“Ne kemi akoma edhe 27% të punonjësve tanë me nivel të ulët formimi. Kemi akoma me kurse 6-mujore dhe me arsim 8-vjeçar, që janë në prag pensioni
Rreth 27% e infermierëve në vendin tonë nuk kanë nivelin e duhur profesional, ndërkohë që shumica e tyre janë me kurse 6-mujore. Kjo kritikë vjen nga kryetari i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, i cili shprehet se situata paraqitet me problematike me infermierët e urgjencave. Ndërkohë, për abuzimet me detyrën dhe shkeljet e Kodit të Etikës renditen të parët infermierët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. ”Ne kemi shumë probleme me nivelin profesional, me aftësitë dhe njohuritë profesionale, me shprehitë dhe shkathtësitë tona për të pritur dhe për të dhënë ndihmën e parë. Ne kemi akoma edhe 27% të punonjësve tanë me nivel të ulët formimi. Është për të mos thënë, por kemi akoma me kurse 6-mujore, dhe me arsim 8-vjeçar, që janë në prag pensioni. Edhe në shërbimin shëndetësor nga mbikëqyrjet tona është arritur në konkluzionin se infermierët e mjekut edhe të familjes janë kthyer në sekretare nuk merren fare me pacientin, me sëmundjen e tij, me kurimin e tij shëndetësor dhe me ndjekjen e tij në vazhdimësi. Në disa ambulanca fshatrash nga mbikëqyrja jonë kemi vënë re edhe braktisje të punës”, – tha Sabri Skënderi, kryetar i Urdhrit të Infermierit. Ndërsa zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi, u shpreh se pavarësisht se raportin infermier – pacient e kemi në nivele të kënaqshme me vendet evropiane, kemi probleme me shpërndarjen e punës. Infermierët, sipas saj, bëjnë shumë punë gjatë ditës dhe kjo sjell ulje të nivelit të shërbimit.
Infermierët
Provimi i shtetit ka treguar se infermierët e ardhshëm do të kenë një nivel të dobët. Rreth 30% e studentëve që kanë mbaruar në degën e infermierisë (publik dhe privat) kanë qenë ngelës në provimet e shtetit. Pjesa tjetër rreth 45% kanë qenë në nivele të dobëta dhe nga 100 pikë që kishte provimi kanë grumbulluar 50-65 (pikë të mjaftueshme për të qenë kalues). Vetëm 25% e infermierëve që kanë dhënë këtë provim kanë treguar aftësi, në ushtrimin e profesionit. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Provimeve tregojnë se pjesa më e madhe e infermierëve ngelës, vijnë nga universitet private. Në vendin tonë ka rreth 13 universitete apo shkolla të larta të cilat ofrojnë për studim degën e infermierisë. Specialistët e shëndetësisë shprehen se duhen marrë masa për kufizimin e numrit të studentëve që studiojnë në privat ose të mos njihen të gjitha diplomat që ofrohen nga shkollat private.
Kontrata
E largojnë nga puna, mësuesja vjedh regjistrat e shkollës
Një mësuese në shkollën 9-vjeçare të fshatit Tozhan në Berat, pas largimit të saj nga puna, ka menduar të vetëhakmerret, duke vjedhur 2 regjistra të kësaj shkolle. 36-vjeçarja Margarita Zenuni ishte mësuese me kontratë në këtë shkollë dhe jepte mësim në ciklin e ulët, por pas përfundimit të kontratës, Drejtoria e Arsimit nuk e ka rinovuar kontratën, për arsye se dega Histori-Gjeografi që ajo kishte mbaruar nuk përshtatej me lëndët që jepte në ciklin e ulët. Pas konstatimit të mungesës së regjistrave në shkollë, drejtoria e shkollës, por edhe Drejtoria Arsimore kanë bërë denoncim në polici, ku pas hetimeve të kryera ka rezultuar se ka qenë pikërisht mësuesja Margarita Zenuni ajo që i kishte vjedhur. Pas verifikimeve, policia e Beratit ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për mësuesen Margarita Zenini.
Raporti
Kriza e arsimit godet të varfrit, 57 mln njerëz nuk shkojnë në shkollë
Duhen më shumë se 70 vjet që të gjithë fëmijët të kenë qasje në shkollën fillore, thotë një raport nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore. Udhëheqësit botërorë kanë premtuar se kjo do të arrihet deri në vitin 2015. Raporti thotë se 57 milionë persona nuk shkojnë në shkollë dhe në nivelin aktual do të jetë 2086-ta, viti i qasjes së vajzave të varfra të Afrikës rurale. Autorja e raportit Pauline Rose, i përshkruan këto si “shifra tronditëse”. Mungesa e arsimimit për të gjithë dhe e cilësisë së dobët të shumë shkollave në vendet e varfra është përshkruar si një “krizë globale e të mësuarit”. Vajzat kanë më shumë gjasa për të mos shkuar në shkollë, sesa djemtë dhe kjo është më e theksuar në mesin e familjeve rurale. Me nivelet aktuale të progresit s’do të mund të arrihet deri në shekullin e ardhshëm, 2111, që vajzat e varfra në të gjitha vendet të ndjekin shkollën e mesme. Janë 130 milionë fëmijë të cilët mbeten analfabete pavarësisht që kanë qenë në shkollë. Në vendet e varfra, një në katër të rinj nuk është në gjendje për të lexuar një fjali të vetme. Numri i mësuesve do të duhet të rritet, me një shtesë prej 1.6 milionë për të siguruar vende të mjaftueshme në shkolla fillore. Raporti thotë se për të arritur qëllimin e arsimit fillor universal do të kërkohet një shtesë 26 miliardë dollarë në vit. “Por ndihma për arsimin ka rënë në një normë më të madhe se buxhetet e përgjithshme të ndihmës”, – thotë raporti. Raporti thotë se qëllimet e ardhshme duhet të përfshijnë vetëdijen e cilësisë së arsimit dhe të mësimdhënies.




