Takimi me investitorët e huaj Rama: Marrëveshje të veçantë fiskale për fasonët, krijojmë Këshillin e Investimeve

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Taksimi progresiv jo barrë për biznesin e madh, eliminuam taksën e korrupsionit

“Ndryshojmë modelin ekonomik të Shqipërisë, s’ka më abuzim e keqpërdorim të investimeve”

 

Rama me investitoretPërkundrejt kundërshtive dhe kritikave të sipërmarrjeve vendase e të huaja, Kryeministri Rama ka mbrojtur dje paketën fiskale, duke theksuar se përmes saj qeveria shqiptare synon jo vetëm krijimin e një klime të përshtatshme për investimet, por edhe heqjen e barrës për biznesin e madh. Në një takim me investitorët e huaj në vend, kreu i qeverisë theksoi se vendosja e sistemit të taksimit të ndershëm i vjen në ndihmë sipërmarrjes dhe zhduk, sipas tij, taksën e korrupsionit. “Sistemi i ndershëm i taksimit lehtëson barrën mbi punën dhe forcon përballueshmërinë e shoqërisë. Ne e sjellim këtë sistem, të shoqëruar me eliminimin e taksës së korrupsionit. Sipas Bankës Botërore, korrupsion është rritur me më shumë se 100%, kështu nga 10% deri në 22% të taksës mbi të ardhurat që biznesi i madh i paguante qeverisë së kaluar. Kështu që sistemi i taksimit të ndershëm nuk përbën një barrë për biznesin e madh. Në të kundërt, ai përfaqëson një inkurajim dhe siguri të qëndrueshme”, – tha Rama.

 

Paketa

Referuar sistemit të taksimit, për sa i përket industrisë fason, Kryeministri deklaroi se qeveria po punon për një marrëveshje të veçantë fiskale, në mënyrë që t’u sigurojmë atyre kushtet fiskale më të mira të mundshme. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se pas krijimit të Këshillit Kombëtar Ekonomik qeveria do të krijojë edhe Këshillin e Investimeve. “Shumë shpejt, ne do të krijojmë gjithashtu një Këshill Investimi për intensifikimin e dialogut tonë cilësor me investitorët dhe të sigurojmë qëndrueshmërinë e tij. Ky Këshill duhet që në një kohë të shkurtër të asistojë dhe të bashkëpunojë me qeverinë për zhbërjen e procedurave të paqëndrueshme, procedurave të tejzgjatura, monopoleve dhe korrupsionit në mënyrën e të bërit biznes dhe investimit të Shqipëri”, – tha ai. Më tej, kreu i qeverisë pohoi se mazhoranca ka synim kryesore ndryshimin e modelit ekonomik të Shqipërisë, pasi sipas tij, modeli aktual ka prodhuar përçarje sociale duke lejuar abuzimin me burimet e vendit dhe keqpërdorimin e potencialit për tërheqjen e investimeve të huaja ne vend. “Model i ri mbështetet shumë në përdorimin e frytshëm të këtij potenciali. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ynë në këtë çështje bëhet më i rëndësishëm. Është jetësor. Megjithatë, në mënyrë që të arrijmë këtë, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes së vendit. Dhe shpresoj që ju ta keni vënë re ndryshimin”. Sipas Ramës, taksa 22% mbi të ardhurat ndaj bizneseve, ku theksoi ai, 12% e të cilës ishte një barrë e fshehtë, ishte një reflektim i qeverisjes që tjetër thoshte e tjetër bënte. “Gjë që nuk do të ekzistojë më sot! Ne i shpallim qëllimet tona. Ne jemi të qartë lidhur me politikat tona. Ne jemi të jemi të hapur për të diskutuar mbi politikat tona dhe zbatimin e tyre, sipas atyre që kemi deklaruar”, – deklaroi Kryeministri Rama.

