Artan Fuga
Duket si e çuditshme, por mbetet megjithatë e vërtetë: problemet që lidhen me mjedisin, me marrëdhëniet midis njeriut dhe botës natyrore që e rrethon, me administrimin e territorit, qoftë ky në hapësirat, urbane apo rurale, me mbrojtjen ekologjike të biosferës etj., konsiderohen sot si probleme të mirëfillta edhe të shkencave të komunikimit.
Edhe njëherë këtu shfaqet ajo që shprehet në kërkimet bashkëkohore në këto shkenca se përmbajtja e tyre dhe metodologjia që ato përdorin është ndërdisiplinare dhe shumëdisiplinare, pra kërkon edhe bashkëveprimin e shkencave dhe teknikave që dikur kanë qenë konsideruar si të veçuara nga njëra-tjetra, edhe sistemimin dhe integrimin e një numri të konsiderueshëm perspektivash, të cilat vijnë nga përqasje shkencore të ndryshme.
Është një prirje e këtyre dekadave të fundit në shkencat e komunikimit që përmbajtja e tyre të zgjerohet deri në kufijtë semantikë e duhur të tyre dhe jo të mbetet në një kuptim të kufizuar, shumë të varfër, sikurse do të ishte ai që i lidhte ato vetëm me analizën e mediave apo të marketingut. Në këtë mënyrë ne kemi arritur sot në një pikë zhvillimi ku shkencat e komunikimit janë jo vetëm pjesë e atyre shkencave që e tejkalojnë ndarjen mes shkencave sociale dhe shkencave teknologjike dhe shkencave natyrore, sepse komunikimi sot është edhe teknologji, edhe semantikë, edhe filozofi etj., por edhe që kapërcejnë ndarjen mes shkencave humane dhe shkencave sociale, sepse atje përmblidhen, ta zëmë, edhe humanitete si logjika, semiologjia, filozofia, por edhe shkenca sociale sikurse janë shkencat e ekonomisë, sociologjia e kështu me radhë.
Duket si paradoksale, por shkencat e komunikimit janë ndofta nga të vetmet sot që i kapërcejnë ndarjet tradicionale të shkencave që vinte në dukje qysh në shekullin e 19-të pozitivisti i njohur Auguste Compte, klasifikime që edhe sot nuk e kanë humbur pasurinë e tyre thelbësore.
Shkencat e komunikimit edhe janë pjesë e shkencave sociale dhe humane apo teknike dhe teknologjike, por edhe janë një e tërë që përmbajnë brenda vetes përqasje që vijnë nga shkencat e përmendura dhe kërkojnë bashkëveprimin e tyre. Këtu qëndron bukuria dhe vështirësia e kuptimit të tyre sepse ato njëkohësisht janë pjesë dhe e tërë.
Le të kthehemi te marrëdhëniet e shkencave të komunikimit me problemet e mjedisit, të administrimit të hapësirave sociale si edhe të ekologjisë. Çfarë lidhjeje ka midis tyre?
Janë të pafundme këto lidhje, por le të përmendim vetëm disa prej tyre:
Urbanistika si formë komunikimi
Mjedisi urban studiohet nga shkencat e komunikimit për dy arsye, që janë të ndërsjella. E para, sepse mjedisi urban, qyteti, është gjithmonë e më shumë nën ndikimin e mjeteve të transportimit dhe të komunikimit. Dhe së dyti, sepse strukturat dhe konfigurimi i hapësirave urbane përcakton në një shkallë të madhe edhe komunikimin e njerëzve me njëri-tjetrin, komunikimin mes anëtarëve të një familjeje apo komunikimin e qytetareve me institucionet e administratës, me vendet e tyre të punës etj.
Në një sërë përqasjesh janë evidentuar disa problematika lidhur me këtë.
