“Ministri dje minimalisht duhej të kishte njoftuar se personat përgjegjës në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë përkatëse të Burgut apo në të dyja bashkë kanë zënë vendin e lënë bosh nga viktima, në burgun që i dha “lejen” tragjike”
Ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vend janë bërë objekt kritikash nga opozita shqiptare në drejtim të qeverisë, kryesisht ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediet, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, reagoi për vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Rrogozhinë. Gjatë këtij atentati, mbeti i vrarë Astrit Gjepali dhe Halit Fici, si dhe u plagosën dy shtetas të tjerë. Sipas policisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrjeje.
Sipas deputetit të opozitës, vrasja është një ngjarje tipike mafioze, e mirorganizuar, qartësisht e mirëpërgatitur dhe e koordinuar nga një grup i strukturuar.
“Ndërkohë dje, publikisht ministri i brendshëm, pyetjeve ne lidhje me ngjarjen me te fundit, iu përgjigj me “nuk e di”, “nuk mund ta parashikonim”, “nuk na kishin informuar”. Që vrasësit nuk kanë pasur detyrimin të njoftojnë policinë dhe ministrin e saj për “pritën e mirëpërgatitur” dhe pasojat e saj, këtë e kupton çdo njeri normal, përveç ministrit të Brendshëm. Që strukturat përkatëse të Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë kanë detyrimin ligjor të njoftojnë policinë në momentin që vendosin të japin leje, veçanërisht për persona të dënuar për vrasje, këtë e thotë qartë ligji dhe është procedurë standarde jashtë së cilës nuk mund të dilet. Ministri dje minimalisht duhej të kishte njoftuar se personat përgjegjës në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë përkatëse të Burgut apo në të dyja bashkë kanë zënë vendin e lënë bosh nga viktima, në burgun që i dha “lejen” tragjike. Po ministri këtë nuk e bëri, e anashkaloi me një heshtje fajtore, duke luajtur rolin e “idiotit të dobishëm”, – deklaroi deputeti Strazimiri.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike foli edhe për çështjen e gjobave nga Policia Rrugore. Deputeti Strazimiri bëri sërish përgjegjës strukturat më të larta të shtetit që sipas tij, kanë zëvendësuar profesionistët në polici me njerëz të pakualifikuar.
“Ndërkohë, opinioni publik, qytetarët që vuajnë arbitraritetin e gjobave apo idiotësinë e policëve civile qe ruajnë semaforët, ndiejnë çdo ditë e me tepër faktin që ndërkohë që kjo qeveri po çorganizon Policinë e Shtetit, krimi po organizohet me shpejtësi marramendëse duke përgjakur çdo cep të vendit. Fakti që krimi nuk kalon nëpër semaforët që ministri i ruan me policë të veshur dhe të zhveshur, nuk mund të jetë justifikim. Fakti që mediet qeveritare e fshehin, nuk e bën të paqenë! Ky është çmimi që shoqëria po paguan, për shpartallimin e Policisë së Shtetit me largimet e paligjshme të profesionisteve, dhe zëvendësimin e tyre me numëruesit dhe financuesit e PS-së, të cilët të vetmen “certifikatë profesionale” e marrin në zyrën përkatëse të PS ku dhe aplikojnë”, – tha deputeti demokrat. Më herët akuzat e opozitës ndaj përfaqësuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe ndaj ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit kanë pasur në fokus zëvendësimin e oficerëve të policisë me njerëz që kanë ndjekur nga afër fushatën elektorale të Partisë Socialiste.
Trajnimi në administratë, Harito: Bashkëpunim shqiptaro-italian
Ministrja e Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike, Milena Harito, dhe ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, mundësuan vendosjen e kontakteve ndërmjet Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe Shkollës Kombëtare të Administratës Publike të Italisë. Në takimin e zhvilluar me këtë rast, u diskutua rreth mundësisë së organizimit të trajnimeve të vazhdueshme për nëpunësit e administratës publike, si dhe shkëmbimin e eksperiencave që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së trajnimeve të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike drejt standardeve ndërkombëtare.
Ministrja Herito bëri të ditur se ky bashkëpunim konsiston në: “Shkëmbimin e eksperiencës për trajnimin e Trupës së Lartë Drejtuese, duke u fokusuar në hartimin e kurrikulës për këtë qëllim, planifikimin dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta trajnuese në të gjitha sektorët e Administratës Publike, në lidhje me politikat publike, modernizimin e shtetit dhe politikat prioritare të Bashkimit Evropian, mbështetje për Qendrën e Kërkimeve dhe Publikimeve të ASPA-s, pjesëmarrje të nëpunësve të administratës publike shqiptare në aktivitetet trajnuese të SNA, aktivitete këto që do të bëhen të njohura nga ASPA, ndihmesë në zhvillimin e e-learning, dhe dixhitalizimin e materialeve të trajnimit, bashkëpunime në projekte të ndryshme për të përdorur sa më mirë fondet e BE.
Harito njoftoi se në muajin mars të këtij viti do të nënshkruhet edhe marrëveshja e bashkëpunimit midis dy institucioneve, Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe Shkollës Kombëtare të Administratës Publike të Italisë.
Reforma territoriale, Meta: Komision me 2 bashkëkryetarë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrimi, Ilir Meta, tha se reforma në Drejtësi është një nga reformat kyçe që duhet të ndërmerret dhe që ndikon në integrimin e Shqipërisë. Deklarata Metës u bë në mbledhjen djeshme të Komitetit Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë fjalës së tij, Meta renditi disa nga problemet kryesore që po has qeveria aktuale dhe strategjitë që duhen ndjekur për t’i dhënë zgjidhje.
“Çështja e integrimit evropian është një çështje madhore që nuk ka të bëjë thjesht me statusin por me gjithë modernizimin dhe zhvillimin e vendit. Duhet të bëhet reforma e në drejtësi. Kjo është e qartë edhe nga Komisioni Evropian dhe realiteti ynë ligjor ekonomik dhe shoqëror. Të bëhet një reformë që t’u japë drejtim gjithë reformave. Natyrisht që kjo kërkon kohën e saj, konsensus dhe gjithë përfshirje, bashkëpunim i gjithë forcave politike por duhet të bëhet pjesë edhe shoqëria dhe opinioni publik në mënyrë që të gjithë të kuptojmë që kjo nuk është një reformë që synon të shndërrojë në të prekshme apo të pa prekshme disa institucione por një reformë që të garantojë zbatimin e ligjit nga të gjithë.
Askush nuk duhet të ndihet i privilegjuar apo i shmangur nga llogaridhënia. Unë besoj se edhe në këtë drejtim ne do të ecim për realizimin e kësaj reforme që synon shenjtërimin e ligjit në Shqipëri. Ne nuk duhet të shikojmë interesat e askujt vetëm të jemi sa më të drejtë në realizmin e kësaj reforme. Besoj se është koha për të vendosur një standard të ri ligjor”, – deklaroi Meta.
Kreu i LSI-së theksoi se një tjetër reformë e domosdoshme është ajo administrativo-territoriale, e cila do të ndihmojë pushtetin vendor në planifikimin strategjik. Ai u shpreh që kjo reformë të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që të kenë mundësi të gjitha forcat politike të projektojnë fushatën. “Ka ardhur koha të ndahemi nga fenomeni tërhiq e mos këput. Reforma administrativo territoriale është e domosdoshme. Është po ajo ndarje e cila ka qenë që nga viti ‘92, në zgjedhjet lokale të asaj kohe. Edhe ndarja e ‘92-shit ishte konvertim i ndarjes që ishte më parë”.





