Florenc Drizari
“Nëse një projekt të tillë edhe vet Banka Botërore nuk do ta mbështesë, sepse projekti kalon përmes saj dhe mjetet e implementimit i sigurojnë ata”
Pas reagimeve nga të zgjedhurit vendorë në komunën Dibër e Madhe, Peshkopi dhe nga qeveria shqiptare, ka ardhur edhe qëndrimi i kryeministrit Maqedonas, Nikola Gruevski për çështjen e devijimit të ujërave të lumit Radika. Gruevski ka deklaruar se ky projekt nuk do të realizohet, nëse me të dëmtohet ambienti jetësor dhe preken qytetarët vendas e fqinjët.
“Ky është një projekt, të cilin e udhëheqim bashkë me Bankën Botërore. Banka Botërore përgatit edhe projektin ekologjik, i cili duhet të tregojë përparësitë dhe dobësitë eventuale, e pas këtij projekti do të jepet dhe vendimi përfundimtar. Kuptohet, nëse projekti dëshmon se nuk ka ndonjë dëm serioz për natyrën, ambientin jetësor, për qytetarët, në atë rast do të vazhdojmë më tej dhe do ta realizojmë. Nëse, përkundrazi, ai tregon se u shkaktohet dëm qytetarëve, ka pasoja për ambientin jetësor, ka
pasoja për natyrën, ka pasoja le të themi edhe për fqinjët, kuptohet se një projekt të tillë edhe vet Banka Botërore nuk do ta mbështesë, sepse projekti kalon përmes saj dhe mjetet e implementimit i sigurojnë ata”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.
Gjithashtu Gruevski ka thënë se spekulimet në lidhje me hidrocentralin në Lukovë bëhen për përfitime politike. Ai ka porositur banorët e Dibrës të jenë të qetë dhe ka nënvizuar se qeveria e drejtuar nga ai nuk ndërmerr projekte kundër qytetarëve të Maqedonisë apo vendeve fqinje.
“Dua t’u them njerëzve që jetojnë në atë zonë, të jenë të qetë dhe ta dinë se kjo qeveri nuk punon në asnjë lloj projekti, që mund të dëmtojë qytetarët dhe ambientin jetësor, asnjëherë s’ka punuar kështu deri më tani. Ta dinë se ne qëndrojmë pas tyre dhe jo ata spekulantët, të cilët shohin mundësitë për të nxjerrë nga ky projekt ndonjë përfitim politik”,-shtoi Nikolla Gruevski.
Paraprakisht, edhe ministrat shqiptarë në qeverinë e Shkupit janë shprehur kundër devijimit të lumit Radika dhe kanë dhënë garanci se hidrocentrali në Lukovë nuk mund të ndërtohet, nëse shkakton dëm në Dibër dhe Shqipëri.
Më herët edhe përfaques të shoqatave ambientaliste në Maqedoni e kanë kundërshtuar projektin e devijimit të lumit Radia me argumentet se dëmtohet flora dhe fauna e zonës. Ndërkaq, për këtë projetk kundërshtime të forta ka pasur edhe nga ambientalistët shqiptar. Nga ana e të zgjedhurve vendor në Dibër të Madhe, ky projekt është kundërshtuar që në kontaktet e para me palën maqedonase. Mes të zgjedhurve vendor dhe përfaqësuesve të firmës ELEM mësohet se janë zhvilluar dy takime, por pa arritur një marrëveshje konkretë. Si përfaqësuesit vendor në Dibër të Madhe, ashtu edhe qytetarët dibranë, e kundërshtojnë tërësisht këtë projekt. Plani i palës maqedonase duket se është ende në proces studimor dhe ai parashikon devijimin e 2.5 metër kub ujë në sekondë drejtë rrjedhës së lumit Vardar ku do të ndërtohet edhe një hidrocentral.