E para ka të bëjë me atë se metropolet e mëdha, nisur nga dendësia gjithmonë e më e rritur e popullsisë, nga fakti i përdorimit gjithmonë e më masiv i veturave dhe i mjeteve të tjera të qarkullimit rrugor, kanë qenë dhe janë orientuar drejt zgjerimit të sipërfaqeve të betonuara në kurriz të atyre të gjelbra. Kështu, komunikimi i njeriut me natyrën dhe me hapësirat e lulëzuara është më bërë gjithnjë e më i rrallë. Kështu, në librin e tij për kuptimin e mediave, Marshall Mc Luhan thekson: “Kur u shfaq automobili, ai ushtroi një presion mekanik tipik, duke sjellë një shpërthim dhe një ndarje funksionesh. Përgjatë viteve ‘20 (të shekullit të kaluar – shënimi im), automobili e shpërbëri jetën familjare ose së paku kështu u duk se ndodhi. Ai e ndau punën nga banesa si asnjëherë më parë. Ai e shpërbëri çdo qytet në dhjetëra periferi dhe i zgjati shumë forma të jetës urbane përgjatë rrugëve të mëdha ndërurbane, në atë masë sa krijoi qytete të pafundme. Automobili krijoi “xhungla asfalti”dhe për shkak të tij ne (në Kanadanë e viteve ‘60 të shekullit të kaluar – shënimi im) kemi betonuar 40.000 milje katrorë peizazhe të gjelbër të këndshëm. Bashkë me shpeshtimin e udhëtimeve me avion, automobili dhe kamioni, së bashku, shkatërruan hekurudhat.”[1]
E dyta lidhet me problemin se qyteti rritet aq shumë në formën e tij metropolitane, dendësia e lëvizjeve bëhet aq e lartë saqë hapësirat urbane sado që zgjerohen bëhen gjithnjë e më të ngushta, e bllokojnë shumë komunikimin social si edhe lirinë e njerëzve për të lëvizur në kushte normale. Gjithçka e pushton vetura. Kështu shprehet edhe një nga autorët më të mëdhenj në analizën e qendrave urbane moderne, Louis Memford, kur shkruan: “Bllokimi i qendrave urbane është një fakt i pamohueshëm që mund të verifikohet në çdo sekondë. E zbulojmë te bllokimet e kryqëzimeve të qarkullimit në pikat e tij nevralgjike, ku i vetmi ilaç i përshtatshëm do të ishte ndalimi i veturave duke lejuar vetëm qarkullimin në këmbë; te radhët përpara ashensorëve të administratave kryesore dhe më shumë akoma te përplasjet dhe ngjeshjet në vagonët e metrove përgjatë çasteve të pikut të transportit. Shkaktohen mungesa hapësirash në zyrat administrative, shkolla, banesa, pra për të vdekurit, mungesë vendesh në varreza… Veturat individuale janë bërë aq të shumta saqë rrugët janë transformuar në vende parkimi, dhe autostradat, aq të domosdoshme për qarkullimin, rrasen deri në qendrat e qyteteve, duke kërkuar pa pushim që të ndërtohen garazhe të rejaq dhe parkingje të reja.”[2]
E treta marrëdhënie thelbësore midis administrimit të hapësirave urbane dhe komunikimit është se betonimi i hapësirave metropolitane, thekson Louis Memford, sjell që metropoli të uniformizojë konfigurimin e vet, të zhbëjë konfiguracionin e trashëguar urban, të prishë ndërtesat e vjetra, monumentet e vjetra arkitekturore, qendrat kulturore të trashëguara, muzeumet e gjalla në natyrë, pra të prishë kujtesën kolektive të shprehur në trashëgiminë e tij kulturore materiale. Ai kthehet kështu në një qendër humane pa kujtesë, individët nuk kanë më lidhje me të kaluarën dhe nuk e respektojnë atë, brezat e rinj janë të çrrënjosur nga e kaluara e paraardhësve të tyre dhe kështu krijohet një shoqëri që nuk ka kujtesë kolektive dhe pra nuk respekton trashëgiminë, historinë, vlerat e trashëguara brez pas brezi.
Memford shkruan: “Qyteti në vetvete përpin thelbin e vet, sepse ena duhet rinovuar po aq shpejt sa edhe përmbajtja që ajo ka brenda saj. Një funksion thelbësor i qytetit qëndron te aftësia e tij për të dëshmuar vazhdimësinë e veprimtarive njerëzore, por ky funksion po kërcënohet tërësisht. Kujtesa e gjallë e strukturës urbane, që bashkon brezat dhe shekujt me njëri-tjetrin, nuk do të vonojë të humbasë. Banorët e tij nuk dinë të jetojnë veçse në kohën e tanishme. Kjo shoqëri pa vlera dhe ideale do të jete kështu kulturalisht edhe më e varfër sesa bashkësia primitive e epokës së gurit.”[3]
Veturat në qytet
Çështja e veturave dhe e qarkullimit të tyre në qendrat metropolitane përbën një objekt prioritar studimi për shkencat e komunikimit. Nuk lidhet vetëm me kuptimin e gjerë të “mediave” si ndërmjetëse në kontaktin midis njerëzve, as të kuptimit të tyre si vegla ndërmjetëse midis njeriut dhe natyrës. Edhe këtë kuptim të gjerë mediat e kanë marrë sepse ato, në kundërshtim me atë që mendohet shpesh, nuk janë vetëm media masive, vetëm radio, televizion, shtyp i shkruar, por edhe teknologji, telefon, veshje, teknologji telekomunikimi, vetura, etj. Nga kjo pikëpamje nuk duhet harruar se autovetura “zgjoi” radion nga “gjumi” i përkohshëm që e kapi këtë media masive nën konkurrencën e fortë fillimisht të televizionit dhe pastaj të Internetit, kompjuterit, produkteve të teknologjisë të kulturës dhe kështu me radhë. Miliona e qindra miliona drejtues veturash sot në botë janë bërë audienca e re e radios dhe është ajo që përcakton programacionin e transmetimeve audio si edhe format dhe mënyrat e bërjes së marketingut nëpërmjet mediave audiovizive. Kështu gjallërimi i radios nëpërmjet aleates së saj më të spikatur, veturës, e riformatoi edhe marrëdhënien midis mediave të ndryshme duke e segmentuar në mënyrë të re tregun e informacionit.
