Anxhela Tato
Krimi më 5 janar 2011, Destan Gjeta u përlesh me bandën e vëllezërve Duriçi për shfrytëzimin e minierës
Në mars 2011, digjet makina e të prangosurit Ilir Duriçi, autorët, rivalët Destan Gjeta dhe Ilir Jangulli
Kanë kaluar tre vjet nga ngjarje e rëndë në Bulqizë, ku si pasojë e përplasjes së armatosur mes dy bandave të kromit mbeti i vrarë Fehmi Kurçani. Ai u gjend në vendin e gabuar, në momentin gabuar, mes automjeteve të dy bandave rivale për shfrytëzimin e minierës. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me efektivët e Dibrës ka çuar në pranga një nga autorët e krimit, Destan Gjetën. Arrestimi i tij është bërë në zonën e Shkozetit gjatë paradites së djeshme. Destan Gjeta akuzohet për veprat penale “Vrasje në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkatërrim prone me dashje”. Ai ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ngjarja për të cilën akuzohet ky shtetas, ku për pasojë është vrarë një person dhe janë plagosur dy të tjerë, ka ndodhur më datë 5 janar të vitit 2011 në qendër të qytetit Bulqizë, ku mbeti viktimë Fehmi Kurçani, i cili u gjend mes një konflikti për shfrytëzimin e galerive të kromit në mënyrë të paligjshme.
Zjarrvënia
Vetëm një vit pas vrasjes në Bulqizë, në 6 mars të 2012, digjet në kryeqytet automjeti i njërit prej bosëve të minierës së Bulqizës, i cili ndodhet në qeli si një ndër autorët e përleshjes së armatosur. Bëhet fjalë për makinën me targa TR 4800 N, në pronësi të Ilir Duriçit, i cili së bashku me familjarë të tij u konfrontua me rivalët Destan Gjeta dhe Ilir Jangulli. Palët janë konfliktuar edhe gjatë vitit 2010, po duke shkëmbyer zjarr mes tyre, për shkak të rivalitetit dhe konkurrencës në lidhje me minierat e kromit. Në vendin e ngjarjes ekspertët, kriminalistë të policisë gjatë këqyrjes konstatuan një shishe plastike me kapacitet një litër e gjysmë, e cila kishte qenë e mbushur me benzinë. Me këtë të fundit sipas burimeve të policisë mendohet se është spërkatur autovetura në pronësi të Duriçit. Dëshmitarët i kanë thënë policisë se mjeti ishte spërkatur me benzinë dhe i ishte vënë flaka mesditën e të dielës rreth orës 14:00. Hetuesit morën prej disa personave, një përshkrim të hollësishëm mbi autorët e mundshëm të krimit, ndërsa policia shpalli në kërkim dy autorët Gjetën dhe Jangullin.
Vrasja
Me 5 janar të vitit 2011, dy grupe rivale u përplasën me armë në qendër të Bulqizës për çështjen e kromit. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Fehmi Kurçani, 48 vjeç, si dhe u plagosën dy të tjerë. Fillimisht policia arrestoi Arben Duriçin, ndërsa më vonë u arrestuan Ilir, Adrian dhe Ndriçim Duriçi, të gjithë vëllezër si dhe Vladimir Crroi. Po ashtu policia arrestoi edhe Shpëtim Rekën dhe Leonard Ndreun, të cilët mbetën të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Në vendin e ngjarjes, policia pas shkëmbimit të zjarrit bllokoi në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë 3 automjete të dëmtuara si dhe dy mjete të tjera “Land Rover” të përdorura nga autoret e krimit.
