Vrasja Thikë në zemër 32-vjeçarit, i zuri vendin e parkimit

 Anxhela Tato

 

Banorët: Viktima dhe autori debatuan dhe u konfrontuan fizikisht, njoftuam policinë

 Viktima po priste fëmijët që të dilnin nga mësimi, kur autori i ka kërkuar që t’i lironte vendin

 

kucove-300x168Tentoi të sqarohej me mësuesen, pasi i kishte qortuar djalin, por u ekzekutua nga bashkëshorti i saj. Debati është zhvilluar në ambientet e jashtme të shkollës, ku fillimisht të dyja palët janë konfliktuar për vendin e parkimit. Viktima po priste përfundimin e orarit mësimor për t’u takuar me bashkëshorten e autorit të krimit, por ky i fundit është acaruar, pasi i është zënë për pak çaste vendi i parkimit. Mësohet se mes të dyja palëve ka pasur ofendime të ndërsjella dhe situata ka degraduar në konfrontim fizik, deri në momentin kur autori i krimit ka goditur me thikë viktimën dhe e ka lënë të gjakosur në mes të rrugës. Viktima ishte duke pritur që fëmijët të mbaronin mësimin në shkollën 9-vjeçare dhe të sqarohej me mësuesen, të cilën po e priste bashkëshorti i saj, i cili ra në prangat e policisë. Nga të dhënat e para të bluve mësohet se viktima është identifikuar si Artan Braushi, 32 vjeç, babai i dy fëmijëve, ndërkohë që në pranga ka rënë Elton Bori, 30 vjeç. Dyshohet se viktima i kishte zënë vendin e parkimit 30-vjeçarit, i cili fillimisht i ka kërkuar që të linte vendin e lirë dhe të largohej. Viktima i ka thënë që të bënte durim se po priste fundin e orarit mësimor që të bisedonte me bashkëshorten e tij për djalin. Por debati është nxehur dhe të dy kanë filluar të ofendojnë njëri-tjetrin. Në një moment të dy janë larguar nga automjetet duke u konfrontuar fizikisht. Situata ka dalë jashtë kontrollit, kur Elton Bori ka nxjerrë një thikë dhe ia ka ngulur viktimës. Autori ka hipur me shpejtësi në automjet duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja është sinjalizuar në polici nga banorë të zonës. Blutë janë vënë në ndjekje të autorit, të cilin e kanë kapur pak metra larg shkollës duke e vënë pas hekurave.

 

Hetimet

 Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00 të drekës në Kuçovë. Banorë të zonës të alarmuar nga debati që po zhvillohej dhe të tronditur nga skena që kanë parë kanë njoftuar menjëherë policinë. Sapo blutë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë transportuar me urgjencë për në spital viktimën, i cili kishte vdekur në vend. Trupi i pajetë i 32-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Nga të dhënat e para mësohet se goditja ka qenë fatale në organin jetik të zemrës dhe i ka marrë jetën viktimës, i cili nuk mund t’i mbijetonte dot një plage aq të thellë. Banorët kanë dëshmuar se dy personat janë zënë me njëri-tjetrin për një vend parkimi. Por autori i ka kërkuar shpjegime viktimës për arsyen pse donte të takonte bashkëshorten, e cila ishte mësuesja e fëmijëve të 32-vjeçarit. Në sherr e sipër banorët kanë parë autorit teksa nxirrte thikën dhe godiste me forcë viktimë, i cili ka rënë në tokë pa ndjenja. Në këto momente autori ka hipur në makinë me shpejtësi dhe ka lënë viktimën, të cilët kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë banorët. Por 32-vjeçari nuk kishte më puls dhe kishte vdekur. Policia pritet që të marrë në pyetje autorin e krimit, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar se do të takonte viktimën në lidhje me sjelljen e djalit të tij. Për sa i përket ngjarjes ajo nuk ka dëgjuar asgjë, pasi ndodhje në orë mësimi. Blutë dyshojnë se motivi i ngjarjes mund të jetë vendi i parkimit.

