Gëzim Saliu
Ministri maqedonas i Ekonomisë: Kemi projekt parazgjedhor dhe jo përfundimtar, s’kemi ende financat nga BB-ja
Për ekspertët, lumi Radika nuk duhet të preket në asnjë formë, pasi, sipas tyre, Maqedonia i ka shfrytëzuar kapacitetet që i lejohen nga marrëveshjet ndërkombëtare për këtë lumë e në këtë kontekst nuk ka të drejtë të nxjerrë lumin jashtë shtratit. Inxhinieri hidroteknik Farudin Hoxha theksoi dje se në qoftë se një lumë është pronë e disa shteteve, ujërat e këtyre lumenjve nuk mund të çohen në basene të tjera. “Problemi nëse e bëjnë ka raste që kanë shkaktuar dhe luftëra për këto ujëra. Shtetet kanë hyrë në luftëra, por nuk besoj se në kohët e sotme gjerat shkojnë kaq larg. Gjërat zgjidhen në marrëveshje mes shteteve që janë pronarë. Shtetet sot e gjejnë mirëkuptimin për bashkëjetesën e fqinjësisë së mirë. Në marrëveshjen e vitit 1962 me kërkesën e palës jugosllave në mirëkuptim për të gjetur një zgjidhje kërkesës së Jugosllavisë së atëhershme që të merrej një pjesë e ujërave të radiks shtetit jugosllav ju dhanë 250 milion metra kub ujë në vit në pjesën e sipërme të Radikës. Kjo marrëveshje është plotësuar”, – deklaroi ai për “News 24”, duke shtuar se synimi i Maqedonisë është që të marrë gjithë lumin e Radikës. Ai i qëndroi idesë se lumi nuk duhet të lejohet të dalë jashtë shtratit në asnjë lloj mënyre. “Mendimi tim është që Radika nuk mund të lejohet të dalë jashtë shtratit të sajë në asnjë mënyrë. As pjesërisht, ajo që ka qenë e arsyeshme është marrë. Radikës nuk duhet t’i merren as dy metër kub, sepse është një nga degët kryesore të Drinit të zi ku Shqipëria ka derdhur fonde të konsiderueshme dhe përbën një nga pasuritë më të mëdha që disponojmë”.
Reagimi
Maqedonia bëri të ditur dje se nuk ka kërkuar ende në mënyrë zyrtare nga autoritetet e Tiranës mendim për ndërtimin e hidrocentralit në Fushë të Lukovës, pasi projekti ndodhet vetëm në fazën ideore. Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë, Valon Saraçini, deklaroi se lidhur me devijimin e ujërave të lumit Radika, se nuk ekziston një projekt fizibiliteti për hidrocentralin në Fushën e Lukovës dhe se qeveria e Maqedonisë nuk ka në duar një projekt të tillë, por se bëhet fjalë për një projekt parazgjedhor të qeverisë, që do studiuar mirë. Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, ai theksoi se kompania energjetike ELEM ka bërë një projekt të saj, por ai nuk do të miratohet pa kaluar të gjitha fazat e studimit. “Projekt final për Fushën e Lukovës ende nuk ka dhe nuk ka as studim mbi ndikimin ndaj ambientit jetësor, që janë dy elemente kyçe për një projekt për të pasur bazën që të fillojë. Çështje tjetër, ky projekt ende nuk ka siguruar burime financiare; Banka Botërore nuk e ka kredituar këtë projekt, duke pasur parasysh, sipas rregullave të këtij institucioni, po qe se ka efekte negative sidomos ndaj ambientit jetësor, atëherë nuk besoj, se do të kreditonte një projekt të tillë. Pastaj, duke u nisur nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për ujërat, të gjitha rrugët çojnë kah ajo që ky projekt do të ketë një fund negativ, pas çka, qeveria, në bazë të argumenteve do të marrë vendim që projekti të mos realizohet”, – tha ministri. Më tej, Saraçini parafrazoi fjalët e Kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski gjatë një seance të dhjetorit, se në çastet kur studimi do të tregojë se ky projekt do të kishte efekte negative për ambientin, atëherë nuk do të miratohet një projekt i tillë. Lidhur me prononcimin e para pak ditëve më parë të zëdhënësit qeveritar për projektin, ministri i Ekonomisë thotë se komentet e zëdhënësit janë bërë në aspekt të ekzistimit të projektit në programin e qeverisë në bazë të premtimeve parazgjedhore, por kjo nuk do të thotë se ai do të realizohet. “Ne jemi ende në një fazë të realizimit të studimeve; projekti nuk është miratuar nga qeveria dhe nuk do të miratohet deri sa të përfundojnë të gjitha studimet”, – deklaroi ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisëm Valon Saraçini.
