Masa e arrestit I akuzuar për vrasje me pagesë, Krimet e Rënda lënë në burg Sinanajn

Sonja Caka

 

Gjykata: 27-vjeçari i akuzuar për krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, masa në mungesë edhe për bashkëpunëtorët e tij

 

 

julian-sinaniGjykata e Krimeve të Rënda caktoi dje masën “Arrest me burg” për Julian Sinanajn, 31-vjeçarin e arrestuar pak ditë më parë si i dyshuar për vrasje me pagesë brenda dhe jashtë vendit. Po dje, Gjykata caktoi në mungesë masat edhe për bashkëpunëtorët e tij, shtetasit nën hetim N. Gj., 30 vjeç; Genis Mëhillaj, 43 vjeç; Andon (Erion) Mëhillaj, 39 vjeç; dhe Marion Mitro, 42 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, të gjithë të padënuar më parë. Sipas burimeve nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Sinanaj nuk ka folur para togave të zeza, të cilat dje kanë lënë në burg të riun nga Vlora. Mësohet se procesi i masës së arrestit është ndjekur edhe nga kreu i policisë së Tiranës, z. Adrian Çipa, ndërsa më herët ishte finalizuar në Rinas kapja e të dyshuarit si porositës i vendosjes së eksplozivëve, Marion Mitro, ish-punonjës i INUK-ut në Vlorë. Burime nga Gjykata bëjnë me dije se akuza që rëndon mbi Sinanajn është vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që e njëjta akuzë rëndon edhe mbi të tjerët.

 

Reagimi i medieve greke

 Pas arrestimit të Julian Sinanajt dhe deklarimeve të tij, ka reaguar edhe media greke, e cila ka vënë para përgjegjësisë drejtësinë e shtetit të tyre për të zbardhur sa më parë përfshirjen e të riut në disa krime dhe akte terroriste të ndodhura në Greqi. Sipas tyre, mësohet se 31-vjeçari Sinanaj ka pranuar para hetuesve se ka vrarë mbi 20 persona në Greqi, vrasje për të cilat është porositur dhe paguar. Madje, mësohet se i riu ka pranuar edhe që ka qenë pjesë e sulmit terrorist në Gjykatën e Selanikut në maj të vitit 2011. Sipas gazetës greke “Protothema”, sipas së cilës, nëse dëshmitë e tij janë të vërteta e përfshijnë në organizatën terroriste “Komploti i Celulave të Zjarrit”. Gazeta citon rrëfimin e 31-vjeçarit të arrestuar, i cili mësohet të ketë pohuar: “Kam vrarë dy burra në korrik të vitit 2011, një 35 vjeç dhe një 45-vjeçar, ndërsa viktima e tretë ka qenë një kalimtar i rastësishëm. Kam marrë pjesë edhe në shpërthime në emër të organizatave të armatosura në Greqi. Kam bërë vrasje dhe veprimtari të tjera kriminale në Greqi dhe Shqipëri, që dua t’i dëshmoj…” Sipas informacioneve, Julian Sinanaj ka raportuar se ka marrë pjesë në shpërthimin e 15 majit 2010, në Gjykatën e Selanikut, përgjegjësinë për të cilin e mori organizata “Komploti i Qelizave të Zjarrit”. Nga shpërthimi pati një të lënduar lehtë dhe u rrezikuan dhjetëra persona që ndodheshin në Gjykatë.

 

Ekspertët

 Gazeta greke shkruan se zyrtarë të lartë të policisë greke duan të zbulojnë nëse janë përballë një zbulimi të madh për sulme të armatosura në Greqi apo bëhet fjalë për një “ekzagjerim dhe trillim të një të arrestuari shqiptar”. Ekipi i policisë greke që ndodhet në Tiranë për të marrë në pyetje Ilir Kupën, pa rezultate të rëndësishme deri më tani, do të takohet edhe me 31-vjeçarin Sinanaj për të hedhur dritë mbi 20 vrasjet që ka deklaruar se ka kryer me pagesë në shtetin helen. Policia greke ende nuk ka një përfytyrim të qartë për rastin. Nga njëra anë, vrasjet në Athinë, të pohuara prej Sinanit, janë ende pa autor dhe ndoshta dëshmia e tij do të çojë në zgjidhjen e çështjes, ndërsa përmendja e pranisë së tij në sulmin mbi Gjykatën në Selanik nuk konfirmohet nga policia, e cila deri tani nuk ka të dhëna se “Celulat e Zjarrit” kanë ndonjë marrëdhënie me shqiptarët, të paktën në qytetin e Selanikut. Policia ka të dhëna se anëtarët e familjes Sinanaj janë të përfshirë në arratisjen nga burgu i Trikallasë dhe janë fajësuar për disa vepra të tjera në Greqi. Dyshohet për një lidhje familjare mes Julian Sinanaj dhe dy viktimave Sinanaj, xhaxha e nip të ekzekutuar nga policia greke.

 

 

Share it :