiv në ekonominë shqiptare.

Tani na del që kjo nismë, jo vetëm paska qenë e mirë, por Rama do ta çojë edhe më tej. Të paktën të falënderonte Berishën dhe të kërkonte falje për populizmin ”dylekësh” që përdori në fushatë, si dhe para saj…

 

 

 

Share it :