Ajo që i bashkon të gjithë ekonomistët e anketuar nga Reuters, është se ka shumë pak mundësi që Eurozona, blloku më i madh tregtar në botë, të rikthehet sërish në recesion
2014-a do të jetë një vit shumë i mirë për shumicën e ekonomive të zhvilluara, por inflacioni i ulët pritet të ndërlikojë aftësinë e bankave qendrore për të rikthyer në normalitet normat e interesit.
Ky është rezultati i një sondazhi të realizuar nga agjencia ekonomike e lajmeve Reuters me 300 ekonomistë anembanë globit. Ashtu si në vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara parashikohet prej tyre që të kryesojnë rritjen, por edhe Britania e Madhe me Gjermaninë do të përshpejtohen ndjeshëm. Megjithatë, duket se Japonia do të zhgënjejë disi, ndërsa Eurozona sërish do të mbetet prapa “kolegëve” perëndimorë.
Ndërsa tregjet në zhvillim do të përballen sërish me ngadalësim të aktivitetit ekonomik.
Ekonomistët
Ajo që i bashkon të gjithë ekonomistët e anketuar nga Reuters, është se ka shumë pak mundësi që Eurozona, blloku më i madh tregtar në botë, të rikthehet sërish në recesion.
Sondazhi i Reuters-it nxori në pah se 300 ekonomistët parashikojnë se ekonomia globale do të rritet me 3.6% gjatë këtij vitit, ndërsa në raportin e publikuar gjatë kësaj jave Banka Botërore parashikonte një rritje ekonomike prej 3.2% gjatë 2014-ës.
Në muajt e fundit është vënë re një rënie e konsiderueshme e inflacionit në shumë ekonomi të zhvilluara, sidomos në Eurozonë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do ta bëjë më të vështirë sfidën e bankave qendrore për të normalizuar normat e interesit dhe për këtë arsye shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, paralajmëroi të mërkurën për riskun e deflacionit – që është një spirale e rënies së qëndrueshme të çmimeve – pavarësisht se ishte optimiste për përmirësimin e rritjes ekonomike.
Por, megjithatë, pritet që çmimet e konsumit të rriten ndjeshëm në shumicën e vendeve të zhvilluara, madje edhe në Eurozonë, ku inflacioni u ngadalësua në 0.8% në dhjetor.
Deflacioni
Pavarësisht se në treg janë hedhur miliardë dollarë, euro, paund apo jen nga bankat qendrore më të mëdha të botës në vitet e fundit, investitorët e shikojnë deflacionin si një kërcënim më të madh se inflacioni në 12 deri në 24 muajt e ardhshëm. Rreth 60 për qind e 912 investitorëve globalë, të anketuar nga Barclays e shikojnë rënien e çmimeve si një rrezik global, më të madh se rritja e çmimeve. Frika e deflacionit reflektohet edhe në opinionin e investitorëve për të blerë ar, që zakonisht përdoret si një mbrojtje ndaj inflacionit. Për këtë arsye rreth 25 për qind e investitorëve parashikojnë se çmimi i arit do të bjerë poshtë 1 mijë e 200 dollarë për onz deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2014, ndërsa 25 për qind të tjerë parashikojnë se ari do të tregtohet midis 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 250 dollarë për onz. Për shembull, rritja e presioneve deflacioniste në zonën euro është kthyer në një shqetësim serioz, duke bërë që Banka Qendrore Europiane të ulë normën bazë të interesit në një nivel të ri rekord prej 0.25 për qind. Inflacioni në Eurozonë ra në 0.7 për qind në tetor, niveli më i ulët që nga Nëntori i vitit 2009, duke shkaktuar shqetësime se rajoni është pranë rrezikut të deflacionit sipas stilit japonez. Në mjedisin e tanishëm, rënia në deflacion do të ishte shumë i keq, pasi ulja e pagave dhe e çmimeve do të bënte që shlyerja e borxhit të ishte shumë e vështirë. Gjithsesi, shqetësimi kryesor i investitorëve është perspektiva e Rezervës Federale për të zvogëluar sasinë e blerjes së bonove/
Google synon tregun e pajisjeve shtëpiake
