Vendimi Ngrihet Agjencia Kombëtare e Bregdetit, kompetencat, nga pronat tek projektet e planifikuara

 Gëzim Saliu

 

AKB do të hartojë rregulloren e administrimit të hapësirave publike të zonës bregdetare si edhe do të monitorojë respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve

 

eglantina gjermeni Qeveri vendosi dje krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, qëllimi kryesor i së cilës do të jetë mbrojtja e zonës bregdetare, monitorimi i projekteve të saj, si edhe ndjekja e planeve të miratuara nga autoritetet e planifikimit. Kjo Agjenci do ta shtrijë veprimtarinë në të gjithë territorin e zonës bregdetare të Shqipërisë, ku do të ketë statusin e drejtorisë së përgjithshme, në nivel qendror dhe në nivel vendor do të organizohet në 4 degë rajonale. Një ndër përgjegjësitë kryesore të AKB-së do të jetë zbatimi i politikave dhe i strategjive për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare, gjë që prek territoret pranë zonës bregdetare si edhe ato të planifikuara në këtë zonë.

 

AKB-ja

 

Sipas qeverisë dhe përkatësisht Ministrisë së Zhvillimit Urban, e cila ka në varësi AKB-në, kompetencat e kësaj të fundit do të përfshinë një gamë të gjerë veprimesh, kryesisht të lidhura me menaxhimin e integruar të territorit në zonën bregdetare. Marrë për bazë edhe deklaratat e Kryeministrit para zgjedhjeve të 23 qershorit, pritet që AKB të ketë fuqinë ligjore dhe institucionale për të trajtuar gjithë problematikën e vijës bregdetare, që nga aspektet e pronësisë tek aspektet e planifikimit, tek aspektet e mbrojtjes dhe zhvillimit të kësaj vije bregdetare. Qeveria pretendon se me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, procesin transparent dhe të drejtë të verifikimit të pronave në vijën bregdetare të vendit do të vendoset rendi dhe ligji mbi të gjithë territorin bregdetar. Në vendimin e miratuar dje nga qeveria, janë përcaktuar përgjegjësitë dhe detyrat kryesore të AKB-së, ku parashikohet mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare; zbatimi i politikave e strategjive për menaxhimin e integruar të kësaj zone; nxitja e investimeve në zonën bregdetare; dhënia e kontributit në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar e kësaj zone; marrja pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre si edhe propozimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare. Po ashtu, pjesë kryesore e kompetencave të AKB-së është edhe monitorimi i zbatimit të instrumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare; monitorimi i respektimit të rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare; hartimi i rregullores së posaçme, ku përcaktohen standardet kombëtare, sipas të cilave administrohen hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private. Si edhe monitorimi i respektimit të kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve. “Me krijimin e kësaj Agjencie do të krijohen kushtet e nevojshme për të bashkëpunuar me organizma, investitorë vendas dhe të huaj, si dhe duke i përfshirë ata në projekte konkrete për zhvillimin e bregdetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Dua të theksoj faktin se ky institucion do të punojë ngushtësisht me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë përgjegjësinë e tyre për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë si për zhvillimin e territorit, ashtu dhe për zhvillimin e turizmit”, – tha dje ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, pasi bëri të ditur vendimin e qeverisë për krijimin e AKB-së.

 

Përgjegjësitë kryesore të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

 

-Mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare;

-Zbatimi i politikave e i strategjive për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;

-Nxitja e investimeve në zonën bregdetare;

-Marrja pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre

-Propozimi i ndryshimeve dhe përmirësimi i kuadrit ligjor e nënligjor për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare

-Monitorimi i zbatimit me përpikëri të instrumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare;

-Monitorimi i respektimit të rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare

-Hartimi i rregullores së posaçme, ku përcaktohen standardet kombëtare, sipas të cilave administrohen hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private. Kjo rregullore miratohet nga ministri përgjegjës për turizmin

-Monitorimi i respektimit të kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërore dhe private, si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit

-Hartimi i rregullores për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive turistike, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare. Kjo rregullore miratohet nga ministri përgjegjës për turizmin

-Monitorimi i respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive turistike detare, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare

 

 

Vendimi

Qeveria shfuqizon koncesionin në zonën bregdetare të Dhërmiut

Qeveria vendosi në mbledhjen e djeshme të shfuqizonte projektin koncesionar të parashikuar të zbatohej në zonat bregdetare plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll. “Vendimi për shfuqizimin e këtij koncesioni është marrë “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 e 124, të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”, – thuhej në vendimin e qeverisë. Ndërkohë, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, pohoi se ky shfuqizim “konsiderohet në fakt si një hap i rëndësishëm i iniciativës qeveritare e cila do të thellohet dhe do të vazhdojë më tej me marrjen e masave te mëtejshme të karakterit legjislativ, duke synuar kthimin e plazhit dhe të brezit bregdetar për përdorim në interes të publikut”. Projekti koncesionar i shfuqizuar dje nga qeveria “Rama” ishte miratuar në vitin 2012, ku sipas vendimit të asaj kohe: “Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe informues dhe ndërtimin e infrastrukturës përkatëse është Bashkia Himarë”.

 

 

Në mbledhjen e qeverisë

Miratohet linja e interkonieksionit Kosovë- Shqipëri: Gjiknuri: “Radika”, furtunë në gotë bosh

Një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ishte edhe ai për miratimin e linjës së interkonieksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Kemi filluar zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme për vendin në vitet në vijim, lidhjen e Shqipërisë dhe Kosovës me atë që i është vënë edhe emri “autostrada energjetike””, – tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Lidhur me çështjen e devijimit të lumit Radika, ministri pohoi se nuk ka asnjë projekt dhe asnjë marrëveshje mes dy qeverive. “Fatkeqësisht, kjo është furtunë në një gotë bosh! Nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje. Ka vetëm një marrëveshje ndërkufitare, një marrëveshje të gjithëpranuar nga instrumentet ndërkombëtare, që publiku duhet t’i dijë tashmë, për trajtimin e regjimit të përbashkët të ujërave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Do të thotë, që çdo lloj projekti që potencialisht do të ketë impakt në këto ujëra, mbrohet nga këto marrëveshje. Çdo gjë tjetër është spekulim!”, – tha Gjiknuri.

 

 

 

 

Share it :