Reagimet e Ramës dhe Bashës për “Radikën”
Kryeministri
“Lumi Radika, shumë zhurmë për asgjë. 1. S’ka projekt. 2. S’ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm. 3. S’ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë!”
Kreu i PD-së
“Qytetarët e detyruan më së fundmi Ramën të reagojë për lumin e Radikës. Shumë zhurmë për asgjë tha Rama dhe për armët kimike. Qeveria të bëjë transparencë para popullit dhe Parlamentit për këtë çështje. Urojmë që nesër Rama të mos thotë se nuk e kishte shkruar vetë këtë status siç bën rëndom”.
Berisha: Rama mashtron për Radikën, dy qeveritë kanë rënë parimisht dakord për projektin
Ish-kryeministri Sali Berisha përgënjeshtroi dje deklaratën e mëparshme të Kryeministrit Rama, sipas së cilit, nuk ka projekt për devijimin e lumit. Berisha theksoi se muajt e fundit midis dy qeverive është diskutuar për projektin, mënyrën e kompensimit të Shqipërisë, madje sipas tij në parim është rënë dakord për të. “Ky projekt eshte refuzuar me argumenta bindese nga qytetaret e Dibres dhe i gjithe Keshilli Komunal i Komunes se Dibres qe kane Radiken rrjedhe jete per floren, faunen, klimen, ujitjen e peisazhit ne komunen e tyre. Por devjimi i lumit zvogelon shume edhe ujrat e Drinit te Zi. Duke mirekuptuar plotesisht nevojat dhe perpjekjet e Maqedonise per burime energjitike, ju bej thirrje autoriteteve te ketij vendi te heqin dore nga ky projekt, i cili eshte pritur me zemerim legjitim nga qytetaret e Dibres se Madhe. Eshte e papranueshme te ndermerret nje projekt i tille ne kundershtim me vullnetin e banoreve te Dibres. I bej thirrje Bankes Boterore, tek e cila qeveria maqedonase ka dorezuar projektin, te mos mbeshtese nje projekt qe demton Parkun Kombetar te Mavroves dhe qe vjen ne kundershtim me disa koventa nderkombetare per mjedisin dhe ujrat si: Espoo; Aarhus; Direktiva per zonat e mbrojtura mjedisore pjese e rrjetit Natura 2000 dhe Direktiva kuader e Ujerave e BE”, – shkruante Berisha në rrjetin social “Facebook”, duke shtuar se projekit është refuzuar masivisht nga qytetarët e Dibrës së Madhe.
Statusi
Drejtori i KE-së për Ballkanin: Optimistë për vendimin e qershorit
Drejtori për Ballkanin në Drejtorinë për Zgjerimin të KE-së shpreh optimizëm për dhënien e statusit të vendit kandidat në qershor. “Jam një natyrë optimiste. Besoj shumë te puna që po bëhet për reformat në fushën e ekonomisë dhe zhvillimin e shoqërisë në Shqipëri. Janë reforma që diskutohen edhe me partnerët evropianë. Puna e kryer deri në Krishtlindje ishte një punë e rëndësishme dhe kjo punë do të plotësohet në këto gjashtë muaj. Atëherë, le të jemi optimist”, – u shpreh Zhan Erik Paket. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se reformat duhet të ndërmerren jo vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat por edhe më tej në kuadër të anëtarësimit në BE. “S’mund të gjykoj nëse ka një lloj dekurajimi në vend. Shqipëria nëse dëshiron mund të organizojë punën e saj deri në qershor dhe ky është një proces tërësisht legjitim. Por mendoj se reformat shkojnë përtej muajit qershor, pasi bëhet fjalë për reforma thelbësore. Reformat do të ecin pa dyshim përpara dhe Bashkimi Evropian dhe veçanërisht Komisioni Evropian do të jetë aty për të ndihmuar Shqipërinë”. Ndërkohë, ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, deklaroi dje se do të jetë muaji qershor koha kur do të diskutohet dhe statusi për vendin kandidat për Shqipërinë. “Qershori është momenti kur do të shqyrtohet statusi i vendit kandidat për Shqipërinë”, – tha ai.