 

 

Kartolina e shoqatës

Batuta e Ramës: Kjo u jepet çdo vit të gjithë kryeministrave, vitin tjetër të jetë më pak rozë

 Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) zgjodhi dje t’ia jepte kartolinën e parë të saj të urimit për vitin 2014, Kryeministri Edi Rama, si vlerësim për përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit. “Me rastin e shkëmbimit tradicional të shkëmbimit të urimeve për një vit të suksesshëm midis Shoqatës së Investitorëve të Huaj dhe qeverisë shqiptare, Shoqata shpreh vlerësimin më të madh për qeverinë shqiptare dhe për përpjekjen që bëhen për përmirësimin e klimës së biznesit. Shoqata jonë shpreh angazhimin për rritjen e përpjekjeve tona për rritjen e të gjitha investimeve të investitorëve që operojnë në tregun shqiptar”. Këtë mesazh përfaqësuesi i FIAA-s ia drejtoi Kryeministrit që ai ta lexonte vetë e në këtë kontekst Rama iu përgjigj me një batutë drejtuesve të Shoqatës duke pohuar: “I sigurt që teksti është gjithmonë i njëjtë për çdo kryeministër. Shpresoj që kartolina tjetër me urime do të jetë më pak rozë, në qoftë se ne vërtetë do ta meritojmë që të kritikohemi, por, nga ana tjetër, le të jetë me të njëjtat fjalë, në qoftë se ne do të kemi vepruar mirë dhe do meritojmë të komplimentohemi për punën që kemi bërë. Besoj që ne do të kemi këtë të dytën, që të meritojmë një kartolinë të tillë, me të gjitha këto urime dhe komplimente që më bëhen”

 

 

Zv.kryeministri

Peleshi me Salovaara: Finlanda mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti dje në një takim drejtorin për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Finlandës, Jukka Salovaara, ku në qendër të bisedës ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe tek hapat konkrete që duhen ndërmarrë për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Zëvendëskryeministri i shprehu Salovaaras mirënjohjen për mbështetjen që Finlanda ka dhënë për integrimin e Shqipërisë, por edhe shpresën se Finlanda do të mbështesë marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në muajin qershor, si një hap që do të kishte ndikim pozitiv për Shqipërinë, por edhe mbarë rajonin. Ai e njohu Salovaaran me hapat konkrete që ka marrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, për vendosjen e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e situatës ekonomike e klimës së biznesit si një domosdoshmëri për tërheqjen e investimeve të huaja dhe shfrytëzimin e potencialeve të Shqipërisë në fushën e turizmit, energjisë, bujqësisë etj. “Qeveria shqiptare i sheh reformat modernizuese dhe europianizimin e vendit jo thjesht si kushte që duhen plotësuar në rrugën e integrimit, por si rrugën e vetme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë”. Në këtë kontekst, ai theksoi edhe vullnetin e qeverisë shqiptare dhe mazhorancës për të kërkuar bashkëpunimin me opozitën dhe gjetjen e gjuhës së bashkëpunimit e konsensusit për reformat e mëdha që kërkon vendi. Nga ana e tij, Salovaara u shpreh se qeveria finlandeze i vlerëson zhvillimet pozitive në Shqipëri dhe garantoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se Finlanda e sheh zgjerimin e Bashkimit Evropian si një nga instrumentet më efikasë për garantimin e stabilitetit dhe zhvillimit dhe u shpreh optimist për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria në muajin qershor. Ai shtoi se në Bashkimin Evropian ka një perceptim pozitiv se vendi është në rrugën e duhur për sa i përket procesit të integrimit dhe vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të ndërmarrë reformat e vështira që kërkon modernizimi dhe evropianizimi i vendit. Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, programet e asistencës teknike, por edhe shkëmbimin e vizitave zyrtare në nivel ministrash si një hap për promovimin e investimeve finlandeze në Shqipëri.

