Nga Flutura Açka
Është hera e parë që një shkrimtare e kohëve tona i shkruan një kolegu, një letër urimi siç është kjo e Flutura Açkës për Kongolin; E botojmë të plotë me të drejta ekskluzive nga shtëpia botuese “Toena”
I dashur Fatos,
Ca nga natyra, dhe ca nga kohërat e reja që na yshtin nxitim, nuk kemi patur rast të jemi në të gjitha gëzimet dhe ngjarjet e njëri-tjetrit, por sa herë jemi rigjetur, jemi takuar me po të njëjtin mall dhe dashuri, duke e vazhduar miqësinë tonë mu aty ku e kishim lënë në retiçencë gjatë mungesës, njëlloj si në një fiction që vetëm jeta ka fuqi ta shkruajë. Kështu u ndodh shpesh edhe personazheve tanë, të cilëve, deshëm s’deshëm, iu veshëm tunikën tonë.
E meqë jam këtu, te mikrokozmosi fiktiv por i tejpërmastë letërsisë, dua të them se galeria letrare e personazheve që u ke dhënë jetë në aq shumë vepra që ke shkruar dhe në gjithë këto vite përkushtim ndaj rrëfimit, është kaq e larmishme, sa gati e shkërben jetën. Dhe ata, personazhet e tu, janë bujtësit më të vyer të festës tënde sot; anipse të padukshëm, ata i kanë dhënë secilit prej nesh si lexues të thjeshtë, mjaftueshëm gëzim, melankoli, emocion, grishje për gjëra njerëzore, dëshpërim e fantazi. Burra vanitozë, gra të paplotësuara, qenie që shpesh s’mendojnë (ngaqë shpesh të lodhur refuzojnë të mendojnë), të moshuar që thyejnë vetminë me punëra që s’i bënë dot në rininë e tyre, vrasës të ftohtë e viktima të fajshme, njerëz halucinantë në kërkim të asgjëve, gra e burra në kriza martesore, emigrantë e ardhacakë, fetarë e blasfemikë, intrigantë e naivë, fajtorë e fajësues pa skrupuj, njerëz me virtyte e vesëtarë të rafinuar, kanë gjetur strehë në shtëpinë tënde bujare të rrëfimit. Të gjithë ne shqiptarët që jetuam në kapërcyell të të dyja epokave, të gjithë ne shqiptarët që përpiqemi të bëjmë dukë e prani njerëzore mes një kaosi të pjellë nga tranzicioni i gjatë, jemi përfaqësuar aty. Të gjithë.
Kështu me këmbëngulje, përmes “flirtit” me një grua të bukur, siç thua Ti për letërsinë, u ke dhënë shqiptarëve të vërtetën e historisë, vetë historinë. Sepse letërsia, i dashur Fatos, në substancën e saj, është histori e rrëfyer së brendshmi: e prekshme, e njëmendtë, e pakompromentuar. Sepse është atribut i shpirtit, të cilin nuk mund ta blesh dot lehtë si një kartë përfaqësimi në ndonjë komunitet, qoftë edhe politik. Dekada më pas, edhe 100 vjet më pas, e shumë kohë me pas, shqiptarët do ta kërkojnë Shqipërinë e tyre të dikurshme tek librat e tu, siç ne e gjejmë sot atë të dikurshmen te vepra e Konicës, Nolit, Mithat Frashërit, e të tjerë të fismëve tanë letrarë, të cilët e kanë ditur, se për të shkuarën, mund të mos jenë përgjegjës, por për të tashmen, që do të jetë një ditë e shkuar për të tjerë, duhet të shkruhet me përgjegjësi. Dhe, me të njëjtin respekt tonin për këtë të shkuar të trashëguar, një ditë shqiptarët e ardhshëm do të përcjellin edhe veprën Tënde si një dëshmi të ndreqjes së asaj çfarë strabizmi politik i ka lënë shpesh këtyre trojeve. Atyre, shqiptarëve të ardhshëm, nuk do t’u duhet ta retushojnë veprën tënde nga fantagorizmat, për t’iu afruar së vërtetës së vetes. Ti nuk lodhesh të shpikësh, Ti këmbëngul të gjesh, në çdo skutë ku i burgosim frikërat tona, edhe në ato të kujtesës.
Duke të vërejtur gjithnjë me të njëjtin kostum që të rri bash bukur, atë të thjeshtësisë dhe providencës (termi Yt ky), larg bujës mediatike dhe krekosjeje podiumesh – sëmundje që i zë ndonjëherë edhe shkrimtarët – kam mësuar se sa e rëndësishme është që vepra të priret kah publiku, pra lexuesi, më shpejt se sa vetë shkrimtari. Nuk të pashë kurrë të merreshe me zbërthimin e veprës tënde, të bëje shpjegime bjerraditëse se sa me mençuri kishe dashur ta përshkruaje aksh ngjarje e at’ personazh; e ke lënë përherë lexuesin të baresë i qetë livadheve tua, e të kërkojë filozofinë e jetës së tij i patrazuar nëpër rreshtat e bardhë të filozofisë tënde letrare. Nuk të pashë kurrë ndonjë prirje kah çiftëzimi letraro-politik, model i shpeshtë për kohërat e reja shqiptare. Ti dite ta ruash Fatosin nga Fatosi i tranzicionit, duke dhënë shembullin e shkrimtarit që pavarësish rrëmetesh sociale të kohës së cilës i përket, ai mbetet dorëzanë i higjienës shpirtërore të shoqërisë së cilës i përket.
Tek e shkruaja këtë letër urimi për ty, nuk mund të lija dot pa e përmendur atë çfarë na lidh më shumë, ajo fëmijëri e përbashkët në të njëjtat rrugë, në të njëjtin peizazh, mes së njëjtës erë Kraste, përmes atyre kalldrëmeve dhe rrëfenjave që një qytet i mrekullueshëm si Elbasani mund të ketë. Dhe, edhe pse e gjithë jeta jote, edhe ajo letrare, lidhet fort me Tiranën, gjithnjë do të mbetet një vjegë e pazgjidhshme mes teje dhe atij qyteti, që sot, jam e bindur ndihet i nderuar me ty. Edhe pse larg, i bashkohem mirënjohjes së atij qyteti dhe çdo shqiptari që e lexon dhe e çmon veprën tënde.
I dashur Fatos, po e mbyll këtë urim timin duke të dëshiruar jetë të gjatë e me penë të ngjyer. Diku thua se “dikur ke patur më shumë kohë dhe i bëje të gjitha, tani ke më pak kohë për t’i bërë të gjitha”. Jo, Ti ke kohë të mjaftueshme për t’i bërë të gjitha, por, në fakt, Ti i ke bërë të gjitha, dhe mrekullisht mirë!
Përqafime nga larg,
Flutura
Utreht (Holandë), 22 janar 2014