Të zgjedhurit vendor në Dibër, protesta nëse nuk ndalet projekti
Të zgjedhurit vendor në Dibër por edhe në Peshkopi, ritheksojnë se do të vazhdojnë protestat nëse projekti për devijimin e lumit Radika nuk do të ndalet. Në një dalje publike me kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, kryekomunari i Dibrës, Ruzhdi Lata, deklaroi se kjo që po bën qeveria maqedonase ka qëllime politike. “Ne na dëmton shumë ky projekt. Ne dibranët kemi ardhur një herë në Tiranë në 1913-n dhe mesa duket, duhet të nisemi prapë për Tiranë. Nëse na merret uji duhet të shpërngulemi pasi nuk kemi më se çfarë të bëjmë. Nuk e pranojmë këtë projekt”, -tha Lata.
Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, tha se kjo lëvizje mund të quhet provokim, ndërkohë që deklaroi mbështetje për shqiptarët e Maqedonisë: “Në aspektin ligjor, këto janë çështje të
karakterit ndërkombëtar të cilat kanë marrëveshje strikte që nuk mund të shkelen. Ai që tenton t’i shkelë këto marrëveshje, provokon dhe ai që provokon duhet të marrë në konsideratë që do të ketë një reagim. Ne nuk do të shkojmë në pikën e fundit, por Bashkia e Peshkopisë do të ngrejë zërin përditë dhe do të mbështesë protestat”
Radika, BB: Nuk është marrë ende një vendim
Devijimi i ujërave të lumit Radika duket se nuk është i panjohur për qeverinë shqiptare. projektpropozimi i qeverisë së vendit fqinj daton që në 2011. Fakti është konfirmuar edhe nga një njoftim i Bankës Botërore, së cilës qeveria maqedonase i ka kërkuar financimin e ndërtimit të HEC-it, nëse kushtet do ta mundësonin.
“Në 2011, me kërkesë të qeverisë së Ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, BB ra dokord të marrë në konsideratë një projektpropozim për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Lukovës”, – nis sqarimin Banka Botërore.
Duke detajuar qëllimin e këtij propozimi, të qeverisë së Shkupit në 2011, që përmblidhet në ndërtimin e një hidrocentrali me fuqi të ulët, përmes devijimit të një pjese të prurjeve të Radikës në Vardar, BB paralelisht siguron se në asnjë rast nuk do të anashkalohen fqinjët:
“Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Serbia ndodhen përgjatë basenit dhe, për këtë shkak, do të konsultohen mbi dizenjimin, përpara se të merret ndonjë vendim për financim nga Banka Botërore. Projekt-propozimi është ende në fazën e dizenjimit dhe nuk është marrë ende asnjë vendim”.
Megjithëse BB shton se vlerësimet paraprake tregojnë se projekt-propozimi do të kishte ndikim të limituar mbi sasinë e ujit, që do të devijohet në lumin Radika, dhe se sasia e ujit pritet të jetë mjaftueshëm nën tavanin prej 8 metër kub për sekondë, të përcaktuar nga Marrëveshja Ndërkombëtare e vitit 1962, aktualisht në fuqi mes dy shteteve, do të sigurohen – thotë njoftimi i saj – të gjitha standardet, sipas të gjitha politikave mbrojtëse të BB.
Garancia që jep BB, se vendimi final do të marrë në konsideratë çdo efekt mjedisor, çdo dëm të mundshëm për qytetarët e zonës dhe çdo qëndrim të shteteve fqinje, vjen paralelisht me përgjigjen negative që tashmë kanë dhënë Tirana dhe Prishtina për projektin në fjalë.
Qeveria e Kosovës deklaroi se nuk do të miratonte një propozim të tillë të mundshëm, ndërsa kryeministri shqiptar i dha fund debateve, duke thënë se nuk ka asnjë propozim, por nëse do të vijë nuk do të ketë asnjë vendim në kundërshtim me interesat e vendit dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.




