Florenc Drizari
“Akuzat ndaj institucioneve si Prokuroria, SHISH apo dhe ndaj opozitës, një tjetër tregues shqetësues i daljes jashtë kontrollit të situatës”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, informoi trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri lidhur me shqetësimet e opozitës për situatën e rendit publik, atë ekonomike si dhe për mungesën e gjetjes së një konsensusi me mazhorancën për reformën administrativo-territoriale. Një ditë më parë, kreu i PD-së shtroi një mëngjes pune me ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së, takim në të cilin morën pjesë edhe disa deputetë demokratë. Takimi i kryetarit të Partisë Demokratike me diplomatët e huaj në Shqipëri, vjen një ditë pas mbledhjes së Kuvendit të Shqipërisë në seancë plenare, mbledhje në të cilën pritet të votohet edhe projektvendimi “Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë, ngritur me vendimin nr. 1/2014”.
Ndërkaq, gjatë takimit që pati të mërkurën me diplomatët, Basha i njohu ata me shqetësimet e opozitës lidhur me situatën e fundit politike dhe shoqërore në vend, duke vënë theksin tek çështja e manipulimit në të dhënat serverit qendror në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Taksave. Këtë akt Basha e quajti të paprecedent dhe në shkelje të ligjit. Ai tha se kjo krijon pasigurinë tek biznesi, investitorët, dhe qytetarët. Investimi antikushtetues i mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e opozitës për një komision hetimor parlamentar në lidhje me këtë mega-skandal është dëshmi e përpjekjes së krerëve të mazhorancës për të fshehur të vërtetën. “Shqetësimi ynë kryesor por edhe i taksapaguesve dhe biznesit që gjenden sot përballë një presioni kriminal, mbetet se çfarë ka ndodhur me këto të dhëna, kush i ka marrë, ku gjenden, dhe si po përdoren ato”, – tha Basha. Kryetari i Partisë Demokratike tha se zbardhja e kësaj ngjarjeje dhe vënia para përgjegjësisë e autorëve është një domosdoshmëri akute për rivendosjen e rendit ligjor, garancive që ligji ju jep qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre konfidenciale dhe për klimën e biznesit në vend.
Një tjetër shqetësim i shprehur në këtë takim nga kryetari i Partisë Demokratike ishte dhe situata e rëndë e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend. Situata alarmante, është pasojë e drejtpërdrejtë e zhbërjes së strukturave të rëndësishme të ndërtuara ndër vite me kontributin e çmuar të BE-së dhe SHBA-së, shkarkimeve masive të profesionistëve dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiakë, emërimet në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit dhe rikthimi në polici i personave të larguar për lidhjet e tyre me krimin në të kaluarën, theksoi kryetari Basha. Ai shtoi se fushata e fundit e shfajësimeve, justifikimeve dhe akuzave të pabaza ndaj institucioneve të tjera si Prokuroria, SHISH apo dhe ndaj opozitës është një tjetër tregues shqetësues i daljes jashtë kontrollit të situatës dhe mungesës së një vizioni apo strategjie për ta rikthyer atë nën kontroll nga ana e ekzekutivit dhe autoriteteve të ministrisë së brendshme. Në këtë kuadër ambasadorët u njohën mbi iniciativën e grupit parlamentar demokrat për të ndërmarrë një hetim parlamentar mbi shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë degradim të frikshëm të situatës së kriminalitetit në vend me qëllim identifikimin e prioritete dhe hapave për të dalë nga kjo situatë. Në lidhje me reformën territoriale, Basha rikonfirmoi para ambasadorëve qëndrimin e opozitës se ky hap i rëndësishëm për vendin që ka efekte të drejtpërdrejta edhe në reformën elektorale dhe konsolidimin e demokracisë vendore, duhet bërë vetëm me rivendosjen e konsensusit pozitë-opozitë. Kryetari i Partisë Demokratike rikujtoi se me shkeljet e përsëritura të konsensusit, dhe angazhimit për të respektuar institucionet e pavarura, siç është rasti i ligjit të Nëpunësit Civil dhe qëndrimi ndaj AMA-s dhe ILDKP-së, qeveria tregoi se nuk u përmbahet zotimeve të saj, edhe kur këto zotime janë votuar në parlament, dhe janë dëshmuar edhe para Brukselit, siç është rezoluta e përbashkët pozitë-opozitë për integrimin evropian të vendit. “Kjo ka sjellë një krizë të thellë besimi jo vetëm ne raport me opozitën por edhe me qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë”, – theksoi zoti Basha. Në përfundim të takimit Kryetari i Partisë Demokratike rikonfirmoi mbështetjen e pakushtëzuar që Partia Demokratike ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë për çdo hap që çon përpara integrimin evropian të vendit, marrjen e statusit dhe hapjen e negociatave.
