Futbollistët dështakë të Premier Ligës

Sa e vështirë mund të jetë të luadh në kampionatin anglez. Për disa mund të jetë e thjeshtë. Kështu, ata kthehen në lojtarët yje dhe pastaj mund të kalojnë dhe në kampionate të tjera me çmim më të lartë, pasi kampionati anglez ofron një treg marketingu të madh, por ka edhe raste kur blerjet e destinuara përfundojnë në zhgënjim. Shumë lojtarë që kanë ardhur në Premier për të qenë yje, janë kthyer thjesht në emra.

 

 

Liverpool v MiddlesbroughTë luash në një ndër ligat më të forta të botës nuk është ë thjeshtë. E vështirë është që të luadh dhe të qëndrosh në majë. Kjo, pasi në Premier Ligë të duhet shumë punë dhe shumë forcë. Kampionati ka vite që është mbajtur për kampionatin me më shumë konkurrencë, për arsye se modeli i lojës është tepër i shpejtë dhe kërkon një ritëm tepër të lartë gjatë gjithë kohës. Jo të pakët janë ata që arrijnë të përshtaten dhe të bëjnë emër. Nëse je i mirë në një skuadër angleze, atëherë ngrihesh në qiell më shumë se ç’mund të ndodhë në çdo kampionat tjetër. Kjo, si në aspektin e famës, por edhe anës financiare. Mirëpo, nga ana tjetër e medaljes ka dhe problem. Mundësia që të dështosh është e madhe, pasi ritmi i skuadrave nuk lë vend për hapësirë kështu një dëmtim apo dy ndeshje në të cilat nuk mund të paraqitesh mirë, kanë ndikim të rëndë. Kjo, pasi ose do të zëvendësohesh, ose nuk do të arrish të përshtatesh. Jo të pakët janë lojtarë që kur erdhën në Angli, kanë qenë yje, por që me formën e tyre ata zhgënjyen. Këtu mund të përmendin emra si Morientes apo edhe Shevçenko. Transferime të mëdha, por që nuk rezultuan të tilla. Ukrainasi dhe spanjolli nuk arritën që të bindnin dhe shënuan pak gola, duke mos e pasur të gjatë kështu qëndrimin. Ndërsa Anderson dhe Luis Nani i kushtuan Mançester Junajtidit verën e vitit 2007 plot 35 milionë paund të dy së bashku, duke detyruar Sër Aleks Fergusonin të paguante shtrenjtë dy prej mesfushorëve, që konsideroheshin më të mirët e brezit të tyre. Por, pas 7 vitesh, i pari u huazua te Fiorentina me të drejtë blerjeje 6.5 milionë euro (pak më shumë se 5 milionë paund), ndërsa tjetri është pranë rikthimit te Sporting Lisbona. Lëvizje këto që nuk kanë sjellë suksese, por vetëm zhgënjime. Në shkrim janë paraqitur shkurtimisht disa nga blerjet të supozuara për të qenë të mëdha, por që u kthyen në zhgënjime.

 

Alberto Akuilani

Aktualisht, luan te Fironetina dhe duket se tashmë është një mesfushor mesatar i kampionatit italian, por Akuilani nuk ishte i destinuar për të qenë i tillë. Bashkë me De Rosin italiani ishte një ndër prurjet më të reja të Romës në atë kohë. Kështu dhe transferimi i tij për te skuadra e Liverpulit në Angli. Lojtari u transferua nga Roma te Liverpuli në vitin 2009 për shifrën 17 mln paund. “Princi i vogël” mbërriti me reputacionin mbretëror, por pas 3 vitesh në “Anfield Road”, ku luajti vetëm 18 ndeshje në Premier Ligë, u rikthye në Itali te Fiorentina për një shumë qesharake. Sot “Little Prince” anglezët e kujtojnë si “Big Price” (Çmimi i shtrenjtë). Një ironi e hidhur kjo që tregoi edhe fatin e lojtarit. Kalimi i një periudhe të keqe në Angli duket se nuk i dha më mundësinë lojtarit që të shkonte në nivelin e tij më të mirë. Edhe pse tashmë po bën mirë te Fiorentina, ai gjithmonë do të mbahet mend si një dështim në Angli.

