Sonja Caka
Avokati kërkoi ndryshim të kualifikimit të akuzës, trupa gjyqësore nuk ndryshon as presjen nga vendimi i kolegëve të Shkallës së Parë
Nuk ndryshon asnjë presje nga vendimi i mëparshëm, burg përjetë për Ilir Xhaken. Ky ka qenë edhe verdikti përfundimtar i trupës gjyqësore të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, e cila e shpalli fajtor për tri vepra penale të pandehurin Xhakja, konkretisht për “Vrasje në rrethana cilësuese”, “Kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që Gjykata i dha pafajësi për njërën prej tyre, përkatësisht për “Vrasje të mbetur në tentativë” ndaj një kalimtareje. Pesëshja e trupës gjyqësore i ka dhënë mundësinë avokatit të të pandehurit për të paraqitur argumentet e tij lidhur me vendimin e dhënë nga gjyqtarët e Shkallës së Parë. Avokati Andi Duraj kërkoi ndryshim të kualifikimit të akuzës për klientin e tij, pasi vrasja ka ndodhur nga gjaknxehtësia dhe duhet dënuar për vrasje në kushtet e tronditjes psikike, kërkesë dhe argumente që nuk e bindën trupën gjyqësore, e cila vendosi të linte në fuqi vendimin e kolegëve, duke dënuar përjetë autorin e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.
Vendimi
Për Gjykatën, Ilir Xhakja është autori i vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të shefit të Komisariatit të Shijakut, kryekomisarit Adem Tahiraj, ndërsa është shpallur i pafajshëm për plagosjen e kalimtares së rastit Lena Ndoit, ngjarje kjo e ndodhur më 13 shtator 2012 në fshatin Katund i Ri, Komuna Sukth. Sipas togave të zeza, i gjithë sherri që përfundoi në vrasjen e kryekomisarit ka nisur për bllokimin e makinës pa letra dhe xhama të zeza të nipit të të pandehurit, Ledio Krasnaj. Bllokimi i kësaj makine ka irrituar Ilir Xhaken, i njohur në zonë si njeri me precedentë të mëparshëm penalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ka nxjerrë pistoletën duke e shkrehur 6 herë në drejtim të trupit të kryekomisarit. Pas vrasjes, Xhakja së bashku me nipin është larguar për t’u vetëdorëzuar në orët e vona të po asaj ditë në drejtorin e Policisë Durrës. I pandehuri Ilir Xhakja ka pretenduar se ka qëlluar në drejtim të kryekomisarit për vetëmbrojtje, por asnjë nga dëshmitarët e akuzës dhe mbrojtjes nuk provuan këtë pretendim. Sipas Gjykatës, rezultoi gjatë këtij gjykimi se i pandehuri veprat penale i ka kryer i shtyrë nga motive krejtësisht të dobëta, i ka kryer ato me egërsi dhe mizori dhe ka realizuar qëllimet e tij kriminale duke përdorur armët e zjarrit gjë që e rëndon së tepërmi pasojën e veprimeve të tij kriminale.
Akuza
Refuzimi për kontrollin e makinës së nipit passolli edhe krimin e rëndë që rrezikon t’i kushtojë gjithë jetën e tij brenda qelive të burg të pandehurit Xhakja. Prokurori ka sqaruar për gjykatën edhe momentin kur nisi gjithçka, momenti i urdhrit për ndalimin dhe kontrollin e dokumenteve të makinës “Opel”, pa targa dhe me xhama të zinj. “Shefi i komisariatit urdhëroi shoferin F. H., të zhvendosej majtas për t’i bllokuar rrugën një automjeti tip “Opel”, me ngjyrë të zezë, me targë të huaj, i cili po vinte në drejtim të kundërt me automjetet e policisë. Në kabinën e tij ndodhej vetëm një person, i cili u identifikua më pas si L. Krasnaj, 17 vjeç, banues në Katund Sukth. Drejtuesi i mjetit iu bind urdhrit, duke ndaluar mjetin me të cilin udhëtonte. Shefi i komisariatit dhe dy punonjësit që e shoqëronin zbritën nga automjetet për të verifikuar rastin. U urdhërua shoqërimi i automjetit për në Komisariatin e Shijakut, pasi rezultoi pa dokumente regjistrimi sipas ligjit. L. Krasnaj nuk kundërshtoi, F. H. u urdhërua të hipte në kabinë për të siguruar shoqërimin dhe drejtuesi filloi manovrën për kthimin e automjetit mbrapsht, me drejtimin për Shijak. Provohet se në këto momente u largua nga vendngjarja edhe automjeti i shoqëruar “VW Golf”, me lejen e drejtuesit të operacionit, për shkak të vështirësive që u krijuan për qarkullimit e mjeteve në këtë segment rruge. Pra, S. G. dhe J. G. nuk kanë qenë dëshmitarë okularë të krimit të vrasjes së kryekomisarit në momentin e konfliktimit me të pandehurin. Teksa automjeti “VW Golf” sapo kishte përfunduar apo ishte duke përfunduar manovrën, në vendngjarje afrohet një automjet “Mercedes-Benz”, tip “Regina 320”, i pajisur vetëm me një targë të huaj në pjesën e pasme, i cili ndaloi përbri automjeteve të policisë. Siç edhe rezultoi gjatë dëshmive të marra në këtë gjykim me këtë automjet u provua se udhëtonte i pandehuri Ilir Xhakja”, – bëhet me dije në vendimin e Gjykatës.
Akuzat
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”
“Vrasje e mbetur në tentativë”
“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”
“Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”
Tiranë
KLD dorëzon dosjen e Lleshit në Ministri të Drejtësisë, kërkohet procedimi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar dokumentacionin në Ministrinë e Drejtësisë mbi inspektimin e veprimtarisë së gjyqtarit të Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, i akuzuar për korrupsion, me qëllim gjykimin mbi fillimin e procedimit disiplinor. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa bën të ditur se KLD-ja i ka kërkuar gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë verifikimin e të dhënave mbi mjekët e familjes dhe mjekët e tjerë, të cilët kanë lëshuar akte të përdorura në këto procedime penale, duke i rekomanduar edhe zhvillimin e një inspektimi tematik mbi mjekët që lëshojnë akte për qëllime provuese në procese gjyqësore. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njoftoi gjithashtu Prokurorinë e Përgjithshme për rezultatin e këtij inspektimi.