Basha në kremtimin e 23-vjetorit të krijimit të PD në Lushnjë
Zgjedhjet në PD, Basha: Do të krijojmë një proces model
Basha: Themelues, nismëtarë, vazhdues, të rinj dhe të reja, së bashku të krijojnë një proces model të hapjes, analizës, ripërtëritjes së PD-së
Premtimet me të cilat kjo mazhorancë erdhi në pushtet nuk ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra e mashtrime. Kështu i ka cilësuar kreu i PD-së, Lulzim Basha, arritjet e qeverisë, krahasuar me premtimet e bëra në fushatën elektorale të 23 qershorit 2013. Duke folur nga qyteti i Lushnjës, me rastin e 23-vjetorit të themelimit të degës së PD-së, Basha ritheksoi se rritja e taksave ka çuar në mbylljen e shumë bizneseve, largimin e investitorëve të huaj. Jo vetëm që nuk është hapur asnjë vend i ri pune, tha Basha, por shumë janë mbyllur e po mbyllen çdo ditë.
“Çdo shqiptari i duhet të paguajë më shumë dhe do të paguajë akoma më shumë për shkak të barrës së rëndë fiskale, taksave të larta, të hapura apo të fshehta, dyert e bizneseve po mbyllen, investitorët e huaj kanë filluar të bëjnë lak rreth e qark vendit tonë. Mbyllen vende pune, flaken njerëz në rrugë, ky është realiteti i 4 muajve të parë të kësaj qeverisje. Numri i vrasjeve është shtuar frikshëm, numri i grabitjeve edhe më shumë, linjat e vjetra të trafikut të drogës janë riaktivizuar dhe bandat, janë rishfaqur sërish me maska dhe pa maska. Sepse shteti është frymëzuesi kryesor i kaosit dhe gjendjes së kriminalitetit në vend, një shtet që vjedh ditë për diell dhe natën për hënë, serverin e të dhënave tatimore, pasurinë më të çmuar, sekretin më të ruajtur të çdo shteti, nuk bën gjë tjetër veçse frymëzon krimin dhe kriminalitetin”, – deklaroi kreu i demokrateve.
Kryetari i PD-së është ndalur dhe në procesin e analizës dhe zgjedhjeve në parti. Në këtë proces Basha ka kërkuar analizë të vërtetë, refleksion e garë të ndershme, nga baza në qendër për të zgjedhur më të mirët që Partia Demokratike ka për të për të qenë një alternativë e gatshme ndaj pushtetit dhe forca kryesore e pushtetit nesër për të vijuar projektin e zhvillimit dhe të Shqipërisë evropiane, për të gjithë shqiptarët.
“Përmes argumentit, arsyes, transparencës dhe llogaridhënies, të evidentojnë qartë dhe saktë se çfarë është bërë gabim ku është zbehur përgjegjësia karakteristike e demokratëve, në menaxhimin e pushtetit Këtu, pa dyshim do të ketë vend që për ata që nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës dhe mandatit që u është besuar, duhet të japin gllogari para anëtarësisë. Askush nuk duhet ta ndiejë veten para një inkuizicioni por para një familje të madhe e cila është e gatshme të mësojë nga gabimet dhe të ecë përpara.
Nuk ka në këtë parti dhe nuk do të ketë kurrë asnjë demokrat të tepërt. Çdo demokrat është dhe mbetet pasuri e madhe e PD”, – deklaroi Basha.