Ndërkaq, mënyra sesi zhvendoset njeriu në ditët tona varet shumë nga logjika e qarkullimit me autovetura. Ai ka një marrëdhënie të caktuar me veturën, e cila nga ana e saj transformoi fuqishëm marrëdhëniet midis burrit dhe gruas në familje si edhe marrëdhëniet midis brezave. Nga ana tjetër apacitete të tjera perceptive i duhen njeriut të zhvillojë, një komunikim të ri me mjedisin të ndërtojë, me qëllim që të arrijë dhe të orientohet në drejtimin automobilistik. Kështu një radhë stresesh dhe agresivitetesh që ndikojnë në komunikimin njerëzor vijnë pikërisht sepse individi sot është i detyruar të drejtojë veturën e tij në kushte trafiku tepër të rënduar.
Vetura krijoi edhe rrethana të reja komunikuese në mënyrat e tjera të strukturimit të veprimtarive të komunikimit sepse ajo transformoi krejtësisht edhe marketingun duke i hapur udhë krijimit të hapësirave të mëdha tregtare në periferitë e qyteteve. Atje ambalazhimi i produkteve, çmimet dhe politika e tyre, sasia e produkteve të paketuara si njësi, etj., janë krejt të ndryshme nga ato që përdoren në hapësirat tregtare të afërsisë së qendrave urbane. Është vetë qendra urbane që ka humbur gjithmonë e më shumë funksionin e saj ekonomik dhe tregtar të dikurshëm duke u zbrazur gjithnjë e më shumë nga shërbimet tregtare të konkurruara nga hapësirat e mëdha periferike tregtare.
Marrëdhënia me florën dhe faunën
Mjedisi në të cilin jeton njeriu është jo vetëm në formën e një territori apo hapësire të përbërë nga lëndë e ngurtë, por edhe si një biosferë, si një realitet ku ai ndodhet pranë dhe në një proces shkëmbimesh me botën e gjallë biologjike dhe botën vegjetative. Në shkencat e sotme të komunikimit marrëdhënia mes shoqërisë dhe botës vegjetative dhe shtazore konsiderohet një tematikë e larmishme që tërheq vëmendjen edhe të tyre.
Sidomos marrëdhënia me botën shtazore, pa lënë mënjanë edhe botën vegjetative që ka veç anëve të spikatura ekonomike, edhe vlerat estetike dhe mediatike, e shërben si simbolikë e fuqishme logosh, si edhe marketingu.
Shkencat e komunikimit interesohen jashtë mase fort për teknikat dhe mekanizmat e komunikimit të kafshëve bile edhe të bimëve, me njëra-tjetrën dhe të njeriut me to. Pa fund fushash studimi ka lidhur me to. Mbi të gjitha ka tërhequr interes “gjuha” e kafshëve me sistem qendror të zhvilluar sepse aty studiuesit kanë kërkuar të gjejnë elemente shpjegimesh për të kuptuar edhe gjuhën njerëzore. Sado ngjashmëri që të ketë mes këtyre sistemeve gjuhësore, dallimi midis tyre është parimor dhe tërësor.
