Shoqata e Investitorëve të Huaj: Po humbisni konkurrueshmërinë

Ervin Kaduku

 –   Një treg, ku vërshuan investitorë të huaj dhe kompani të kërkimit e shpimit, rrezikon të mos jetë më interesant për investimet, sipas Shoqatës së Investitorë të Huaj në Shqipëri

–   Rishikimi i kontratave koncesionare do të frenonte investimet e reja nga jashtë

 

f.0626135814601_mPremtimet e qeverisë për sipërmarrësit e huaj janë shumë joshëse, por rrezikojnë të jenë të tilla vetëm në letër. Industria e nxjerrjes minerare nuk po përjeton periudhën e saj më të mirë. Çmimet e kromit dhe të bakrit kanë shënuar rënie në tregjet ndërkombëtare që gjatë vitit të kaluar dhe pritshmëritë e kompanive për këtë vit na paralajmërojnë eksport të kufizuar të mineralit të kromit dhe bakrit. Në bursat ndërkombëtare, çmimi i bakrit ka zbritur në 1100 dollarë për ton, ndërsa një vit më parë ishte rreth 1600 dollarë. Për kromin, sipas bursës ndërkombëtare, çmimi ka zbritur 25% krahasuar me një vit më parë, në 250 dollarë për ton.

Taksat

Por, për sipërmarrjet që operojnë në Shqipëri, faktori i jashtëm është vetëm një prej faktorëve shqetësues. Investitorët e huaj ankohen për nivelin e lartë të rentës minerare dhe tarifën e lartë për sipërfaqet e kërkimit. Përjashtuar naftën, renta për mineralet e tjera nuk ka ndryshuar, por sipas investitorëve, ajo është më e lartë për shkak të aplikimit të çmimeve të referencës. Sipërmarrësit ua bënë të qartë këtë kohët e fundit edhe ministrave të qeverisë së re. Ndonëse përgjigjja nuk ishte shumë e kënaqshme për to. Gjatë konferencës që Shoqata e Investitorëve të Huaj zhvilloi kohët e fundit me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, dhe ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, kreu i Financave e pranoi situatën, e cila, sipas tij, nuk pritet të ndryshojë të paktën edhe këtë vit.

“Ju thatë që renta minerare është 2% – 6% por që praktikisht arrin 15%, pasi ne po përdorim çmimet e referencës. Sistemi është i bazuar në çmimet e referencës, nuk mund ta ndryshoj këtë të paktën për këtë vit. Premtimi ynë është që vitin tjetër nuk do të ketë më çmime reference”, sipas Shkëlqim Canit.

Respektimi i koncesioneve

Një faktor i tjetër që ka stepur sektorin është rishikimi i kontratave koncesionare. Në mënyrë direkte, sipas përfaqësuesve të kompanive koncesionare në vend, plani i qeverisë rrezikon të prekë vetëm ato subjekte për të cilat “çalojnë” kontratat që në momentin e hartimit të tyre. Më në shënjestër janë kompanitë që po operojnë aktualisht dhe nuk kanë respektuar detyrimet në kontratë. Fjala është këtu si për detyrimet financiare nga qeveria, edhe për detyrimet e sigurisë teknike në punë.

Edhe në takimin e fundit me investitorët e huaj, ministri i Energjisë konfirmoi planin e tij për të reformuar sektorin minerar, duke u nisur nga koncesionet. Sipas tij, “nevojitet i njëjti regjim për të gjitha koncesionet”. Për specialistët e ekonomisë, plani për të riparë koncesionet, mund të jetë në ndihmë të përmirësimit të punës së kompanive që po operojnë aktualisht në vend, por ata theksojnë se rishikimi i kontratave koncesionare do të frenonte investimet e reja nga jashtë. “Kompanitë që aktualisht kanë interes mund të ndalen për të parë zhvillimet në vend dhe rrezikojnë të vlerësojnë të pafavorshme klimën e investimeve në Shqipëri”, – thonë ata.

Hidrokarburet

Në sektorin e naftës, thembra e Akilit mbetet “Albpetroli”. Privatizimi i munguar i kompanisë vë në pikëpyetje edhe aktivitetin e nënkontraktorëve. Ekonomistët vlerësojnë se vendi po humbet nga problemet financiare të kësaj kompanie, pasi jo vetëm nuk po gjeneron të ardhura, por po i kushton gjithnjë e më tepër buxhetit të shtetit. Si kundërpërgjigje të kësaj, ministri i Energjisë dhe Industrisë ka pohuar se do të punohet për t’i dhënë një zgjidhje “Albpetrolit” në perspektivë. Por deri atëherë, dhe jo vetëm për këtë, pikëpyetjet mbeten të mëdha.

AKBN: Subjektet minerare nuk dorëzojnë informacionin 3-mujor

Të paktën 250 subjekte të licencuar për aktivitet ekonomik në sektorin minerar me licenca nuk kanë dorëzuar ende në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, (AKBN) informacionet 3-mujore për veprimtarinë minerare të realizuar. Sipas ligjit “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” për të gjitha subjektet minerare, që ushtrojnë aktivitet prodhues në grupin e mineraleve, metalore, jometalore, qymyret, bitumet, shfrytëzimin me karrierë për mineralet ndërtimore, informacionet 3-mujore janë të detyruar t’i dorëzojnë në AKBN jo më vonë se data 15 e muajit që vijon për çdo tremujor. AKBN njofton se për çdo shkelje do të zbatohet legjislacioni për aplikimin e gjobave për çdo kundërvajtje, ku vlera e masës administrative për çdo shkelje të afatit shkon deri në 290 mijë USD.

 

 

 

Share it :