Një ditë pas ngjarjes / Zjarri në burg i qëllimshëm, kamerat identifikojnë zjarrvënësit

Sonja Caka

Prokuroria e Kavajës nis hetimet, Muçelliu dhe Gjoka nën akuzë për zjarrvënien

I vunë flakën dyshekut dhe rrezikuan mbi 100 të paraburgosur

Siguria në burg, transferohen 79 të paraburgosur në burgun e Peqinit

 

zjarri ne burgZjarri në burgun e sigurisë së zakonshme në Rrogozhinë ka qenë i qëllimshëm. Ky ka qenë rezultati paraprak i hetimeve të policisë, ndërkohë që janë zbuluar edhe dy zjarrvënësit, Jurgen Muçelliu dhe Ledion Gjoka, dy të rinj nga Fieri të akuzuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “vjedhje”. Kanë qenë kamerat e sigurisë së burgut që kanë hedhur dritë mbi zjarrin që rrezikoi seriozisht jetën e të gjithë të paraburgosurve të tjerë, ndërsa dy prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje më kritike por jashtë rrezikut për jetën. Tashmë, grupi hetimor po vijon hetimet duke marrë në pyetje dy të rinjtë, pasi dyshohet se zjarrvënia në sektorin e paraburgimit ka pasur një tjetër qëllim, atë të një plani arratisjeje. Ky dyshim mbetet për t’u hetuar në vijimësi, ndërsa rreth 78 të paraburgosur dje u transferuar në burgun e Peqinit derisa të normalizohet situata në sektorin e përfshirë nga zjarri.

Hetimi

Jurgen Muçelliu, 19 vjeç, i arrestuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje” dhe Ledion Gjoka, 23 vjeç i arrestuar për “vjedhje”, të dy nga Fieri, janë të paraburgosurit-shkaktarë që dyshohen se i vunë flakën burgut të Rrogozhinës. Aludohet se zjarri është vënë në shenjë proteste për kushtet e këqija në të cilat po jetonin dhe pasi askush nuk i ka dëgjuar ankesat e tyre, dhe për këtë arsye dy të paraburgosurit u kanë vënë flakën dyshekëve të qelisë me një leckë të cilën e ndezën me çakmak. Kjo është konstatuar dje pasi verifikimit që grupi hetimor u ka vërë pamjeve të kamerave të sigurisë. Hetimet i kanë kaluar prokurorisë së Kavajës dhe dy të paraburgosurit do të hetohen për “shkatërrimin e pronës me zjarr” në bashkëpunim. Skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgut, ku shihet qartë që ata kanë ndezur një leckë dhe më pas i kanë vënë zjarrin dyshekut. Të njëjtat burime policore nuk kanë përjashtuar se kjo do të ishte një tentativë arratisje, ku duke përfituar nga rrëmuja e krijuar ata do të arrinin t’i shpëtonin gardianëve të burgut. Të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës së bashku me pamjet filmike, ndërsa dëshmia e dy të rinjve pritet të zbardhë mjaft detaje nga kjo ngjarje e cila rrezikoi seriozisht jetën e më shumë se 100 të burgosurve.

Reagimi

Një ditë pas ngjarjes reagoi edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Përmes një deklarate për shtyp, zyrtarisht bëhet me dije se dy netë më parë, rreth orës 20:35, në IEVPenale Rrogozhinë në godinën 3 të Paraburgimit, sektori 3, dhoma 1, është konstatuar një vatër zjarri. “Menjëherë nga shërbimet e sigurisë së institucionit janë marrë masat për neutralizimin zjarrit, si dhe garantimin e jetës së personave të paraburgosur. Në të njëjtën, kohë është bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, Shërbimin e Zjarrfikësve, Prokurorinë e rrethit gjyqësor Kavajë për të mbajtur nën kontroll situatën dhe garantuar elementet e sigurisë në këtë institucion. Po dje, është bërë i mundur dërgimi në spitalin e Kavajës i 21 personave të lënduar nga zjarri, kryesisht të asfiksuar nga tymi, ndër të cilët një i paraburgosur është dërguar për trajtim të specializuar në Tiranë dhe një tjetër në Spitalin Rajonal të Durrësit. Shtetasit e paraburgosur, që kishin nevojë për trajtim mjekësor, janë shoqëruar në spital nën masa të rrepta sigurie dhe është ndjekur hap pas hapi gjendja e tyre shëndetësore. Veprimet paraprake hetimore proceduriale janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aktualisht, po punohet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit. Gjendja në IEVP Rrogozhinë është nën kontroll dhe në standardet e kërkuara të sigurisë. Nga ana e institucionit janë marrë masat për zhvillimin normal të aktiviteteve në IEVP Rrogozhinë, si dhe për të informuar familjarët e personave të paraburgosur. Me qëllim krijimin e kushteve optimale në sektorin e paraburgimit Rrogozhinë, 78 të paraburgosur janë transferuar përkohësisht në IEVP Peqin”.

Të dëmtuarit

Nga tymi u asfiksuan 21 prej të paraburgosurve që ndodheshin në tre qelitë. Menjëherë pas ngjarjes, 11 prej tyre kane marrë mjekim në spitalin e Rrogozhinës, 9 në Kavaje dhe një në Durrës. Pas marrjes së ndihmës së parë, tre nga të asfiksuarit, në orët e vona të dy netëve më parë, u dërguan për ndihmë të specializuar mjekësore në repartin e Djegie plastikës në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, në QSUT ndodhen 50-vjeçari Arjan Habibaj nga Fieri, Ilir Ndoni 26 vjeç, si edhe një 25-vjeçar i dënuar i cili nuk është regjistruar për shkak të qëndrimit të pakët të tij, pasi nuk kishte dëmtime serioze. Në spitalin e Rrogozhinës janë trajtuar me ndihmën e parë, dhe më pas janë larguar 20 të dënuar, ndërsa në spitalin e Kavajës, deri në mesditën e djeshme vijonin të trajtoheshin me mjekim 17 të burgosur.

I dëmtuari Habibaj, pritej të lirohej pas dy javësh

Zjarri i vënë nga dy të rinjtë e paraburgosur nga Fieri ka rënë në qelinë e të dëmtuarit më rëndë, Arian Habibaj nga Fieri, i cili pritej të lirohej më 14 shkurt të këtij viti pasi përfundonte dënimin. Sipas burimeve, dyshohet se zjarri ka rënë në dyshekun e tij dhe më pas është shpërndarë në mënyrë të menjëhershme. Pamjet filmike tregojnë se cigarja e ndezur është lënë qëllimisht nga Muçelliu dhe Gjoka, të cilët janë marrë nën hetim për veprimet e kryera.

Avokati i Popullit në burgun e Rrogozhinës, inspekton situatën pas zjarrit

Pas zjarrit që përfshiu institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, një ekip i Avokatit të Popullit ka shkuar në burg për të monitoruar nga afër situatën. Ekipi i Avokatit të Popullit, që përbëhet nga ekspertë të mekanizmit të parandalimit të torturës do të monitorojë situatën e të paraburgosurve dhe të të burgosurve në IEPV Rrogozhinë , sikundër do të vizitojë edhe të dënuarit që po marrin mjekim në spitalin e Kavajës, pas asfiksimit nga zjarri i dy netëve më parë.

 

Share it :