Ervin Kaduku
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve për periudhën janar-nëntor 2013 u rritën me 11.5% në rreth 64 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve dhe duke përmirësuar vazhdimisht ritmet e rritjes gjatë muajve të fundit
Taksa e sheshtë dhe heqja e një numri të madh pengesash burokratike në vend nga qeveria e djathtë në vite bëri atë, që Shqipëria duket se ka hyrë tashmë në axhendën e shumë kompanive ndërkombëtare të prodhimit dhe tregtimit të veshjeve
Falë një pune shumëvjeçare, të spikatur veçanërisht gjatë qeverisjes së djathtë, që solli taksën e sheshtë dhe hoqi një numër të madh pengesash burokratike në vend, Shqipëria duket se ka hyrë tashmë në axhendën e shumë kompanive ndërkombëtare të prodhimit dhe tregtimit të veshjeve. Drejtues dhe përfaqësues të industrisë që punon me material porositës (fasoni) konfirmojnë se numri i firmave të huaja që “trokasin” tek firmat shqiptare është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Ka një interesim në rritje jo vetëm nga kompani italiane, por edhe nga ato gjermane, zvicerane, austriake, holandeze, izraelite, norvegjeze etj. Disa nga kompanitë e njohura ndërkombëtare kanë filluar të lëvizin drejt kompanive shqiptare, duke sjellë porositë e tyre të para në fushën e veshjeve, kryesisht.
Kjo është reflektuar në atë që eksportet e tekstileve e këpucëve për periudhën janar-nëntor 2013 u rritën me 11.5% në rreth 64 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve dhe duke përmirësuar vazhdimisht ritmet e rritjes gjatë muajve të fundit.
Me “shpresën” nga qeveria
Për të qenë më konkurrues, sidomos me vendet e tjera të rajonit, për të rritur kapacitetet financiare dhe investuese, kompanitë kërkojnë një paketë të veçantë masash mbështetëse.
Sektori është duke negociuar fuqishëm me qeverinë për të përfituar një status special specifik të sektorit të fasonit. Është ngritur një komision i posaçëm pranë qeverisë për hartimin e një pakete lehtësisht fiskale dhe ekonomike për këtë sektor, që pritet të miratohet në muajin mars.
Si një nga bizneset me efektet më të mëdha në punësim, sipërmarrësit duket se kanë “të drejtë” në kërkesat e tyre.
Industria e përpunimit aktiv (fasoni) zë 1/3 e eksporteve shqiptare dhe përllogaritet të punësojë rreth 100 mijë vetë. Ajo, padyshim, është sot një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin në vend, sidomos të shtresave më të varfra dhe më pak të shkolluara.
“Ne si Dhomë kemi kërkuar që të zbatohet një paketë masash për industrinë e fasonit, e cila ka potenciale të mëdha në Shqipëri dhe duhet të mbështetet nga qeveria. Ka një sensibilizim nga ana e qeverisë dhe politikës për të mbështetur këtë biznes dhe kjo është pozitive, jo vetëm për të thithur klientë të huaj apo edhe për të zgjeruar ndërmarrjet në zona të largëta të vendit. Në zonat periferike duhet të ketë shumë lehtësira fiskale për biznesin dhe kjo do të nxisë sipërmarrësit. Nga ana tjetër, edhe punonjësit janë një kosto e madhe për industrinë e fasonit dhe duhet që qeveria të mbështesë kostot e kompanive për t’i trajnuar ato”, – thotë Flamur Hoxha nga kompania “Kler”.
Çfarë kërkohet?
Drejtuesit e fasonit e kanë dorëzuar tashmë paketën e tyre të masave në qeveri dhe po presin një reagim prej saj.
Një nga pikat kryesore të kërkuara është ngrirja e pagës minimale për një periudhë të paktën katërvjeçare, si një nga faktorët që ndikon edhe në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë. Sipas fasonistëve, paga është një shpenzim që llogaritet në rreth 80% të kostos së punës së kompanive.
“Është disi absurd fakti që, ndërsa pagat mesatare tek ne janë më të ulëta se në vendet e rajonit, paga minimale është më e lartë sesa mesatarja rajonale”, thonë fasonistët.
Kërkohet edhe zgjerimi i gamës së makinerive dhe pajisjeve që importohen me TVSH 0 nga kompanitë. Rinovimi teknologjik dhe investimet e reja, kur kanë mundësi, nuk mund të bllokohen dhe burokratizohen nga një listë e tillë pajisjesh dhe makinerish që nuk ka asnjë autoritet të njohur në vend që ta përgatisë. Qeveria e mëparshme “Berisha” vendosi të lejojë importin me TVSH 0 të makinerive dhe pajisjeve nga ana e industrisë së fasonit, por ky vendim u pasua me një listë të detajuar mbi çfarë mund të importohej me dhe pa taksa. Kjo gjë shtoi burokracitë në dogana dhe nuk u ka ardhur aspak në ndihmë firmave vendase.
