Gjendja e Interit Maxarri i acaruar, del si opsion edhe largimi

Tekniku italian duket se nuk i ka pëlqyer lëvizjet e fundit për transferimin Guarin-Vuçiniç

 Ish-trajneri i Napolit nuk është kënaqur dhe kjo krizë momentale midis tij dhe klubit mund të çojë edhe në një largim në të ardhmen

 

mazzarri-2Shkëmbimi i dështuar mes Guarinit dhe Vuçiniçit ka nxjerrë në pah tek Interi një problem që tashmë ka dalë zbuluar. Kriza mes Valter Maxarrit dhe drejtuesve të skuadrës ekziston, pasi prapa “sherrit” të radhës së të dielës mbrëma, këta të fundit hynë në një tratativë të dëshpëruar që u mbyll pa shumë dëme vetëm me ndërhyrjen e Erik Tohirit. Presidenti është një tjetër hallkë e dobët e kësaj shoqërie, që duket qartë se i mungon “dora e hekurt” e një drejtuesi. Sipas së përditshmes “Tuttosport”, që është shumë pranë skuadrave të Juventusit dhe Torinos, të dielën në mbrëmje Valter Maxarri ka shpërthyer përballë disa përfaqësuesve të shoqërisë zikaltër. Humbja e radhës në Serinë A ndaj Xhenoas dhe pasiviteti në merkato e kanë shtyrë Maxarrin të arrijë deri aty sa të kërcënojë të pranishmit me dorëheqje. Nuk është rastësi që të nesërmen e atij debati drejtuesit zikaltër filluan bisedimet me homologët e tyre torinezë për shkëmbimin e famshëm Guarin-Vuçiniç. Aktualisht, ish-tekniku i Napolit po sillet si një menaxher në kampionatin anglez. Ai ka fuqi të plotë te zikaltrit, pasi po vendos edhe emrat e rinj që do të tentojnë të sjellin në Milano, Branka e Auzilio. Kujtojmë që Vuçiniç, vitin kur kaloi te Juventusi, ishte shumë pranë Napolit të Maxarrit. Sa i përket “sakrifikimit” të Guarinit nuk është rastësor, pasi ka qenë tekniku ai që i ka shtyrë menaxherët zikaltër t’ia propozonin atë gjysmës së Evropës. Një tjetër lojtar që nuk i pëlqen toskanit është edhe Ranokia, që shumë shpejt pritet t’i hapë rrugë blerjes së Hernanesit. Ky i fundit nuk është zgjedhur më kot nga shoqëria milaneze, që e di fare mirë se është i preferuari i Maxarrit. Dy net më parë tekniku interist tregoi tërë pakënaqësitë e veta në emisionin “Tiki-Taka” të rrjetit |Mediaset|. “Në aspektin sportiv, morali im nuk është edhe aq i mirë. Ne trajnerët kur humbim, nuk jemi kurrë të lumtur. Megjithatë, them se momente të vështira Interi do të ketë ashtu si çdo ekip tjetër. E rëndësishme është që të ndiesh respektin e drejtuesve”, – u shpreh 52 vjeçari.

 

 

Tifozët protestojnë, Morati i mbështet

Para dy netësh, dhjetëra tifozë zikaltër protestoi para zyrave të klubit duke dalë hapur kundër një shkëmbimi të tillë, që, sipas tyre, ndëshkon skuadrën e tyre. “Mollët e prishura jashtë klubit”, – ishte një ndër banderolat që mbanin tifozët e Interit gjatë protestës. Me sa duket, vendimin e Tohirit nuk e ndikuan as ultimatumet e mesfushorit kolumbian, që u shpreh qartazi se nuk dëshiron ta veshë më fanellën e Interit. Vetë kolumbiani është shprehur se ndihet i tradhtuar nga presidenti, për shkak se vendosi ta transferonte në Torino, prandaj ai nuk mund të stërvitet më me skuadrën e tij. Ish-bosi i Interit, Masimo Morati, ka përshëndetur protestat e tifozëve të klubit zikaltër, duke thënë se ata gjithmonë duhet të kërkojnë përgjigje nga drejtues të klubit. Morati, i cili tani nuk ka rol vendimmarrës në klub, kishte këshilluar presidentin Erik Tohir që të ndërpresë negociatat me Juventusin, pasi tifozët paralajmëruan protesta dhe ishte indoneziani ai që prishi planet dhe ëndrrën juventine për mesfushorin kolumbian. “Presidenti do t’ju flasë më shumë për negociatat, por sa për protestën e tifozëve unë mendoj se gjithçka u zgjidh në mënyrën e duhur. Negociatat kanë marrë fund, ashtu siç ka thënë edhe Tohir. Protesta ishte thjesht një kërkesë e përgjigjes prej atyre që janë në krye të detyrës në klub”, – deklaroi Morati.

