Ervin Kaduku
Banka qendrore shpreson që borxhet e biznesit që do të shlyhen do të ndihmojnë në përmirësimin e aftësisë së bizneseve për të tërhequr kredi në banka
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës deklaroi dje se viti që kaluam ishte mjaft i vështirë për ekonominë shqiptare, ndërsa lajmëroi një frymëmarrje të lehtë për vitin 2014, por që duhet të mbështetet nga një sërë masash, duke përfshirë këtu edhe korrektimin e borxhit.
Duke bërë një analizë të përgjithshme të situatës ekonomike të vendit, tha se injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit do të krijojë kushte për ruajtjen e inflacionit në periudhën afatmesme.
Në pasqyrën e çështjeve ekonomike, guvernatori tha se viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonomikë, ku kërkesa agregate ishte e ulët, inflacioni u mbajt të nivel të ulët, ndërsa deficiti dhe borxhi publik ishte në nivel të lartë. Sipas tij, mjedisi ekonomik ishte i pafavorshëm, ndërsa periudha zgjedhore reflektoi momente pasigurie. Kjo u reflektua në konsum të ulët dhe me kushte shtrënguese për kreditim, ndërsa niveli i borxhit publik qëndroi i lartë edhe për shkak të mungesës së stimujve.
Guvernatori Fullani tha se gjatë vitit 2013 pati edhe zhvillime pozitive, pati likuiditet, të ndihmuar edhe nga instrumentet e reja financiare. Pozitiv ishte fakti se sistemi bankar ishte solid dhe i mirëkapitalizuar, pati qëndrueshmëri të kursit të këmbimit dhe u ruajt stabiliteti makroekonomik.
Në 6-mujorin e dytë, Banka e Shqipërisë vlerësoi se pati ngadalësim të zhvillimit ekonomik, ndërsa u forcua tendenca rënëse e inflacionit. Inflacioni mesatar mujor ishte 1.5% duke qëndruar i pandryshuar, ndërsa u rrit në 1.9% në muajin dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë.
Çmimet e grupeve të tjera mbetën përgjithësisht të qëndrueshme.
Ndërsa situata makroekonomike në periudhës paszgjedhore pati ngadalësim si mungesë e stimujve fiskalë, gjë që ndikoi në uljen e konsumit dhe të turizmit. Vetëm sektori i bujqësisë njohu zhvillime pozitive. Konsumi, sipas guvernatorit Fullani, ishte në nivele të ulëta, kjo edhe për shkak të rënies së të ardhurave. Banka vërejti se familjet shqiptare kanë ruajtur sjellje të kujdesshme ndaj konsumit.
Sipas guvernatorit, edhe investimet në 6-mujorin e dytë patën tendencë rënëse, kjo është reflektuar edhe në kërkesën finale dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit.
Sipas guvernatorit, BSH ka mbështetur masat për reduktimin e borxhit në periudhën afatmesme, por përsëriti rishikimin e borxhit në afatgjatë. Sipas tij, zhvillimet në sektorin e jashtëm, treguan ecuri të dobët, reduktimi i deficitit tregtar ka qenë negativ si pasojë e rënies së të ardhurave. Në tregtinë e jashtme importet ranë me 2%, ndërsa eksportet u rritën me 12%.
Rritja e eksporteve, sipas guvernatorit, do të duhet të jetë decizive për ecurinë e ekonomisë në afatgjatë. Rritja e konkurrueshmërisë duhet të jetë në themel.
Kërkesa e ulët për konsum dhe politikat konservatore kanë ndikuar në uljen e treguesve.
Sipas guvernatorit, dinamika monetare ka ndikuar në nivelin e ulët të inflacionit, në rritjen e lehtë të pagave dhe mbajtjen e papunësisë në nivel të pandryshuar.
Në të njëjtën kohë inflacioni i importuar ka qenë në rënie, kjo edhe falë kursit të qëndrueshëm.
Guvernatori Fullani tha se BSH e uli në 3% normën bazë të interesit gjatë vitit 2013 dhe me politika mbështetëse, ndihmoi në reduktimin e normave në tregjet ndërbankare, për depozitat dhe për kreditë në lekë, por kjo e fundit nuk është reflektuar plotësisht nga ana e bankave.
Skenari bazë i BSH flet për përmirësim të lehtë të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm, eksporte më të larta dhe konsum më i rritur, ruajtje e stabilitetit ekonomik, ndërsa borxhet e biznesit që do të shlyhen do të ndihmojnë në përmirësimin e aftësisë së bizneseve për të tërhequr kredi në banka.
Sipas Fullanit, korrektimi i borxhit është një domosdoshmëri.
Në përfundim, Këshilli vendosi të mbante të pandryshuar normën bazë të interesit në 3%.