 

Tomas Brolin

Të njëjtin fat duket se përjetoi edhe Tomas Brolin. Lojtari kaloi në vitin 1995 nga Parma te Lidsi për shifrën 4.5 milion paund. Nja goditje e madhe kjo për skuadrën e atëhershme. Gjithmonë kur një lojtar transferohej nga Seria A në Premier Ligë, në mesin e viteve 1990 konsiderohej goditje e madhe. Por “Tomas Tanku” u rikthye në Parmë brenda 2 vitesh me vetëm 4 gola të shënuar në “Elland Road” dhe mediat ishullore tallen se “tankut” suedez iu fik motori. Një tank që nuk funksionoi dhe që kaloi pjesën më të errët të karrierës së tij në Premier. Një eksperiencë jo e mirë për lojtarët që vinin nga Italia.

 

Stefan Givarsh

Një blerje tjetër e dështuar ka qenë edhe ajo Stefan Givarshit. Lojtari kaloi nga Okseri për te skuadra e Njukastëllit në vitin 1998 për shifrën e 3.5 mln paundve. Lojtari ishte një ndër yjet e ligës franceze. “Këpuca e Artë” e Ligës së Parë dhe Kupës UEFA dhe sulmuesi numër 1 në Francë. Jo gjithçka shkoi mirë, madje duhet thënë që shkoi shumë keq. Kështu, ai u detyrua që të huazohej te Glasgou pas 3 muajsh me 1 gol të shënuar. Eksperiencë e hidhur për një sulmues që kishte shënuar shumë në karrierën e tij jashtë Anglisë.

 

Fernando Morientes

Morientes ka për të folur shumë. Sulmuesi spanjoll mbahet si një ndër më të mirët e brezit të tij. Aq i mirë, saqë arriti që të luante edhe me galaktikët e Madridit. Një sulmues, i cili dukej i kompletuar dhe ishte një ndër më të frikshmit në arenën evropiane. Mirëpo, jo gjithçka do t’i shkonte vaj, kur të kalonte në Angli. Kjo, pasi aty do të ngecte, duke mos pasur performancën që kishte në La Ligën spanjolle. Pyka spanjolle u transferua nga Reali i Madridit për te Liverpuli në vitin 2005 për shifrën 6.3 mln paund. Erdhi në “Anfield” me 3 Champions dhe thuajse 100 gola të shënuar në “Bernabeu”, por për të kuptuar ndikimin e tij minimal në Liverpul mjaftojnë 12 golat që shënoi në 60 ndeshje. Një statistikë e frikshme kjo për një sulmues të kalibrit të lartë. Skuadra e “redsave” gjithmonë ka pasur eksperienca të mira me spanjollët. Duke filluar që këtu nga Benitezi si trajner, por edhe lojtarë si Torres, Ksavi Alonso dhe Arbeloa që u rritën në atë akademi, por jo mirë për Morientesin që renditet si një ndër të dështuarit e Premierit.

 

Afonso Alvesh

Braziliani Afonso Alvesh pësoi të njëjtin fat. Lojtari kaloi nga Herenveni për të skuadra e Midëllzbrout në vitin 2008 për shifrën e 13.5 mln paund. Golat e sulmuesit brazilian e kalonin numrin e ndeshjeve të tij në Holandë, por ai do njihet si lojtari që i kushtoi Midëllezbrout 1 gol 1 mln paund, pasi shënoi plot 13 në total, përpara se të largohej drejt Lindjes së Mesme pas 2 vitesh.