 

 

 

Guarin nuk paraqitet në stërvitje

Fredi Guarin ka mbajtur fjalën: nuk është paraqitur dje në stërvitje me Interin. Mesfushori kolumbian ishte protagonisti i një shkëmbimi të mundshëm mes Interit dhe Juventusit, por që në fund u bllokua nga presidenti zikaltër Erik Tohir. Pardje media të ndryshme italiane shkruanin të sigurta për arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin Guarin-Vuçiniç, madje edhe vëllai i kolumbianit e publikoi si zyrtare kalimin e tij te Juventusi, por në të vërtetë ngjarjet nuk rrodhën ashtu. Ish-lojtari i Portos deklaroi se në rast se nuk kalonte tek Juventusi, nuk do të stërvitej me skuadrën e Interit dhe kështu ka ndodhur vërtetë.

 

Draksler duhet të qëndrojë te Shalke

Drejtori i Shalkes, Kelemens Tonies, i ka sugjeruar Julian Drakslerit që të mos largohet në drejtim të Arsenalit. Klubi nga Premier Liga ka bërë ofertë mjaft joshëse për lojtarin dhe e dëshiron atë me çdo kusht në ekip, por drejtori i klubit gjerman i ka pasur dy-tri fjalë me të. “Unë jam i mendimit se Juliani duhet që të luajë për Shalken sezonin e ardhshëm. Kjo është këshilla ime personale për të. Ai nuk duhet që të lejojë interesimin nga jashtë Gjermania për ta bindur atë. Është më mirë për zhvillimin e tij kur ai mund të luajë pa aq shumë presion dhe me një mendje të pastër. Janë shumë klube të mëdha pas tij, por ne nuk dëshirojmë ta shesim në janar. Edhe nëse nuk kualifikohemi në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, kjo nuk do të thotë se duhet ta shesim Julianin”.

 

 

Ronaldo: Mesi më bën më të mirë

Fituesi i “Topit të Artë”, Kristiano Ronaldo, ka pranuar se rivaliteti me sulmuesin e Barcelonës, Lionel Mesi, e ka bërë atë lojtar më të mirë. Portugezi që është shpallur më i miri në botë kohë më parë, ka pranuar se konkurrenca me Mesin e bën atë më të mirë. “Konkurrenca më bën lojtar më të mirë, por jo vetëm konkurrenca me Mesin. Po ashtu edhe lojtarë të tjerë të nivelit të lartë që i shoh në kampionatet tjera më bëjnë të ngrihem në nivel më të lart. Ata përmirësohen dhe unë po ashtu duhet të përmirësohem. Mesi dhe unë duam të jemi më të mirët dhe ne i ndihmojmë njëri-tjetrit për këtë”, – u shpreh Ronaldo.

 

 Vidal: Jam më i miri në botë

Një ndër yjet e Juventusit, Arturo Vidal, beson se ai është lojtari më i mirë në botë në pozicionin e tij. Kiliani 26-vjeçar nuk u përfshi në formacionin më të mirë të vitit nga FIFA, por ai beson se për pozitën e tij dhe impaktin që ka në lojë, asnjë lojtar tjetër nuk mund t’i afrohet. “Unë jam lojtari më i mirë në botë. Kjo është shumë e thjeshtë për mua. Ka shumë lojtarë që luajnë në pozitën time e që po tentojnë të luajnë sikur unë dhe duan të kopjojnë stilin tim, por është e qartë për mua se jam më i miri. Askush nuk punon në mbrojtje sikur unë dhe askush nuk shënon gola si unë”, – ka deklaruar Vidal.

 

 

Ramos: Marrëdhëniet me Ançelotin, të mira

Qëndrori i galaktikëve, Serxho Ramos, ka lëvduar Karlo Ançelotin dhe marrëdhëniet e tij të mira me lojtarët. Nga koha me Murinjon mbahet mend se lojtarët e Realit nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me trajnerin, por kështu si duket nuk është me Ançelotin. “Nuk do të ishte e drejtë në rast se i krahasojmë ata dy, secili trajner ka filozofinë e tij, personalitetin dhe mënyrën se si i menaxhojnë gjërat. Ata janë të gjithë ndryshe. Ne kemi pasur kohën tonë me Murinjon dhe kemi pasur kohëra të mira dhe të këqija. Ançeloti është dikush që njihet për punën e tij dhe për atë që ka fituar. Ne kemi një sezon të mirë, marrëdhënie të mira dhe pse të mos e kemi edhe një vit të mrekullueshëm”.

 

 

 

 

Share it :