Njoftimi në internet me titullin kriptik “Google to Acquire Nest” – Google do të blejë Nestin – ra si bombë. Gjigandi amerikan i internetit do të blejë një kompani që prodhon rrjete të automatizuar pajisjesh shtëpiake, kryesisht për telekomandimin e termostatëve për ngrohje qendrore dhe të detektorëve të tymit. 3.2 miliardë dollarë për produkte kaq të zakonshme? Sven Hansen, redaktor në revistën “c’t” të specializuar për teknikën kompjuterike thotë se të dy këto aparatura komandohen përmes internetit dhe dizajni i tyre të kujton prodhimet e Apple, sepse ixhinierët që i kanë projektuar i takonin dikur sipërmarrjes Apple. Blerja e kompanisë Nest nuk përbën ndonjë problem për Google, sepse gjigandi amerikan i internetit ka rreth 57 miliardë dollarë para të thata nga letrat me vlerë. Strategjia e Google duket e qartë. Google synon të hyjë në tregun pajisjeve shtëpiake të lidhura në rrjet dhe që mund të komandohen nga një platformë e vetme. Platforma të tilla qenë në qendër të vëmendjes së Panairit të Elektronikës në Las Vegas. Samsungu i quan këto sisteme “SmartHome” kurse Google sipas ekspertëve do të përdorë me siguri për platforma të tilla sistemin Android, gjë që do të bëjë të mundur që ky të kthehet në një treg masiv për të ardhmen. Sven Hansen thotë se edhe në panairin e elektronikës IFA në Berlin prezantohen gjithmonë pajisje shtëpiake të lidhura në rrjet dhe që mund të komandohen nga larg përmes internetit, por vlera praktike e tyre është në shumicën e rasteve e kufizuar. P.sh. ç’vlerë ka në rast se lavatriçja të çon një lajm në smartphone se e mbaroi larjen e rrobave?
Sipas tij treg të madh do të kishte për rrjete të tilla pajisjesh shtëpiake përmes të cilave konsumatorët mund të kursejnë para p.sh. duke shfrytëzuar me efikasitet energjinë elektrike.
Kosova ende pa kodin IBAN
Pas përdorimit të SWIFT kodit bankar të Republikës së Kosovës nga institucionet financiare në vend, autoritetet kompetente në Prishtinë janë në përpjekje të pajisen edhe me Numrin Ndërkombëtar të Llogarisë Bankare, i njohur me shkurtesën IBAN, bëjnë të ditur zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare, apo IBAN, quhet formati i numrit të llogarisë bankare, i cili format standardizon identifikimin ndërkombëtar të llogarive bankare dhe është në përdorim nga shumë shtete në botë. Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN, sipas zyrtarëve të BQK-së, është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare, shkruan “Evropa e Lirë”. Florim Maxharraj, këshilltar i lartë i Bordit ekzekutiv për tregjet, instrumentet dhe infrastrukturën financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, thotë se në Kosovë ende nuk është zbatuar formati IBAN, i llogarive bankare për arsye të moslistimit të Kosovës në regjistrat zyrtarë të Kombeve të Bashkuara. “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar me institucionet relevante ndërkombëtare për mundësimin e implementimit të formatit IBAN, të llogarive bankare. Përdorimi i formatit IBAN të llogarive bankare do të lehtësonte pagesat ndërkombëtare hyrëse në Kosovë, duke mundësuar kontroll plotësues në bankën e jashtme të saktësisë së llogarisë bankare të përfituesit në Kosovë”, – thekson Maxharraj. Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se aplikimi i numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare, do të përshpejtojë edhe më tepër transaksionet bankare. Naim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se zbatimi i SWIFT kodit bankar, ka hapur rrugë që edhe IBAN-i të përdoret në Kosovë. Mungesa e një IBAN-i shtetëror, thotë ai, ka rritur koston e transaksioneve financiare të Kosovës në raport me bankat e jashtme. “Njëkohësisht, e ka vështirësuar transaksionin e pagesave nga Kosova jashtë vendit. Unë mendoj se tani është detyrë e Bankës Qendrore të Kosovës që t’i plotësojë kriteret, që pas marrjes se SWIFT kodit, të vazhdohet me hapin e dytë dhe Kosova të përdorë IBAN”, konsideron Gashi, duke shtuar se IBAN është një kategori ekonomike, e cila krijon favore për shtetet, të cilat e posedojnë.




