Ervin Kaduku
Kalimi me automjete nëpër Shqipëri në prag apo pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit është paraqitur me rrezikshmëri më të lartë për jetën e turistëve të huaj dhe ata kanë preferuar rrugët e tjera të kalimit, ndërkohë që kjo siguri ka rezultuar shumë më e madhe vitin e mëparshëm
Numri i të huajve që hynë në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2013 shënoi një rënie prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas buletinit statistikor të tremujorit të tretë, të publikuar nga INSTAT-i. Në total, në Shqipëri hynë 1.65 milionë shtetas të huaj për periudhën korrik-shtator 2013, nga 2 milionë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Efektin kryesor në këtë rënie e ka dhënë tkurrja e lartë e hyrjeve nga toka për periudhën në fjalë. Sipas statistikave të INSTAT-it, mbërritjet e të huajve nga toka ishin 1.45 në tremujorin e tretë, me një tkurrje prej 20 përqindësh. Dukshëm, kalimi me automjete nëpër Shqipëri në prag apo pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit është paraqitur me rrezikshmëri më të lartë për jetën e turistëve të huaj dhe ata kanë preferuar rrugët e tjera të kalimit, ndërkohë që kjo siguri ka rezultuar shumë më e madhe vitin e mëparshëm.
Kryesisht janë shtetasit nga Kosova dhe maqedonasit por edhe emigrantët shqiptarë të regjistruar si të huaj, ata që vijnë për pushime në Shqipëri si të huaj përmes kufirit tokësor.
Zhvillimi më pozitiv i tremujorit të tretë është rritja e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri përmes ajrit, që janë rritur me 22% me bazë vjetore, në 113 mijë shtetas në periudhën gusht-shtator.
Rënia e të ardhurave
Ulja e numrit të të huajve që kanë hyrë në Shqipëri në verë u reflektua dhe në tkurrjen e të ardhurave nga turizmi për të njëjtën periudhë. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, publikuar pak kohë më pare, të ardhurat nga udhëtimet (paratë që të huajt shpenzojnë në Shqipëri) ranë 18%, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 362 milionë euro.
Në të kundërt, shpenzimet e shqiptarëve jashtë, ndonëse në një vit krize ekonomike, u rritën me 3% në 336 milionë euro. Si 9 mujor, bilanci neto i të ardhurave nga turizmi ishte minus 41 milionë euro, duke rezultuar negative për herë të parë që nga 2004-a, kur raportohen të dhënat.
Dalin dhe më pak shqiptarë
Sipas statistikave të INSTAT, edhe shqiptarët kanë udhëtuar më pak në verën e 2013-ës. Megjithëse kanë shpenzuar më shumë, në total, daljet e shqiptarëve jashtë vendit u tkurrën me 6.3% në numër, në 1.3 milionë persona. Daljet nga ajri u rritën me 8%, ndërsa ato nga toka dhe deti ranë përkatësisht me 7.5% dhe 12.5%.




