Anxhela Tato
Aksioni i policisë çon pas hekurave bandën e vrasësve me pagesë
Hetimet, 3 të arrestuar dhe 2 të shpallur në kërkim, dyshimet se janë përfshirë në 2 vrasje dhe 4 atentate
Vrasje me pagesë dhe atentate me eksploziv janë krimet për të cilat dyshohet si autorë një grup i strukturuar kriminali, vënë në prangat e policisë së kryeqytetit. Ndërsa është hedhur dritë mbi zinxhirin e linjës së ndjekur për dy vrasje dhe katër raste eksplozivi, mbahet anonim identiteti i personit që vendosi të kthehej në të penduarin e drejtësisë duke rrëfyer çdo detaj për blutë. Banda e vrasësve me pagesë u dekonspirua nga shtetasi, i cili në deklaratën e policisë përmendte me emrin N. Gj. Ai ka zbuluar për prokurorët e Krimeve të Rënda skemën e gjashtë atentateve me tritol në vendin tonë, përfshirë atentatin e mbetur në tentativë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishit, apo kreut të PD-së së Vlorës, Ardian Kollozit. Në listën e të arrestuarve është emri i Julian Sinanajt, i dyshuar si vrasës me pagesë i 20 ekzekutimeve të ndodhura në Greqi. Në pranga ka rënë edhe Marion Mitro, i cili mësohet se mund të jetë porositësi i atentatit të prefektit Besnik Dervishi. Sipas të dhënave të organit të akuzës, mësohet se Marion Mitro ishte një nga personat që bënte lidhjen mes Julian Sinanajt dhe porositësve. Pasi binte dakord për paratë dhe objektivin, Marion Mitro përfitonte një pjesë të parave. Prej ditësh ai ishte në përgjim nga policia dhe dukej se e kishte zbuluar këtë. Ndërsa do të largohej nga Shqipëria nga aeroporti “Nënë Tereza”, vlonjatit i janë vënë prangat dhe i është komunikuar akuza. Rolin e sekserit e luanin edhe dy kushërinjtë, Genis dhe Andon Mëhillaj nga Vlora. Të dy janë në kërkim si ndërmjetësues të disa atentateve. “Për herë të parë Policia e Shtetit ka arritur të zhvillojë hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësit e deri te ekzekutorët e vrasjeve qoftë me armë qoftë me eksploziv. Policia e Shtetit ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal, i cili sipas të dhënave të para të hetimit dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, në një hark kohor prej rreth 2 vjetësh”, – thuhet në deklaratën për shtyp të kreut të bluve Ardian Çipa.
Hetimet
Policia ka mundur të arrestojë shtetasit Julian Sinanaj, N. Gj. dhe Marion Mitro dhe njëkohësisht të parandalojë vrasjen e një biznesmeni, e cila ishte porositur dhe ishte duke u realizuar nga personat e lartpërmendur. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur që të dështonte plani i vrasësve dhe të shpëtohej jeta e biznesmenit. Nga veprimet hetimore procedurale të kryera ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër të cilat: Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës; vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë; vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1 qershor 2013 në Vlorë; vendosje e lëndës plasëse në automjetin e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, në datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë; vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E. B. në Rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013; vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E. B. në Vlorë në datë 31 gusht 2013. Gjithçka ka nisur pak ditë më parë, me arrestimin e shtetasit J. S., 30 vjeç, nga Vlora, i cili ishte mbajtur në vëzhgim nga policia e Tiranës, pasi dyshohej ai autor i mundshëm i disa veprave të rënda penale dhe person më rrezikshmëri të lartë, pasi kishte njohuri të posaçme në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivave të telekomanduar. Ky person përveç aktivitetit kriminal në vendin tonë, dyshohet se është autor i mbi 20 vrasjeve me pagesë si dhe veprave të tjera penale të rënda në shtetin grek. Me cilësinë e provës materiale në banesën që jetonte me qira shtetasi J. S. në Tiranë u sekuestrua një arsenal i tërë armësh dhe lëndësh plasëse me telekomandat përkatëse.
