Intervista Rrëfimi i Metës për 21 janarin, marrëdhëniet me Ramën dhe Berishën

Meta ne opinionKreytari I kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht kreu I LSI-së Ilir komentoi dje në emisionin “Opinion” në Tv Klan zhvillimet e fundit politike në vend si edhe demonstratën e opozitës së kaluar më 21 janar, në kuadër të mbajtjes së përvjetorit të tretë të saj pak ditë më parë. Po ashtu, ai bëri të ditur marrëdhëniet me kryeministrin Rama dhe ish-kreun e qerverisë Berisha

Intervistoi: Blendi Fevziu

Blendi Fevziu – Zoti Meta, një nga eventet e tjera të rëndësishme të kësaj jave, po e quaj kështu, ka qenë përkujtimi i 3-vjetorit të 21 janarit, një ngjarje për të cilën kemi dijeni, është diskutuar shumë më pas. Përse ju vetë nuk morët pjesë në përkujtimore?

Ilir Meta  – Unë kam qenë në Marsejë, në konferencën e organizuar nga Presidenti i Senatit francez dhe Kryetari i Parlamentit të Francës, që është Asambleja Parlamentare e vendeve të Mesdheut.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, çfarë ka qenë për ju 21 janari? Si do ta përkufizoni ju 21 janarin? A keni ndryshuar mendim për të?

Ilir Meta – Unë do të kisha dëshirë që kjo ditë të mos ishte në kalendarin e vendit tonë. Sigurisht është një ditë që na fton të gjithëve për të reflektuar vazhdimisht, për të normalizuar politikën dhe për të mos konfrontuar qytetarët dhe politikanët me njëri-tjetrin.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, a keni ndryshuar ju mendim sot për atë që ka ndodhur më 21 janar krahasuar me mendimin që keni pasur 3 vjet më parë?

Ilir Meta – Cilin mendim?

Blendi Fevziu – Materiali nr.5, një material që e ka transmetuar televizioni Klan dje dhe pardje.( material audioviziv).Ndërkohë po dje Petrit Vasili, një nga krerët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka marrë pjesë në homazhe. Materiali nr.6, vetëm mbulim ju lutem! A mund të marrësh pjesë në homazhe për persona që ju i quani halabakë, rrugaçë dhe kriminelë që sulmojnë shtetin?

Ilir Meta –Së pari, më vjen keq se pa dashje ju po përdhosni kujtimin e 4 viktimave të pafajshme.

Blendi Fevziu –  Po ju pyes për deklaratat.

Ilir Meta – Më vjen keq, sepse ju po spekuloni fund e krye.

Blendi Fevziu – Ky është material filmik.

Ilir Meta – Ajo që është thënë varet se si interpretohet. Kemi dy çështje të ndryshme, qëndrimin për këta elementë, të cilët u konfrontuan me policinë, qëndrimin për qytetarët, pjesa masive…

Blendi Fevziu – Ata që ambasadori amerikan i quajti “një grup me axhendë të paracaktuar”?

Ilir Meta – … të cilët ishin pjesëmarrës dhe nuk kryen asnjë akt konfrontimi dhe natyrisht ajo që është më e rëndë, kemi edhe 4 viktimat e kësaj ngjarjeje tepër tragjike, të cilët ishin njerëz, qytetarë krejtësisht të pafajshëm dhe pamjet që kemi parë kanë treguar që janë vrarë në mënyrën më të papranueshme, më absurde dhe më kriminale.

Blendi Fevziu –Nuk kanë qenë sulmues të policisë.

Ilir Meta – Prandaj them se ky është një spekulim. Qëndrimi i LSI-së lidhur me çështjen e hetimit për 21 janarin dhe për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm nuk ka ndryshuar. Qëndrimi është deri në fund: drejtësi dhe zbardhje për këtë ngjarje. Përgjegjësit të shkojnë përpara drejtësisë. Pra, nuk duhet të ngatërrojmë një qëndrim për ata elementë që janë konfrontuar me policinë, një grup i kufizuar, me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve.  Ju keni zgjedhur ato pamje që e bëjnë më interesante këtë emision, është e drejta juaj, por edhe unë kam të drejtë të bëj të qartë diferencimin sipas kategorive.

Blendi Fevziu – Ka pasur një grup, i cili ka sulmuar policinë dhe është përbërë nga kriminelë ose njerëz problematikë?

Ilir Meta – Patjetër që ka pasur një grup që ka sulmuar policinë, që është përplasur me policinë. Kjo është parë në mënyrë të qartë.

Blendi Fevziu – Ju e dënoni sërish këtë si akt, zoti Meta?

Ilir Meta – Absolutisht po. Çdo akt që provokon rendin, provokon punonjësit e policisë, në çdo kohë, unë e dënoj, e quaj të papranueshëm, por  vrasja e 4 qytetarëve është e pafalshme, e patolerueshme, sepse bëhet fare e qartë, fare evidente se këta 4 qytetarë nuk kanë qenë duke sulmuar policinë, përkundrazi, kanë qenë protestues.

Blendi Fevziu – A ka pasur një gjykim të drejtë dhe të plotë 21 janari sipas jush, zoti Meta?

Ilir Meta – Unë jam politikan, aktualisht jam edhe kryetar Kuvendi dhe nuk më duhet të shpreh as rezerva, në qoftë se i kam këto rezerva, se kjo është çështje në proces. Ajo që kam kërkuar unë dhe LSI-ja, dhe që Petrit Vasili ka thënë, është se qëndrimi për këtë çështje nuk ndryshon, është drejtësi deri në fund, pa ndërhyrje të politikës për këtë çështje.

Blendi Fevziu – A ka pasur një grusht shteti më 21 janar, zoti Meta?

