“Marubi” në Parlamentin Evropian
Fototeka kombëtare “Marubi” ka hapur në mjediset e Parlamentit Evropian në Bruksel ekspozitën “Reflecting our traditions, reflecting ourselves” – “Reflektimi mbi traditat tona, reflektimi mbi vetveten”. Ekspozita e hapur më 20 janar, mbyllet sot për të vazhduar rrugëtimin në Trieste në datat 23-25 janar 2014. Një ekspozitë e cila hapet në kuadër të Projektit Marubi: Një model bashkëpunimi për promovimin e turizmit ndërmjet Shkodrës dhe Ulqinit, financuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e programi të bashkëpunimit ndërkufitar IPA Shqipëri – Mali i Zi.
Kjo ekspozitë bëhet e mundur në kuadër të ekspozitës itinerante, që do të hapet në disa shtete të Evropës me qëllim promovimin e traditave të dy vendeve. Ky projekt përfshin disa qytete të Evropës si: Bruksel, Paris, Varshavë, Stamboll, Budapest, Beograd, etj për të promovuar këto vlera të trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Reflektimi mbi traditat tona – Reflektimi mbi vetveten” është ekspozita e organizuar nga Bashkia Shkodër, Fototeka Kombëtare “Marubi”, Teuleda dhe Focus Europe, në kuadër të Projektit Marubi: Një model i bashkëpunimit për promovimin e turizmit ndërmjet Shkodrës dhe Ulqinit.
Programi i Bashkëpunimit IPA Shqipëri – Mali i Zi, financuar nga Bashkimi Evropian.
Veriu i Shqipërisë prezantohet në Akademinë Franceze
Para pak ditësh arkeologia shqiptare, Etleva Nallbani, ka prezantuar në Akademinë Franceze kulturën e veriut të Shqipërisë në shekujt VII-XIII.
Etleva Nallbani, kërkuese shkencore pranë CNRS/UMR 8167 Orient et Méditerranée, paraqiti në këtë rast kumtesën “Forma të reja vendbanimesh në Shqipërinë e Veriut, nga shek. VII në shek. XIII”. Seanca drejtohej nga presidenti Roland Recht, zv.presidenti Robert Martin dhe sekretari i Përhershëm Robet Zink. Prezantimi zgjati 30 minuta dhe u diskutua rreth zhvillimeve që njohu Ballkani perëndimor nga fundi i Antikitetit në Mesjetë rajon kyç ku artikulohet bota lindore dhe ajo perëndimore. Etleva Nallbani prezantoi programin e saj të kërkimeve arkeologjike i cili synon përcaktimin e mekanizmave të formimit të shoqërive mesjetare ballkanike. Gërmimet zhvillohen prej vitit 2008 në dy site të mëdha arkeologjike, Lezhë (Lissosi i lashtë në bregdetin Adriatik) dhe Koman (Dalmace, në prapatokën e afërt kontinentale) me qëllim njohjen e organizimit të vendbanimeve; dinamikën dhe historinë e popullsisë; prodhimet dhe organizimin e rrjetit të shkëmbimeve ndërajonale të hapësirës së luginës së Drinit, në Shqipërinë Veriore. Në kuadrin e rënies së fenomenit urban klasik, forma të reja vendbanimesh të pozicionuara kryesisht në lartësi vënë në diskutim hierarkinë urbane tradicionale. Vazhdimësia e okupimit të dy vendbanimeve gjatë shekujve të parë të mesjetës dëshmon për një ristrukturim të mëtejshëm të tyre, me një popullsi të organizuar rreth një sistemi vlerash dhe hierarkië sociale komplekse, ku autoriteti eklezial përbën referencë.
U diskutua lidhur me influencat e të dyja kishave, të Lindjes dhe asaj të Perëndimit, në territorin shqiptar, nga Andre Vauchez (historian mesjete, anëtar i Akademisë dhe ish-drejtor i Shkollës Franceze të Romës); në lidhje me kronologjinë e vendbanimeve gjatë shekujve IX dhe XI, si dhe marrëdhëniet me Adriatikun, nga Cecile Morisson (numizmate, drejtore e merituar kërkimesh në CNRS, anëtare korrespondente e Akademisë); në lidhje me mungesën monetare të shekujve VII-IX, në kuadrin perandorak, nga Olivier Picard (numizmat, profesor i Universiteteve, anëtar i Akademisë); në lidhje me influencat kulturore dhe marrëdhëniet mes grupesh të ndryshme të popullsisë nga Jean-Pierre Sodini.
Re. Ku.




