Anxhela Tato
I arrestuari akuzon policinë helene se i futeshin në qeli dhe e dhunonin vazhdimisht
Shoqërimi, pas 6 orësh policia e identifikoi 28-vjeçarin si të arratisurin Ilir Kupa
Për t’i shpëtuar ekstradimit dhe rikthimit në qelitë greke, nën dhunën e policisë helene, Ilir Kupa vetë deklarohet si organizatori i grabitjes së babagjyshave në TEG. Para oficerëve të policisë gjyqësore, i arrestuari është marrë në pyetje pa praninë e mbrojtësit së tij. Kupa ka pohuar se grabitja në TEG ka qenë një plan i organizuar nga ai, si e vetmja strategji që mund ta mbante në vendin tonë, duke i shpëtuar dhunës në burgjet helene. Për gati dy orë Ilir Kupa është pyetur për detaje të grabitjes në qendrën tregtare TEG, ku u vodhën mbi 200 mijë euro bizhuteri. Ndërsa mësohet se në asnjë moment nuk ka pranuar që të zbulojë identitetin e bashkëpunëtorëve të kësaj grabitjeje. Por mbetet ende një pikëpyetje për blutë nëse realisht Kupa, i cili ishte në arrati, ka ndërmarrë atë grabitje aq spektatore të ngjashme me skena filmash aksion. Kupa ka rrëfyer për blutë se ndaj tij është ushtruar disa herë dhunë në burgjet greke. Policët i bastisnin qelin dhe e dhunonin, por kjo akuzë është mohuar dhe kundërshtuar nga ana e palës greke. “Unë kam organizuar grabitjen tek qendra TEG. Kjo ishte e vetmja rrugë shpëtimi që unë kisha për të mos u arrestuar dhe ekstraduar në Greqi. Atje policët më vijnë në qeli dhe më dhunojnë, ata janë çnjerëzorë. Unë jam dënuar për një krim që nuk e kam bërë”, – pjesë e rrëfimit të Kupës. Ndërkohë burime nga blutë bëjnë me dije se Kupa ka qëndruar i fshehur tek të afërm të bashkëshortes së tij në zonën e Krujës dhe është sinjalizuar vetëm pas përgjimeve të bashkëshortes. Ditën e arrestimit Kupa ishte duke festuar ditëlindjen, 28-vjetorin në momentin që është prangosur. Fjalët e para për policinë kanë qenë: Bravo që më kapët, bëni çtë doni, vetëm në Greqi mos më dërgoni. Ende nuk ka prova të sakta që të implikojnë Kupën në grabitjen e babagjyshave, ndonëse nga ana e policisë kanë nisur hetimet. Ndërkohë që burimet shprehen se Kupa nuk do t’i shpëtojë ekstradimit, pasi pas përfundimit të hetimeve, dosja do të transferohet bashkë me të dënuarin në Greqi.
Hetimet dhe akuzat
Ilir Kupa është emri i një prej të dënuarve të burgut të Trikalës, i cili u arratis mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2013. Kupa është i dënuar me 64 vjet burg nga ana e gjykatës helene për akuzën e grabitjes dhe vrasjes. Në qershor të vitit 2013 në përballjen me armë në Vrosina me postblloqet e policisë në Boeotia u vra një 25-vjeçare dhe një polic grek. Policia greke ndërmori një operacion që kushtoi 1 milion euro për kapjen e tyre. Nga përplasjet me armë gjatë kërkimeve të policisë greke u vranë Marian Kola, Ermal dhe Edison Lita. Ndërsa Kupa në atë kohë arriti të kthehej në Shqipëri, për tu arrestuar një ditë më parë. Ndërsa nga pala shqiptare ka akuza ende të pakonfirmuara që e përfshijnë atë në dy vrasje, të ndodhura rreth trazirave të viteve 1997. Ndonëse duket pak e habitshme sesi Kupa, i cili në ato vite ka qenë vetëm 10 vjeç, të ketë ekzekutuar dy persona. Në lidhje me këto akuza burimet shprehen se dosjet e 1997 janë të cunguara dhe me mangësi, çka sjellë mungesë provash për vrasjen duke e lënë vetëm një aludim identifikimin e Kupës si autor të dyshuar për këto krime. Në fakt, kalimi në rrethana pohuese edhe pse i mungojnë elementët që i dokumentojnë grabitjen, është prova që policia ka tashmë për ta hetuar si një nga “Babagjyshët: grabitës.