Ilir Meta – Kjo është një çështje që përsëri i takon drejtësisë për ta sqaruar. Çfarë vlere ka se çfarë do të thosha  unë në këtë rast?

Blendi Fevziu – Në gjykimin tuaj a ka pasur një tentativë për të marrë institucionet e shtetit atë ditë?

Ilir Meta – Unë besoj……mendoj se përgjigjen time e dhashë dhe sa më shumë krijohet distancë në kohë nga 21 janari i 3 vjetëve më parë, aq më shumë duhet të reflektojmë për të bërë një politikë shumë më të përgjegjshme, krejt ndryshe dhe jashtë gjuhës së konfrontimit, sepse konfrontimi, për fat të keq, sjell vetëm pasoja.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, 21 janari erdhi si pasojë e një proteste të organizuar nga PS-ja, por të lënë nën drejtimin e popullit, siç tha PS-ja e asaj kohe, që erdhi pas publikimit të një videoje nga emisioni “Fiks fare” të regjistruar në zyrën e ish-ministrit Dritan Priftit, mes jush dhe zotit Prifti. A i qëndroni ende bindjes suaj që ajo video ka qenë montazh?

Ilir Meta – Nuk ka nevojë t’i qëndroj unë, sepse kjo është një çështje tërësisht e verifikuar nga një proces tepër i gjatë gjyqësor. Unë kam qenë tërësisht i bindur për këtë çështje, ashtu sikurse për ta shkarkuar sa më shumë tensionin politik dhe ndjeshmërinë e opinionit publik që u krijua për shkak të manipulimit mediatik, për të pasur të gjithë kohën e duhur për ta sqaruar këtë çështje, e cila natyrisht do të kërkonte kohën e duhur, unë kam dhënë dorëheqjen…

Blendi Fevziu – Po, keni hequr dorë edhe nga imuniteti.

Ilir Meta –Për kuriozitetin tuaj, zoti Berisha nuk ishte dakord që unë të jepja dorëheqjen, sepse ai ishte po kaq i bindur se bëhej fjalë për një manipulim.

Blendi Fevziu – Pse nuk ishte dakord zoti Berisha?

Ilir Meta – Sepse ishte i bindur se kjo video ishte një manipulim, ishte një montim.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, si po shkon qeverisja me Ramën, a jeni i kënaqur me të?

Ilir Meta – Mendoj se qeveria po ecëm me mjaft angazhim dhe përkushtim. Është një qeverisje jo e lehtë, por e vështirë për arsye të problemeve të akumuluara në të gjitha drejtimet, problemet ekonomike dhe financiare, që janë të panumërta, natyrisht edhe ato sociale, sepse përderisa janë ato financiare dhe ekonomike ato reflektojnë…

Blendi Fevziu – A bashkëqeverisni ju me Ramën siç ju konsideron zoti Berisha apo kreu i PD-së, zoti Basha?

Ilir Meta – Unë nuk do të përgjigjesha me “a bashkëdrejtojnë ata opozitën tonë”?, sepse kjo është çështja e tyre. Mendoj se secili prej nesh ushtron përgjegjësitë e tij të plota, zoti Rama si Kryeministër i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe unë si Kryetar i Kuvendit, i zgjedhur me propozimin dhe me mbështetjen  e kësaj Aleance.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, ju keni bashkëpunuar me zotin Berisha, po bashkëpunoni me zotin Rama, ku qëndron ndryshimi midis të dyve?

Ilir Meta – Unë kam bashkëpunuar…

Blendi Fevizu – Mund të jeni i sinqertë këtu.

Ilir Meta – Unë në përgjithësi kam bashkëpunuar shumë mirë me zotin Berisha. Të jeni të sigurt, pavarësisht se çfarë mund t’ju thotë në kamera, por po ta pyesni jashtë kamerave, do t’ju thotë se ka mbetur shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me mua. Megjithëse u bë pak zemërthyer më 1 prill. E vërteta është se në fakt marrëveshja nuk u bë më 1 prill, por dy ose tri ditë më përpara.

Blendi Fevziu – Marrëveshja me Ramën?

Ilir Meta – Po, por më 1 Prill u bë takimi.

Blendi Fevziu – Dy ditë para apo gjatë darkës se famshme të “ngjalave”?

Ilir Meta – Jo, u bë dy ose tri ditë para 1 prillit. Unë do ta kisha komunikuar më përpara, por ato dy ditë nuk isha në Shqipëri, sepse mendimi im ka qenë gjithmonë që një politikan mund të bëjë marrëveshje me këdo, por nuk mund të ketë dy marrëveshje në të njëjtën kohë. Unë kam pasur një marrëveshje me zotin Berisha, së cilës i kam qëndruar në mënyrën më korrekte dhe, siç është në natyrën e LSI-së, ne e respektuam këtë marrëveshje deri në fund të mandatit, pastaj bëmë zgjedhjen tonë të pavarur.

Blendi Fevziu – Me cilin është më vështirë të punosh, ose edhe më thjesht, me Berishën apo me Ramën?

Ilir Meta – Unë nuk shikoj vështirësi. Të dy kanë elemente të përbashkëta, por absolutisht që ky koalicion është shumë më i natyrshëm, sepse…

Blendi Fevziu – Çfarë kanë të përbashkët Berisha dhe Rama, sipas jush në raport me LSI-në?

Ilir Meta – Këtu nuk bëhet fjalë në raport me LSI-në.

Blendi Fevziu – Po të përbashkët si drejtues?

Ilir Meta – Fakti që kanë pasur dhe kanë këtë karrierë tregon se nuk janë të rastësishëm. Pra, janë njerëz  që kanë përkushtim, energji dhe vizion. Për sa u takon problemeve të tjera, nuk jam këtu për të bërë gjykatësin e tyre.

Share it :