Bankat po heqin paratë nga Evropa Juglindore

Ervin Kaduku

 

Bankat “largojnë” kapitale, ndërkohë që investimet e huaja nuk po arrijnë t’i kompensojnë. Në Shqipëri ikën 230 milionë euro nga bankat dhe hynë 260 mln euro nga investimet e huaja direkte

 

banka shqipNë raportin e fundit mbi perspektivën ekonomike rajonale, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pohon se rimëkëmbja e vendeve në tranzicion do të jetë e ngadaltë këtë vit, pavarësisht faktit se ekonomitë e zhvilluara kanë filluar tashmë rritjen. Pesimizmi i BERZH vjen si rrjedhojë e flukseve dalëse të kapitalit nga tregjet në zhvillim, madje thekson se, për herë të parë që nga viti 2011, fluksi neto i kapitaleve për të gjithë rajonin u kthye në negativ në tremujorin e tretë 2013. Këto flukse dalëse ka të ngjarë të vazhdojnë, thekson BERZH, teksa kushtet politike monetare në SHBA ka të ngjarë që të shtrëngohen gradualisht.

BERZH nuk jep të dhëna për flukset dalëse të Shqipërisë në tremujorin e tretë 2013, megjithatë të dhënat e Bankës së Shqipërisë kanë konfirmuar se është e njëjta tendencë si në rajon, me procesin e transfertës së parasë jashtë të bankave, që u përshpejtua sërish në këtë periudhë. Sipas statistikave të bankës qendrore, në aktivet e bankave zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” ka shënuar rritje të ndjeshme me 34%, apo 32 miliardë lekë (230 milionë euro) vetëm në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin, pas një periudhe prej tre tremujorësh radhazi, kur ky tregues kishte shënuar vetëm rënie dhe bankat ishin orientuar disi te bonot e thesarit të qeverisë shqiptare.

Për të njëjtën periudhë, investimet e huaja direkte në vend ishin rreth 260 milionë euro, duke bërë që kapitali neto i mbetur në vend të jetë minimal.

 

Rajoni

BERZH pret që rajoni të rritet, si Prodhim i Brendshëm në total, me 2.7% në 2014, krahasuar me 2.0% në 2013. Në mënyrë që të vazhdojë rimëkëmbja e qëndrueshme, vendet në rajon duhet të rifillojnë reformat strukturore dhe të merren me pasojat e krizës, përfshirë nivelet e larta të kredive me probleme dhe papunësinë afatgjatë. Në një mjedis të ri global, me diferenca të mëdha mes tregjeve globale, politikat e shëndetshme të brendshme do të luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e besimit të investitorëve dhe rritjen, theksohet në raport.

Për Shqipërinë, BERZH ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen ekonomike shqiptare në 2014, në vetëm 0.3%, nga 1.2% që ishte pritshmëria në tetor.

 

Flukset e kapitalit

Totali i flukseve private të kapitalit për rajonin në tranzicion si një i tërë u kthye në negativ në tremujorin e tretë 2013, për herë të parë në dy vjet. Portofoli i investimeve që nuk janë investime të huaja direkte nga Evropa Qendrore dhe Juglindore u kthye në negativ dhe flukset e investimeve të huaja direkte nuk ishin të mjaftueshme për të kompensuar uljen e tyre, ndërkohë që në të kaluarën kishte ndodhur ndryshe. Nga ana tjetër, bankat vazhdojnë procesin e uljes së raportit të aktiveve ndaj kapitalit në vend, në favor të bankave përtej kufirit. Kjo ka bërë që flukset dalëse nga Evropa Qendrore dhe ajo Juglindore të jenë në rreth 1% të PBB-së vjetore në tremujorin e tretë 2013. Procesi i transferimit të kapitaleve përtej kufijve në rajonin në tranzicion duket se është intensifikuar sërish, thekson BERZH. Në veçanti, shpejtësia e tërheqjes së fondeve nga bankat e huaja u rrit në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore. Ky proces i vazhdueshëm po shtyn rifillimin e rritjes së kredisë.

 

 

 

 

Ulen tarifat e terminimit, pritet rënie e çmimit të telefonisë celulare

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike Postare (AKEP) do të ulë më tej tarifat e terminimit të telefonisë së lëvizshme ose të tarifave që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet e kryera mes rrjeteve të ndryshme. Rudolf Papa, drejtor i Kabinetit të kryetarit të Këshillit Drejtues në AKEP, në një prononcim për median, tha se liberalizimi akoma më i thellë i tarifave të terminimit do të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës mes operatorëve të telefonisë së lëvizshme për çmime më të lira edhe për telefonatat mes rrjeteve të ndryshme. Ulja e tarifave të terminimit, sipas AKEP, do të bëhet në tri faza, përkatësisht 1 mars 2014, 1 janar 2015 dhe 1 janar 2016. Në fund të këtij procesi, tarifa e terminimit për të katër operatorët celularë do të jetë 1.48 lekë për minutë. Ulja e tarifave të terminimit në vlera pranë mesatares evropiane pritet të forcojë konkurrencën mes operatorëve dhe të shmangë tarifat diskriminuese për thirrjet jashtë rrjetit.

 

 

Share it :