 

Atentati

Gjergj Bojaxhi: Nuk e di kush e ka bërë, sulmi jo ndaj meje, pasi nuk u dogj makina ime

“Nuk kam asnjë të dhënë për motivin dhe personin që mund t’i ketë vënë flakën makinave. Nëse do isha në dijeni ose do të kisha ndonjë sinjalizimin, do ta kisha zgjidhur ndryshe”, – pjesë nga dëshmia e Gjergj Bojaxhiu para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Një ditë pas ngjarjeje, Gjergj Bojaxhiu mohon që të ketë dëgjuar shpërthimin, duke u shprehur se nuk mund të specifikojë nëse është përdorur lëndë plasëse ose djegëse. Burime bëjnë me dije se më tej ai ka mohuar që kjo ngjarje të ketë të bëjë me të, pasi janë djegur makinat e babait dhe e bashkëshortes së tij. Sipas Bojaxhiut, kjo do të thotë që nuk ka qenë ai objekt i sulmit, ndonëse ngjarja prek dy të afërm të tij. Për sa u përket dyshimeve për autorin Bojaxhiu është shprehur skeptik. “Nuk është djegur makina ime dhe ky është fakt që tregon se sulmi nuk ka qenë për mua. Edhe pse janë djegur automjete të të afërmve të mi, kjo ngjarje nuk lidhet me mua. Nuk kam asnjë ide se kush mund ta ketë bërë këtë gjë. Për sa kohë nuk kam asnjë lloj dyshimi, nuk kam sesi të jap emra. Por nëse do të kisha një motiv apo një emër, do e zgjidhja ndryshe”, – është shprehur Bojaxhi. Në pyetje për këtë ngjarje është marrë edhe babai i tij, i cili ka dhënë një deklaratë të ngjashme me të birin. E gjendur në këtë situatë policia ende nuk ka mundur dot të përcaktojë ndonjë pistë konkrete duke ngecur momentalisht hetimi. Automjetet i janë nënshtruar analizës shkencore, për të zbuluar nëse autori ka lënë ndonjë gjurmë që do të çonte në identifikimin e tij. Ekspertët janë duke përcaktuar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie apo shpërthim me tritol, nisur edhe nga dëshmitë e pronarit.

 

 

Hetimet

Eksplozivi banesës së Lulzim Haxhisë, me porosi nga një i burgosur

 Tritoli në banesën e Luzim Haxhisë është urdhëruar nga burgu. Ky është përfundimi paraprak i hetimeve të organit të akuzës. Burime bëjnë me dije se kanë dyshime të forta se është një nga të burgosurit e burgut të Fushë-Krujës autori i ngjarjes ndaj kreut të policisë. Sipas këtyre burimeve, mes Lulzim Haxhisë dhe njërit prej të burgosurve ka pasur konflikt për shkak të shkeljes së disiplinës. Ndërsa në pyetje janë marrë kolegë të Haxhisë, të cilët kanë mohuar që shefi i tyre të kishte përplasje ose debate me ndonjë nga të burgosurit. Nga ana e organit të akuzës pritet marrja e tabulateve telefonike, si dhe marrja në pyetje e të dënuarve në këtë burg. Nga ana tjetër Lulzim Haxhia ka mohuar të ketë konflikte. Sasia e vogël e lëndës plasëse tregon se ngjarja ka si qëllim që të paralajmërojë Haxhinë. Bëhet fjalë për një sasi prej 100 gramë lënde plasëse të llojit tritol. Vetë shefi i policisë është shprehur se nuk ka asnjë konflikt dhe as përplasje me ndonjë nga të burgosurit. “Nuk kam asnjë konflikt me kolegë ose të burgosur, me këta të fundit kam raport konstant pune. Nuk kam pasur as kërcënime dhe as shqetësime, por dyshoj se ngjarja mund të jetë e lidhur me detyrën time”, – pjesë e dëshmisë së Lulzim Haxhisë para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

 

 

Policia

Alarm fals për bombë, hetime telefonatës anonime

 Ka rezultuar fals alarmi për bombë në shkollën e mesme “Qemal Stafa” në Tiranë. Pas kontrolleve të ushtruara nga ana e policisë dhe forcat xheniere, të cilët mbërritën në vendngjarje, alarmi rezultoi i rremë. Alarmi është dhënë rreth orës 11:00 nga një telefonatë anonime në numrin 129 të policisë. Në drejtim të shkollës “Qemal Stafa” kanë shkuar forca të shumta policie dhe bashkë me njësinë antieksploziv, kontrolluan ambientet e shkollës me aparaturat dhe qentë antieksploziv dhe zbuluan se alarmi ishte fals. Policia evakuan nxënësit dhe mësuesit nga godina e shkollës. Ndërsa bëhet me dije se në telefonatën anonime është dalluar një zë mashkulli, që dukej se ishte adoleshent. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit që njoftoi për bombë në ambientet e shkollës, gjë që rezultoi e pavërtetë.

 

 

 

 

 

 

Share it :