Armët e sekuestruara
1. Një armë zjarri pistoletë e markës “Cervena Zastava” me 15 copë fishekë;
2. Një armë zjarri pistoletë me dy krehra me 15 copë fishekë;
3. Një armë zjarri “Scorpions”, zhurmëzbutës (silenciator);
4. Një armë zjarri pushkë automatike mod. 63 “Snaiper”;
5. Kallëpe eksplozivi të dyshuar si tritol;
6. 347 copë fishekë armë zjarri të kalibrave të ndryshëm;
7. Granata dore mbrojtëse copë 3;
8. Lëndë plasëse e dyshuar si C4;
9. Kapsolla elektrikë detonatorë, copë 8;
10. Ndezës detonator për granata dore, copë 3;
11. Pajisje adaptor për aktivizim nga distanca të lëndëve shpërthyese;
12. 14 copë aparate telefonike celularë të markave të ndryshme;
13. Bateri telefonash celularë të markave të ndryshme copë 9;
14. Aparat fotografik i markës “Canon” me fotografi të personave të ndryshëm;
15. Tablet elektronik i markës “Samsung” me pamje filmike;
16. 6 copë karta memorieje;
17. Targa automjeti AR 003JT, kapuç deveje, doreza për punime të ndryshme;
18. Tel përcjellës me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, shirita ngjitës, kaçavida të ndryshme për punime të imëta, çelësa të ndryshëm, gërshërë me dorezë plastike pajisje elektrike “Inverter”, bateri 12 volt;
19. Një jelek antiplumb, veshje të ndryshme, doreza ebaniti për armë zjarri pistoletë, doreza të gomuara;
20. Mbajtëse copë 8, kartë telefonike të kompanive të ndryshme telefonike, spina karikues, fisha dhe pajisje Bluetooth;
21. Pasaportë dhe dokumente në gjuhën greke në emër të Julian Sinanajt;
22. Libreza dhe fatura për transferta bankare në emër të këtij shtetasi;
23. Lekë Shqiptare në shumën 52000 lekë të reja.
Atentati
Besnik Dervishi: Nuk e njoh të arrestuarin, dihet se cilit klan i përket ai
Është prangosur personi i dyshuar si porositës i eksplozivit të atentatit ndaj prefektit Besnik Dervishi, si pjesë e bandës së vrasësve me pagesë. Marion Mitro, 42 vjeç, u arrestua ditën e djeshme në Rinas, ndërsa fillimisht u dyshua edhe si përgjegjës për atentatin ndaj kreut të Komunës Qendër, Vlorë, Fredo Berberi. Burimet nga policia bënë me dije se Mitro ishte në vëzhgim policor prej disa kohësh dhe është prangosur pikërisht dje, teksa tentoi të linte Shqipërinë nëpërmjet Rinasit. Aktualisht i riu nga qyteti i Vlorës është i dyshuari kryesor për shpërthimet me eksploziv në qytetin bregdetar. Operacioni për kapjen e Marion Mitros është mbajtur në fshehtësi të plotë, pasi policia ka identifikuar dhe disa kontakte të Mitros në qytetin e Vlorës dhe Tiranës gjatë kohës që ka survejuar këtë të fundit për disa javë. Nga ët dhënat e para dyshohet se Mitro është pronari i një aktiviteti në qytetin e Vlorës dhe konflikti për prishjen e tij mund të jetë motivi që ka nxitur të porosisë eksplozivin ndaj prefektit. Nga ana tjetër nuk ka munguar as reagimi i Besnik Dervishit, i cili ka mohuar të ketë njohje me Mitron. “Nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me të arrestuarin”, – ka thënë Dervishi. Ndërsa shton: “Në Vlorë, e njohin se i cilit klan i përket dhe i shërben. Kam pasur besim tek policia dhe shteti në tërësi. Kam besim se kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund”. I pyetur se çfarë ka parasysh me fjalën klan, ndonjë klan zyrtar, partiak ose lokal, prefekti i Vlorës Besnik Dervishi thotë: “Kjo ngjarje dëshmoi se krimi i organizuar mund të prekë edhe nivele të larta”.
Ministri Tahiri
“Kjo është goditja më e madhe e krimit të organizuar”
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar në lidhje me arrestimin nga Policia e Shtetit të disa shtetasve të dyshuar për krime të rënda në vend dhe jashtë vendit. Në një reagim në Facebook, Tahiri shkruan se kjo ishte pa dyshim goditja më e madhe e krimit të organizuar në historinë e Policisë së Shtetit. “Kjo është pa dyshim goditja më spektakolare ndaj krimit të organizuar në historinë e Policisë së Shtetit. Bravo! Ky është shpirti. Kjo është Rilindja e Policisë së Shtetit. Më shumë në vazhdim… Jemi të vendosur më shumë se kurrë për luftuar krimin e organizuar, terrorizmin, për të rivendosur sundimin e ligjit dhe drejtësinë në këtë vend, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, – shkruan Tahiri. Sipas Tahirit, kjo ishte hera e parë që Policia e Shtetit ka zhvilluar hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si kriminelë. “Për herë të parë Policia e Shtetit ka arritur të zhvillojë hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, të ndërmjetësit e deri te ekzekutorët e vrasjeve qoftë me armë qoftë me eksploziv”, – shprehet ministri i Brendshëm.