Fasonistët kanë propozuar gjithashtu që tatimfitimi për kompanitë e fasonit të jetë 0%, për të stimuluar rritjen e prodhimit.
“Ne mendojmë se duhet të veçohet sektori i veshjeve dhe këpucëve nga i tërë sektori i regjimit të përpunimit aktiv, kur bëhet fjalë për këtë lehtësi. Kostoja e kësaj lehtësie është e pandjeshme në buxhetin e shtetit, jo më shumë se 4 milionë euro”, – thonë përfaqësuesit e sektorit.
Aktualisht në paketën fiskale 2014 është rritur në masën 15% nga 10% që ishte më parë.
Me qëllim rritjen e shpejtë të të punësuarve të rinj në këtë sektor, është propozuar që qeveria të sigurojë pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vendet e reja të punës mbi mesataren e numrit të punonjësve të vitit të kaluar për çdo ndërmarrje. Kjo është një praktikë që ndiqet tashmë në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, sidomos në Serbi dhe Maqedoni, ku këto skema kanë rezultuar shumë të suksesshme në tërheqjen e investitorëve të huaj.
Probleme dhe kërkesa
Kontratat e lidhura mes bizneseve të këtij sektori dhe nënkontraktorëve të huaj nuk bazohen në asnjë legjislacion ndërkombëtar që ka të bëjë me ndonjë konventë të nënshkruar edhe nga qeveria shqiptare apo ndonjë ligj ndërkombëtar të shoqërive tregtare
- Qeveria duhet t’i afrojë këtij sektori një status special, që realizohet nëpërmjet një pakete politikash lehtësuese specifike për regjimin e përpunimit aktiv. Në këtë paketë fiskale duhet të përfshihet Ngrirja e pagës minimale për një periudhë të paktën katërvjeçare
- Të hiqet paga minimale kombëtare dhe zëvendësim i saj me pagën minimale sipas sektorëve
- qeveria të sigurojë pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vendet e reja të punës mbi mesataren e numrit të punonjësve të vitit të kaluar për çdo ndërmarrje
- Tatimfitimi për kompanitë e fasonit, duhet të jetë 0%
- Ministria e Financave duhet të rimbursojë në mënyrë automatike nga sistemi TVSH e rimbursueshme, sapo kjo shumë të jetë 400.000 lekë
- Angazhimi i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për të negociuar heqjen e pagesës e taksës së transportit për mjetet afër 6,20 euro për ton në eksport dhe import.
Raporti i BERZH-it
Kreditë e këqija, Shqipëria në krye të listës
Me nivelin e kredive me probleme (NPL), që po i afrohet 25% të totalit, Shqipëria paraqitet në krye të listës së vendeve me tregues të lartë të NLP-së. Sipas të dhënave të publikuara nga BERZH, i vetmi shtet në të gjithë Evropën Qendrore e Lindore, që i ka NPL-të më të lartë se Shqipëria, është Kazakistani, me 36.7%. Ky vend ndodhet praktikisht në Azi, por konsiderohet pjesë e Evropës Lindore, si ish-republikë e Bashkimit të dikurshëm Sovjetik, nisur nga origjina komuniste e ekonomisë së tij.
Huatë e pakthyera në afat u rritën me një shpejtësi të madhe në vend, që nga 2008-a, kur ato ishin vetëm 6.5%, duke nxjerrë në pah si krizën që preku bizneset e individët ashtu dhe dhënien e huave të pastudiuara mirë.
Ndryshe nga Shqipëria, fqinjët tanë arritën t’i mbajnë nën fre NPL-të. P.sh., Maqedonia, kishte nivelin e huave me probleme 8.9% në 2009 (Shqipëria e kishte 10.3% po në atë vit) dhe aktualisht e ka 11.2%, një zgjerim me vetëm rreth 2 pikë përqindjeje, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian.
2009-a e gjeti Serbinë me një tregues NPL më të lartë se Shqipëria, në 15.7%, por sërish ky vend sot i ka huatë me probleme më të ulëta se Shqipëria, në 21%.
Mali i zi i kishte kreditë e këqija 21% ne 2010 dhe ka arritur ta ulë këtë tregues në 18.4% në fund të tremujorit të tretë 2013.