Ndërkaq nuk duhet harruar se njeriu modern në qytet dhe në fshat jeton i rrethuar nga qenie të gjalla që ai ka zbutur dhe ka rritur prej mijëra e mijëra vitesh. Në zonën urbane, kafshët shtëpiake kanë karakter shoqërues dhe marrëdhënia me to, miliona e miliona tanimë, është objekt edhe i përqasjeve psikologjike, etike, etj. brenda shkencave të komunikimit. Ka studime të panumërt që bëhen sot për pasojat dhe përfitimet e komunikimit midis njeriut dhe kafshëve shtëpiake brenda familjeve urbane. Kemi të bëjmë me një aspekt shumë të rëndësishëm komunikimi që në fakt shfaq specifika dhe karakteristika të rëndësishme të vetë shoqërisë. Edhe e kam shkruar edhe e kam hetuar vetë se përse ta zëmë një mace ose një pëllumb që has në ndonjë rrugë të një qyteti perëndimor nuk ikën, llahtarisur pa masë, kur i afrohesh, kurse në vende të tjera, sapo afrohesh macja ikën e trembur, kurse zogu fluturon gjithë alarm sikur t’i rrezikoje jetën. Nuk ka shpjegim tjetër veçse ai që në disa vende marrëdhënia mes njeriut dhe mjedisit biologjik që e rrethon është e paqtuar dhe e shtensionuar, kurse në vende të tjera kafshët, shpendët ndihen të kërcënuara nga njeriu dhe nuk kanë tolerancën e tij si mbështetje në jetën e tyre të përditshme.
Tematika rreth këtyre çështjeve është e pranishme në degë të ndryshme të kërkimit. Kurse në zonën rurale, veç kafshëve shtëpiake, kemi kapitalin e blegtorisë, ku kafshët e destinuara për prodhim, trajtohen tanimë jo vetëm thjesht si mjete për t’i shfrytëzuar, por edhe në kuptimin e kodeve komunikuese me to. Aq është zhvilluar kjo tematikë në shoqëritë e civilizuara saqë flitet gjithnjë e më shumë për të “drejtat e kafshëve”.
Nuk ka diskutim që bota vegjetative dhe ajo shtazore hyn në shkencat e komunikimit edhe me simbolikën e fuqishme që ato kanë dhe forcën e tyre shprehëse si kode simbolike dhe si simbole shprehëse të fuqisë, autoritetit, bukurisë, paqes, luftës etj. Vështirë të gjendet ndonjë emblemë e një pushteti klasik, antik apo edhe bashkëkohor, e ndonjë komune etj., që të mos ketë elemente ose sisteme të tëra simbolesh nga qeniet e gjalla biologjike ose vegjetative si pjesë përbërëse, ose në qendër të tyre.
Ndërkaq si pjesë e marketingut, komunikimi i cilësisë së produkteve bujqësore dhe atyre të industrisë së blegtorisë zë peshën më të madhe nga pikëpamja e gamës së temave dhe çështjeve të trajtuara në marketingun mediatik ose në format e drejtpërdrejta në Internet.
Shpesh kur flitet për mjedisin dhe kujdesin për ta mbajtur pastër atë harrohet se ai nuk na vjen vetëm nëpërmjet syve, pra si peizazh, por edhe në formë akustike, si melodi, fjalë të thëna me zë të lartë, tinguj muzikorë, zhurma të natyrës apo tonalitete çjerrëse zhurmash shurdhuese.
Ndotja akustike
Shkencat e komunikimit interesohen për shkallën, intensitetin dhe pasojat e zhurmave në qytet. Themi në qytet sepse aty përqendrimi i faktorëve të zhurmshëm është shumë herë më i madh sesa në zonat rurale dhe individi si pa e kuptuar, por shpesh edhe i kërrusur nga pasoja e zhurmave, ka vuajtje psikologjike të ndjeshme prej tyre.
Nuk duhet harruar se një pjesë e pasojave zanore vijnë nga industria e informimit dhe e kulturës. Nga televizorët, telefonat e lëvizshëm, radiot e autoveturave, nga diskot që transmetojnë nga qendra zëri apo nga impiante lexuesish CD, prodhohen tinguj muzikorë apo tingëllime fshikulluese që shpesh herë prishin qetësinë e natës, shqetësojnë qytetarët dhe kanë një forcë dëmtuese për veshin. Heshtja dhe qetësia e intimitetit është bëre gjithnjë e më shumë një e mirë e rrallë.
Dhe mediat nuk e shqetësojnë veshin vetëm me forcën e atyre akustike, por edhe me përmbajtjen e mesazheve që transmetojnë. Vrasje, aksidente, korrupsion, përmbytje, etj., të gjitha këto mesazhe që kap veshin prodhojnë atë që plotëson ndotjen akustike.