 

Frensis Xhefers

Fat jo i mirë për Frensis Xhefersin, pasi nga lojtari pritej shumë dhe zhgënjeu, duke u kthyer në një dështim. Ai kaloi nga Evertoni për te “topçinjtë” e Arsenalit në vitin 2001 për shifrën 8 milionë paund. I quajtur ndryshe “Dhelpra e zonës” në atë kohë ishte vetëm 20 vjeç dhe konsiderohej e ardhmja e Arsenalit e Anglisë. Por ishte Henri ai që u bë golashënuesi i historisë së “topçinjve” dhe jo partneri i tij. Francezi arriti ta kalonte duke u kthyer në liderin që i dha suksesin skuadrës. Kështu Xhefers u largua pas 3 vitesh me 9 gola. Një eksperiencë e hidhur kjo në skuadrën londineze që i kushtoi shumë.

 

 

 

Ouen Hargrivs

Një ndër lojtarët e epokës së Mançesterit të Fergusonit në vitin 2007 ishte edhe Ouen Hargrivs. Një lojtar për të cilin më shumë kishte zhurmë, pasi nuk arriti që të realizonte shumë gjëra. Lojtari kaloi nga gjermanët e Bajernit të Mynihut për te “djajtë” e Mançester Junajtidit në vitin 2007 për shifrën e 17 milionë paund. Skuadra e Junajtidit fitoi garën me shumë klube evropiane për të firmosur me pasardhësin e Roi Kinit. Ai shkëlqeu vetëm 1 sezon kur Mançester Junajtid fitoi titullin dhe Champions-in, por më pas ai pati një sërë dëmtimesh që duken se mbyllën ciklin e tij. “Kishte diçka tek ai që nuk më pëlqente”, – shkruan Ferguson në autobiografinë e tij. Ndoshta kishte diçka të ngjashme me paraardhësin e tij Kin, por ndryshe nga ai nuk është se la shenjë duke u konsideruar si një blerje e keqe.

 

Devid Bentli

Një histori sa komike aq edhe tragjike për fatin e Devid Bentlit, për arsye se lojtari ishte një ndër ata yje nga të cilët pritej shumë për të bërë në të ardhmen. Devidi u transferua nga Bllekbërni për te londinezët e Totenhemit në vitin 2008 për shifrën e 15 milionë paund. Devid Bekami i ri erdhi si mbreti i asisteve prej dy sezonesh radhazi. Mirëpo kthesa do të vinte pas 42 ndeshjesh, kur ai u la i lirë. Por çfarë ka ndodhur sot me këtë lojtar? Ai është një lojtar pa ekip. Një blerje e keqe, që rezultoi edhe në një fat të keq për lojtarin.

 

Andri Shevçenko

Ai që i përmbledh më mirë të gjitha këto dështime është Andri Shevçenko. Për yllin ukrainas mund të thuhet shumë, pasi te Milani ai arriti që të fitonte Ligën e Kampioneve, duke fituar edhe “Topin e Artë”. Një ndër lojtarët më të mirë të periudhës së tij. Gjithashtu, ai mbahet edhe si një ndër ata lojtarë që do te mbeten gjatë në mendjet e milanistëve, sepse për shumë vite rresht ishte idhulli i tyre. Golat e shënuar, por edhe loja me skuadrën e kthyen atë në një lojtar të madh. Mirëpo, gjithçka do të ndryshonte kur ai do të lëvizte. Andri Shevçenko u transferua nga Milani për te Çelsi në vitin 2006 për shifrën 30 milionë paund. Në moshën 29-vjeçare, “Topi i Artë” kishte shënuar 127 gola në 208 ndeshje në Serinë A. Nuk të vjen shpesh një mundësi e tillë. Por pas dy vitesh, transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit anglez u rikthye në San Siro me vetëm 9 gola në Premier Ligë. Një dështim i madh për një yll të madh, që bëri lëvizjen më të gabuar të karrierës së tij.

Kështu, këta lojtarë tregojnë më së miri që jo gjithçka është e destinuar për mirë në Premier Ligë, pasi lufta tepër e vështirë dhe futbolli fizik shpesh mund të sjellin dështim, duke u bërë blerje dhe transferime të padobishme.

Share it :