Takimi për “Radikën” Ministrat maqedonas: Nëse ka kundërshti nga qeveria shqiptare, projektin nuk e realizojmë

Gëzim Saliu

Ministrat Bushati, Gjiknuri dhe Koka: Mbrojmë sovranitetin territorial. Maqedonasit: Ka ide në letër, por jo projekt të caktuar. Projekti final mbyllet në qershor

 

ministrattMaqedonia zyrtare bën të ditur se për devijimin e lumit Radika ka një ide në letër, që nuk është përkthyer ende në një projekt final, i cili pritet të mbyllet në muajin qershor. Kështu deklaruan dje ministri i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, dhe ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologët e qeverisë shqiptare, përkatësisht ministrin e Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe ai të Mjedisit, Lefter Koka. “Kjo ide e vjetër, ndoshta në letër, sot për sot nuk ka një projekt të caktuar dhe nuk ka një studim të përfunduar për impaktin në ambientin jetësor. Si e tillë, nuk mund të trajtohet dhe nuk mund të ketë shqetësim as për opinionin dhe as për institucionet. Projekti ideor ose ideja për të cilën është ngritur shqetësimi, nëse eventualisht do të zhvillohej më tutje, sigurisht që impakt do të kishte për Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë. Jemi këtu për të garantuar të gjithë se ne si vend, por edhe si qeveri, nuk do të ndërmarrim asnjë vendim, pa pasur konsultime me vendet fqinje, por në radhë të parë pa i shfrytëzuar ose pa i ndjekur të gjitha procedurat të cilat i parasheh realizimi i një projekti”, – tha ministri shqiptar i qeverisë maqedonase Ademi. Në të njëjtën linjë ministri Saraçini theksoi se projekt final ende nuk ka dhe se është duke u punuar nga një kompani ndërkombëtare dhe planifikohet të përfundojë në gjysmën e parë të këtij viti. “Pasi të përfundojë projekti final, por edhe studimi që do të tregojë ndikimin mbi ambientin jetësor, do të ketë debate publike ku do të jenë të përfshirë të gjitha institucionet përkatëse, njëkohësisht edhe përfaqësuesit e Dibrës së Madhe dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare. Në momentin kur projekti do të jetë final dhe ne si qeveri e Republikës së Maqedonisë do ta kemi të gatshëm, atëherë do të njoftohet qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe do të kërkohet pëlqim nga qeveria shqiptare. Në qoftë se qeveria shqiptare nuk jep pëlqim në lidhje me projektin final, projekt i cili duhet të përfundojë në muajin qershor, ky projekt nuk mund të realizohet”, – pohoi ministri shqiptar i Ekonomisë në ekzekutivin maqedonas.

 

Ministrat e kabinetit “Rama”

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se rregullimi i mënyrës se si menaxhohen ujërat dhe ndikimet ndërkufitare janë çështje, të cilat, sipas tij, adresohen në një kuadër të mirëpërcaktuar nga e drejta dhe praktika ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet fqinje. “Jam këtu për të garantuar opinionin publik shqiptar, çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë se kjo qeveri do të mbrojë deri në ditën e fundit të detyrës së saj dinjitetin kombëtar, sovranitetin, integritetin territorial dhe gjithë interesat e kombit shqiptar”, – tha Bushati. Nga ana e tij, ministri i Energjetikës, Gjiknuri, bëri të ditur se janë kërkuar shpjegime nga pala maqedonas lidhur me këtë çështje. “Duhet theksuar se jemi në fazën e një projekt ideje që nuk është maturuar në projekt, por siguroj se qeveria do punojë që të mos cenohet siguria hidrike, hidroenergjetike dhe të mos bihet pre e spekulimeve”, – deklaroi ai. Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, theksoi se nuk mund të gjykohet mbi një projektime, por vetëm mbi projekte konkrete.

 

 

Kryeministri Rama diskuton me ministrat maqedonas

Kryeministri Edi Rama priti dje në Tiranë dy ministrat e qeverisë së Shkupit lidhur me çështjen e projektit “Fusha e Lukovës”. Rama i shoqëruar nga ministrat e kabinetit të tij Damian Gjiknuri, Lefter Koka e Ditmir Bushati ka biseduar me ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Valon Saraçini, si dhe ministrin e Ambientit Jetësor, Abdilaqim Ademi, ku ka marrë sqarimet e drejtpërdrejta lidhur me çështjen e devijimit të lumit Radika.

 

 

Reagimi i PD-së

Bumçi: Maqedonia konfirmoi se ka projekt për Radikën, gënjeshtrat e Ramës i mori lumi

 Partia Demokratike reagoi dje lidhur me konferencën e përbashkët të ministrave të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ku përmes deputetit Aldo Bumçi theksoi se në këtë dalje publike u vërtetua se ekziston një projekt për devijimin e lumit Radika. “Sot ministrat e qeverisë së Maqedonisë në një konferencë për shtyp në Tiranë kanë konfirmuar publikisht se ekziston dhe po punojnë intensivisht një projekt. Ndërkohë, “Zëri i Amerikës”, një agjenci prestigjioze dhe e besueshme lajmesh, thotë se zyrtarët e Bankës Botërore në Shkup e kanë pranuar se po punojnë me këtë projekt, me kërkesë të qeverisë maqedonase. “Nuk ka projekt”, – thotë Edi Rama, – “As qeveria maqedone nuk ka projekt, as Banka Botërore nuk ka projekt”, insiston Edi Rama, i cili akuzon edhe opozitën, por ministrat e qeverisë së Maqedonisë dhe “Voice of America” thonë të kundërtën. Ekziston një projekt i qeverisë maqedone, me të cilin Banka Botërore po merret dhe ky projekt parashikon devijimin e lumit Radika, gjë që prek dhe vendet fqinje”, – tha ai. Në këtë kontekst, në emër të PD-së, Bumçi i kërkoi Kryeministrit të sqarojë sa më parë e të bëjë publike se çfarë është projekti për devijimin e lumit Radika, dhe cilat janë efektet e këtij projekti për banorët e Dibrës së Madhe. “Ne presim nga Kryeministri dhe qeveria të mbrojë interesin kombëtar shqiptar dhe këtë ta bëjë me një qëndrim të qartë dhe transparent”, – përfundoi deputeti demokrat reagimin e tij.

 

 

Projekti i “Fushë-Lukovës”

Projekti energjetik i “Fushë-Lukovës”, i cili ka ndezur debate të shumta në vend, nuk është pranuar qoftë nga pala maqedonase ashtu edhe nga ajo shqiptare. Ndërkohë, zyrtarët e Bankës Botërore në Shkup kanë deklaruar se po bëjnë vlerësime për projektin e paraqitur që prej vitit 2011, e, sipas të cilit, sasia e ujërave që parashikohet të devijohen në kaskadën e Mavrovës do të jetë më e vogël se 2 metra kub për sekondë, që sipas burimeve të Bankës Botërore është më e ulët se sa parashikon marrëveshja për administrimin e ujërave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Por meqë ky devijim ujërash prek edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë, sipas rregullave të Bankës Botërore, këto vende duhet të vihen në dijeni. Projekti, që ende nuk është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka ndeshur në vështirësi për shkak të konsideratave mjedisore dhe kundërshtimeve nga banorët në Maqedoni, meqë ai pritet të ndërtohet në një park kombëtar.

Share it :