 

 INUK

Kushtetuesja rrëzon një pjesë të padisë së PD-së

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar një pjesë të kërkesë padisë së Partisë Demokratike, atë për pezullimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, që njëson kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Për pjesën tjetër të kërkesë padisë, shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë, përmes të cilit INUK-ut i jepet e drejta të prishë edhe ndërtimet me leje, kushtetuesja pritet të shprehet ditët në vijim. Ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese, duke rrëzuar vetëm një pjesë të kërkesës së padisë së demokratëve, në thelb është i njëjtë me atë për aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil, ku e njëjta trupë gjyqësore pas shqyrtimit në themel të çështjes e shpalli atë antikushtetues. Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, u shpreh besimplotë në marrjen e një vendimi të drejtë nga Gjykata Kushtetuese. Gjatë seancës opozita u shpreh se vendimi për unifikimin e kompetencave të INUK cenon të drejtën e pronës të garantuar me kushtetutë dhe autonominë vendore. Po kështu, Inspektoratit i jepen kompetencat e gjyqësori, ndërsa të dëmtuarve u hiqet e drejta për t’u ankuar në gjykatë para shkatërrimit të pronës së tyre. Por, përfaqësuesit e qeverisë i hodhën poshtë këto pretendime. Në bazë të vendit të qeverisë të miratuar në 30 shtator, INUK-u ka të drejtë të ndërhyjë në të gjithë territorin ndaj ndërtimeve pa leje dhe me leje te dhënë në kundërshtim me ligjin.

 

PD: Doganat janë reformuar, Rama merret me lagështirën

Pas inspektimeve të kryera nga Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë në disa pika doganore të vendit, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike, duke e akuzuar kreun e qeverisë për fyerje. “Pas gati një jave endjeje nëpër pika të ndryshme doganore, me fokus gjetjen e zyrave me lagështirë e të palyera, kryeministri, sikur të ishte kryebojaxhiu i vendit, finalizoi aksionin e tij me shprehjen; Sa herë përmendet emri doganier, nënkuptohet një hajdut. Kjo është fyerja më e rëndë që i është bërë ndonjëherë sistemit doganor shqiptar nga një shtetar shqiptar që nga fillesat e këtij shërbimi.”- deklaroi për mediat deputeti i kësaj partie Florion Mima.  Sipas PD-së sistemi doganor është reformuar gjatë qeverisjes së djathtë dhe situata nuk është ashtu si e opërshkruan kryeministri.  “Zoti Rama, mund të ketë edhe hajdutë mes qindra e qindra doganierëve të ndershëm. Mund të këtë edhe zyra me lagështirë e të palyera, mund të ketë edhe pajisje të vjetruara e që nuk punojnë si duhet. Por, Dogana Shqiptare nuk është kurrsesi ajo që doni të shikoni ju me syzet e zeza të sindromës së vitit 0. Kjo doganë në vitin 2005 mblidhte vetëm 60 miliardë lekë ndërsa sot mbledh mbi 160 miliardë lekë, ndonëse taksat doganore kanë ardhur vazhdimisht në ulje. Kjo doganë në vitin 2005 ishte në gjendje të mjerueshme, ndërsa sot ka ndërtuar të reja doganat e Murriqanit, Qafë-Botës, Tiranës, etj, ka rindërtuar Drejtorinë e Përgjithshme dhe po rindërton të gjitha pikat e kalimit kufitar sipas projekteve te financuara nga BE. Kjo doganë në vitin 2005 ishte vendi ku tregtarët shkonin me thasë plot me para ndërsa sot është vendi ku deklaratat dorëzohen online, pagesat kryehen online dhe ku sistemi kompjuterik i bën ndër asaj duke e renditur ndër vendet me modulet më të përparuara të IT-së. Të gjithë kontejnerët skanohen brenda disa minutave nga disa ditë që duheshin për t’u përpunuar në vitin 2005. Kjo dogane arriti të ulte shpeshtësinë e përdorimit të çmimeve të referencës nga rreth 30% në vitin 2005, në rreth 7% në vitin 2013. “- deklaroi Mima.

Share it :