Shoqërimi dhe identifikimi
Kupa është shoqëruar fillimisht si person që i ka bërë rezistencë policisë, për mbajtjen e pa leje të armëve si dhe të maskave që janë gjendur në makinë. Kupa, mësohet se kishte ndërruar të gjitha gjeneralitetet dhe kishte marrë një “look” të ri. Identifikimi i tij është kryer vetëm pasi është kryer ekspertimi i gjurmëve të gishtërinjve. Kështu, sipas burimeve të besueshme policore, saktësohet se në momentin që është marrë vesh që personi i arrestuar ishte Ilir Kupa, një mori forcash policore kanë mbërritur në shtëpitë e Kupëve në Fushë-Krujë. Janë marrë të gjithë pjesëtarët e familjes së xhaxhait të tij, ndërsa në shtëpinë e Ilirit, ku jeton e vetme gjyshja 92 vjeçe, policia nuk ka gjetur asnjë person, pasi prindërit e tij jetojnë në Greqi, ndërsa vëllanë e ka ende në burg. Prangosja e Ilir Kupës mëngjesin e së shtunës, ka bërë që Policia e Shtetit të dyshojë për kryerjen e një numër grabitjesh prej tij në Shqipëri. Emri i Ilir Kupës, po ashtu edhe i të gjithë të arratisurve të tjerë nga burgu i Trikallas, është marrë në konsideratë nga policia, dy ditë pas grabitjes që u krye te qendra tregtare, natën e Krishtlindjeve, nën maskën e “Babagjyshit”.
Operacioni
Dyshimet, vrasësi me pagesë Julian Sinani, autori i 2 ekzekutimeve
Julian Sinani dyshohet se është autori i dy vrasjeve me pagesë, ndonëse nga ana e policisë janë duke vijuar hetimet për dokumentin e plotë të krimeve që mbajnë emrin e 27-vjeçarit. Sipas burimeve të organit të akuzës 27-vjeçari mund të jetë autori i dy krimeve të ndodhura në vitet 2000, por asgjë nuk është e konfirmuar, përsa kohë janë duke vijuar hetimet. Sipas këtyre burimeve Julian Sinani ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe në arrati, duke tentuar t’i fshihej arrestimit nga policia. Ai është një personazh me precedent penalë të mëparshëm dhe i prangosur nga blutë para disa viteve. Sipas bluve 27-vjeçari është rekrut i bandës së Emiljano Shullazit, fakte këto që pritet të konfirmohen nga hetimet e mëtejshme. Julian Sinani u arrestua në afërsi të zonës së “21 Dhjetorit” në Tiranë, me një armë zjarri tip pistoletë TT. Efektivët e policisë, të cilët kryen këtë aksion bënë të mundur edhe konfiskimin e mjeteve që përdorte ky vrasës i dyshuar. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur një pistoletë TT, pajisje të teknologjisë së fundit, municione, një aparat fotografik me të cilin mendohet se ai fiksonte personat që do të vriste. Madje policia e Tiranës bën të ditur se në bazë të hetimeve të kryera mbi 27-vjeçarin, dyshohet se është autor i disa ngjarjeve të rënda në Tiranë, e madje mendohet të jetë vrasës me pagesë, brenda dhe jashtë vendit. Aparati fotografik është një provë e cila do të zbardhë mjaft detaje, pasi të shihen fotot që janë në të. Dyshohet se ka foto të personave të vrarë apo edhe të atyre që do të vriste në vijim. Strukturat e policisë po punojnë për të dokumentuar përfshirjen e tij në disa vrasje.
Devoll
Tentoi të vriste fqinjin për pronën, arrestohet Gjergji Rodhani
Një person është vënë në pranga nga policia e Korçës pasi akuzohet për tentativë vrasje. Sipas policisë Gjergji Rodhani u arrestua sepse pas një konflikti me fqinjët për pronën ka marrë armën e zjarrit tip çifte që mbante në shtëpi dhe ka qëlluar në drejtim të banesës së këtyre të fundit. Pas kësaj ai i drejtoi armën fqinjës M.Bylykbashi por nuk e ka qëlluar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Stropan të Devollit. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka persona të lënduar. Efektivët e policisë janë lajmëruar nga fqinjët. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj.
Aksident
Përplaset makina me motorin, plagoset drejtuesi
Një aksident me pasojë plagosjen një drejtuesi motori ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit. Në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” me targë “AA 006 HR” dhe një motor me targë “AH 007”. Nga përplasje mes tyre drejtuesi i motorit ka pësuar plagë të lehta dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e traumës në Tiranës, ku sipas mjekëve është në gjendje të mirë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë shërbimet e policisë rrugore dhe ato të komisariatit numër 3. Sipas burimeve paraprake hetimore shkak dyshohet të jetë një manovrim i menjëhershëm i drejtuesit të motorit, ndërsa edhe mosrespektimi i distancës nga drejtuesi i “Benzit” e ka bërë të pashmangshme aksidentin.




