“Bëhet fjalë për sistemin “track and trace”
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, paraqiti dje projektligjin e ri për barnat, shërbimin farmaceutik dhe pajisjet mjekësore. Në një takim të zhvilluar me grupet e interesit dhe përfaqësues të shërbimit farmaceutik, Beqaj tha se ka rreth dy muaj që po punohet për ligjin e ri të barnave. “Në fillim menduam të bënim amendime në ligjin ekzistues të barnave, por kur vumë re se praktikisht prekeshin 2/3 e pikave të ligjit, vendosëm të paraqisnim një ligj të ri, – vazhdoi më tej ministri Beqaj. – Para hartimit të këtij drafti, ju kemi bërë një kërkesë për të paraqitur propozimet tuaja, por për fat të keq nuk kemi pasur propozime. Megjithatë, ne do t’jua shpërndajmë versionin që kemi të projektligjit që propozojmë dhe presim sugjerimet tuaja deri më datë 5 shkurt 2014”, – u shpreh Beqaj në fjalën e tij. Ky projektligj krijon mundësinë për të krijuar një sistem gjurmimi të plotë të barnave në Shqipëri. “Bëhet fjalë për sistemin “track and trace”. Ky sistem, së bashku me projekte të tjera që kemi me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të arritur deri te receta elektronike, do të krijojnë lehtësi dhe siguri në qarkullimin e barnave në Shqipëri”.
Kërkesat e Shoqatës së Shëndetësisë
Ndërkohë që ministri Beqaj ka paraqitur projektligjin e ri për barnat, Sindikata e Shëndetësisë ka kërkuar që reforma të mos prekë mjekët dhe infermierët. Këshilli Sindikal, duke e vlerësuar situatën sindikale si të papërshtatshme në interes të zbatimit të Kushtetutës dhe të drejtave sindikale për punonjësit e sektorit të shëndetësisë:
i drejtohet ministrit të Shëndetësisë, i cili duhet të nënshkruajë me patjetër Kontratën Kolektive të Parë me këtë sindikatë shëndetësie, e cila ka qenë kontraktuese që nga viti 1994 e deri në fund të këtij viti dhe është sindikata më e madhe në vend, e cila ka aktualisht 56 mijë kontrata të nivelit të dytë, në fuqi deri në vitet 2014 dhe 2015.
I pohon gjithashtu ministrit të Shëndetësisë që sindikata është gjithmonë në mbështetje të reformës në shëndetësi, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Por është sakaq, edhe në mbrojtje të interesave të punonjësve të shëndetësisë. Kështu, ajo kërkon që reforma të mos fokusohet në lëvizje e në prekje të tyre, dhe mendon se nëse do të ketë reformë (që ne themi se duhet të ketë), ajo duhet të reformohet në administratën burokratike të institucioneve shëndetësore, të cilat janë fryrë së tepërmi dhe duhet të fillojë një menaxhim i mirë i burimeve njerëzore. Por nuk ka për mendimin tonë, punonjës të tepërt të sistemit shëndetësor, sepse ne jemi vendi që kemi më pak punonjës shëndetësorë për 1 mijë banorë.
Ajo që i pohohet tjetër ministrit të Shëndetësisë është që kushtet e punonjësve të shëndetësisë lënë për të dëshiruar. Ata janë gjithmonë në kushte jo të mira pune dhe janë gjithmonë të rrezikuar nga infeksionet apo rrezatimet si dhe probleme të tjera të mëdha, pikërisht për mungesë të kushteve mbrojtëse në punë.
Përveç kësaj, i kërkohet ministrit të Shëndetësisë që të vlerësojë edhe çështjen e pagave të punonjësve shëndetësorë, të cilët edhe pse këtë vit me heqjen e taksimit për pagat e ulëta, kanë përfituar disi, sërish mbeten me pagat më të ulëtat në Evropë.
Gjithashtu, i pohojmë ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale që punonjësit e shëndetësisë të sektorit publik e privat (rreth 30 mijë punonjës), nuk kanë gjetur ende përfaqësimin e duhur në Këshillin Kombëtar të Punës. Ata përfaqësohen ndoshta nga disa sindikata fantazmë, persona të vetemëruar ose nepotikë.
Konflikti
Sindikatat, sherr te Ministria e Arsimit për kontratat e mësuesve
Duhet të ishte një takim normal mes sindikatave dhe Ministrisë së Arsimit, por ka sjellë një sherr midis dy përfaqësuesve të punonjësve. Sindikata e Arsimit dhe Konfederata e Sindikatave nuk kanë pranuar të ulen në një tavolinë me njëra-tjetrën. Arsyeja kryesore ka qenë kontrata kolektive e mësuesve, e nënshkruar tri vite më parë nga kreu i Federatës së Sindikatës së Arsimit, Xhaferr Dobrushi. Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, ka akuzuar Xhaferr Dobrushin se është bërë palë me ish-qeverinë dhe se nuk mbron interesat e punonjësve. Pavarësisht nga ndërhyrja e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, asnjë prej palëve nuk pranoi të ulej në një tavolinë. Fillimisht, ministrja e Arsimit zhvilloi bashkëbisedim me të dy përfaqësuesit e sindikatave për t’i bindur për takimin, por as kjo përpjekje nuk mjaftoi për palët. Më pas Nikolla ka zhvilluar takim të ndarë me dy përfaqësuesit, të cilët në vend që të luftojnë për të drejtat e punonjësve, preferojnë të zhvillojnë konflikte se kush do t’i përfaqësojë mësuesit. Federata e Arsimit, e cila kishte kërkuar këtë takim me ministren e Arsimit, i kanë paraqitur asaj një sërë problemesh dhe i kanë kërkuar respektimin e kontratës kolektive të mësuesve.
Etika në media
Konsulta për Kodin e Transmetimit
Autoriteti i Mediave Audiovizuale vazhdon konsultimet me mediat dhe aktorët e tjerë të interesit për miratimin e Kodit të Transmetimit dhe rregulloreve për transmetimet me natyrë tregtare dhe ato pa shpërblim për mesazhe me rëndësi të madhe. Në mbledhjen e tretë për konsultimin e këtyre dokumenteve, fokusi u përqendrua kryesisht tek kodi i transmetimit, një dokument ky i cili u konsiderua si mjaft i rëndësishëm. Ky dokument u cilësua si mjaft domosdoshëm për të rregulluar problematikën e respektimit të privatësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në media. ”Është e drejta e njeriut për privatësi, dhe sidomos në këtë rast mbrojtja e të drejtave të fëmijës. Dhe vendosja në qendër të veprimtarisë mediatike të fëmijës. Argumentet janë shembujt e shkeljeve etike dhe të privatësisë të programeve informative në përditshmërinë e realitetit mediatik shqiptarë sot, sidomos ndërhyrjet e AMA-s për këtë çështje për ndalimi e tyre ilustrojnë për mendimin tonë për njohjen urgjente të Kodit të Transmetimit nga OSHMA”, – tha Zimo Krutaj specialist i transmetimeve në AMA. Pjesëmarrësit vlerësuan gjithashtu edhe projektrregulloret për transmetimet pa shpërblim të mesazheve me rëndësi të madhe për publikun. Në këtë takim u theksua se të gjithë këto dokumente do të ndihmojë në përcjelljen sa më korrekte të mesazheve audiovizuale.