Si komunikon njeriu nëpërmjet dialogut oral ka të bëjë shumë me kulturën qytetare. Flasin shpesh me zë të lartë, thërrasin në distanca, bërtasin në vende publike, prishin qetësinë në salla leksionesh, kinemash, mbledhjesh publike, të gjitha këto janë pjesë e jetës sonë dhe na vijnë nga një botë ku i foluri në ajër të hapur, nga mali në mal, nga gërxhi në gërxh ishin pjesë e komunikimit të përditshëm të njerëzve që jetonin brenda një kulture të caktuar tradicionale. Si qajnë dhe si qeshin njerëzi është gjithashtu pjesë e tematikës së komunikimit. Jo vetëm zhurmat, por edhe heshtja, ajo që nuk thuhet, nuk thuhet sepse ndalohet sipas kodeve të ndryshme të një censure të padukshme, të butë, por të gjithëpranishme. Ajo që nuk thuhet është shpesh më e rëndësishme sesa ajo që thuhet.
Administrimi i hapësirës publike nuk mund të realizohet sipas parametrave bashkëkohorë nëse nuk merret përsipër të bëhet kujdes edhe për eliminimin e ndotjes akustike, ose së paku për pakësimin e saj. Zhurmat e autoveturave në qytete, të ndërtimeve ku makineritë e rënda nuk njohin as orar as kujdes për banorët përreth, gjithçka që shqetëson veshin dhe gjithë sistemin nervor bëhet shkak për stres urban.
Për të mos hyrë në analiza më të detajuara që kanë të bëjnë me prodhimin e qëllimshëm të zhurmave për ndotjen e hapësirës publike mediatike dhe politike. Mitingjet elektorale janë një efekt i zhurmshëm në qytet që prodhon psikoza kolektive, që mpin arsyen dhe e mbështjell individin me kufizime të foluri e integruar në një turmë të manipulueshme sipas taktikave të njohura shumë mirë. Po kështu, edhe në debate televizive shpesh i ndërhyhet kundërshtarit duke prodhuar fjali pa lidhje, ofendime, sharje, thjesht për të shqetësuar ligjërimin e tij racional ose mbuluar argumentet me zhurma semantike. Aq më shumë kur debatuesit flasin njëkohësisht dhe mbulojnë kohën televizive me tinguj të pakuptimtë sepse nuk munden të prodhojnë ligjërime që i përgjigjen temës që i është propozuar të ndjekë lexuesi.
Komunikimi midis hapësirave urbane dhe rurale
Komunikimi midis zonave urbane dhe atyre rurale sigurisht është një problem sa ekonomik dhe financiar, aq edhe sociologjik dhe politik apo edhe kulturor. Shkenca të ndryshme e studiojnë këtë tematikë, por ndoshta sado përqendrohen aty përsëri nuk është mjaft sa duhet. Midis shkencave të tjera, edhe shkencat e komunikimit kanë treguar vëmendje të veçantë kur është fjala për marrëdhëniet midis fshatit dhe qytetit.
Një migrim i brendshëm përgjatë dekadave të fundit ka bërë që veçanërisht tani, në shumë qytete të mëdhenj të botës, të dynden masa popullsie rurale. Vetë qyteti njeh një densitet të lartë demografik dhe njerëzit nuk njohin më njeri tjetrin për shkak të përzierjeve masive të një popullsie që shtohet nga dita në ditë. Përzihen gjithashtu kultura të ndryshme dhe opinioni publik qytetar humb koherencën dhe identitetin e vet deri në një kohë tjetër të pacaktuar.
Le të mos harrojmë se mediat masive janë dukuri në origjinë urbane dhe shekujt e shkuar e bënë qytetin edhe qendër kulturore që duhej ta banoje për të fituar kulturë. Ndërkohë që sot, me mediat audiovizive elektrike dhe Internetin, sikurse shkruante Mac Luhan, i gjithë Planeti ynë është kthyer në një “fshat global”. Masivizimi dhe globalizimi i informacionit ka sjellë që zona rurale përreth qendrave urbane nuk pret më nga qyteti që të “ushqehet” me art dhe kulturë, as ta popullojë atë për të qenë më afër kulturës.
Por, nga ana tjetër, është kultura popullore si kulturë gjenerike rurale që po thahet sikurse po ndodh me boshatisjen e fshatit, me copëtimin e familjes patriarkale fshatare, si edhe me zëvendësimin e kulturës artistike popullore nga kultura masive që difuzohet me çmime të lira nga mediat masive apo rrjeti i shitjes së produkteve dixhitale artistike.
Në fakt, hapësira e betonuar urbane zgjerohet pa ndërprerje dhe gllabëron gjithë periferinë urbane, duke zhdukur kulturën dhe urbanistikën tradicionale dhe duke e transformuar atë në një zonë të boshatisure destinuar për depo, sipërfaqe të mëdha tregtare, parkingje kamionësh të tonazhit shumë të madh etj.