Trafiku i femrave
Artan Didi: Shqipëria, vendi i origjinës për destinacionet e prostitucionit
Shqipëria vijon të jetë vendi i origjinës për destinacionet e viktimave të prostitucionit, ndërsa pjesë e listës së destinacioneve janë shtuar edhe Belgjika, Zvicra, Gjermania dhe ndonjë rast sporadik në Britaninë e Madhe. Një dukuri që është vënë re kohët e fundit është shndërrimi i viktimave të trafikimit, kryesisht vajzave të shfrytëzuara për prostitucion, në bashkëpunëtore të ngushta të trafikantëve për rekrutimin e vajzave të tjera. Të miturit shfrytëzohen kryesisht për lypje brenda vendit, por ka pasur edhe raste kur destinacioni i tyre ka qenë Kosova. Këto janë disa nga faktet e bëra publike nga ana e kreut të Policisë së Shtetit gjatë takimit me përfaqësues të OSBE-së, me temë “Hetimi dhe ndjekja penale e veprave të trafikut të personave”. Nga të dhënat e bluve rezulton se rekrutimi i vajzave shqiptare është duke iu ofruar punë si valltare nëpër lokale e bare të ndryshme e më pas përfshirja e tyre në aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit. “Ka pasur edhe raste të mashtrimit për bashkëjetesë, fejesë, martesë. Trafikimi realizohet nëpërmjet kalimit të ligjshëm të kufirit shtetëror, duke shfrytëzuar qarkullimin e lirë pa viza. Megjithatë, ka edhe disa raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, kryesisht për t’iu shmangur kontrolleve të policisë apo kur viktimat e trafikimit janë të mitur”. Ndërkohë, një trend në rritje në këtë periudhë është shfrytëzimi për punë i shtetasve të huaj, si rasti i dy shtetasve filipinas të trafikuara nga Kosova, me qëllim shfrytëzimin për punë si kuzhinier. Personat e përfshirë në fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore u përkasin grup-moshave 25-40 vjeç, kanë edukim të ulët arsimor, si dhe probleme të ndryshme familjare. Pjesa me e madhe e tyre kanë jetuar jashtë shtetit, aty ku zhvillojnë edhe veprimtarinë e tyre kriminale. Gjithashtu, është vënë re se trafikantët nuk përdorin më dhunë fizike dhe psikologjike për rekrutimin e viktimave, janë të pakta rastet kur një femër dhunohet ose mashtrohet për qëllime shfrytëzimi. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet marrëveshje midis trafikantëve dhe viktimave për të punuar jashtë shteti për qëllime prostitucioni, duke ndarë fitimet me njëri-tjetrin. Zëvendësambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Witlon ,ka konfirmuar vendosmërinë e përbashkët për të qenë në krye të përpjekjeve për të luftuar trafikimin e personave. Sipas tij, lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore e veçanërisht për fëmijët duhet të jenë prioritet në luftën kundër trafikimit. Zv.ambasadori i OSBE-së, Wilton, gjatë fjalës së tij nënvizoi se lufta ndaj trafikimit dhe rritja e ndjekjeve penale ndaj personave që trafikojnë duhet të jetë prioritet. “Por ndjekja penale e trafikimit nuk mund të pengojë ndjekjen e të drejtave të njeriut për të trafikuarit”, – nënvizoi ai duke shtuar se duhet të merren masa të posaçme, kryesisht ndaj fëmijëve të trafikuar.
Shkodër
Makina del nga rruga, 1 i vdekur dhe 1 i plagosur
Një person i vdekur dhe një i plagosur është rezultat i një aksidenti të ndodhur rreth orës 17:20 në aksin rrugor Shkodër – Hani Hotit. Ngjarja është bërë e ditur nga policia lokale që ka shkuar në vendin e ngjarjes. Një person ka mbetur i vdekur, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Sipas uniformave blu, viktimë e këtij aksidenti ka mbetur Fran Pepushaj, 22 vjeç, ndërsa i plagosur rëndë është Saimir Hoxha. Sipas policisë, makina ka dalë nga rruga në fshatin Shtoj, pasi ka humbur kontrollin e mjetit.
Francë
Ishin futur në kamion-frigorifer, ndalohen 48 emigrantë shqiptarë
Ndalohen 48 emigrantët klandestinë shqiptarë, të cili ishin futur një kamion-frigorifer që po udhëtonte drejt Britanisë së Madhe. Siç shkruan “BBC”, në kamionin që është ndaluar në kufirin e Francës kanë qenë 41 meshkuj dhe 7 femra. Kamioni është kontrolluar në pikën e kalimit kufitar në hyrje të tunelit të La Manshit që lidh Francën me Britaninë e Madhe. Kamioni drejtohej nga një shofer rumun dhe nuk është sqaruar ende se nga cili vend ishte nisur dhe çfarë po transportonte. Nga emigrantët klandestinë shqiptarë, tre ishin të mitur. Pas zbulimit të tyre, emigrantët dhe shoferi u janë dorëzuar autoriteteve franceze që po bëjnë hetim të tjera më të hollësishme. Drejtori i çështjeve për Evropën Lindore, Dave Hutchinson, ka thënë për “BBC” se është shumë e rrezikshme që njerëzit të hyjnë në kamionët frigoriferikë për të kaluar kufirin, pasi ata mund të humbin dhe jetën.




