8 futbollistët me më shumë Topa të Artë

Historia e futbollit tashmë duket se nuk mund të kuptohet pa Topin e Artë. Një trofe që i jep futbollisti më të mirë çmimin që duket se e lë në histori. Nga rekordmeni Mesi e deri te Bekenbauer janë të shumtë lojtarët që e kanë fituar këtë trofe. Mirëpo 8 futbollistë ose, më mirë, ikona të historisë së futbollit, të cilët e kanë fituar Topin e Artë e kanë fituar më shumë më herë, ndaj dhe ne i kemi quajtur Të Artët e Futbollit. Mes tyre vetëm 4 emra janë absolutisht të paarritshëm: Johan Krujf, Mishel Platini, Marko van Basten dhe Lionel Mesi. Tre nga këta emra e kanë fituar plot 3 herë Topin e Artë, ndërsa Mesi është absolut, pasi është triumfator me katër.

 

 

Mesi

messi-jpg1358087566 Që nga mosha 21 vjeç, Mesi ka qenë i nominuar për të fituar Topin e Artë dhe FIFA World Player of the Year. 1 vit më vonë, në vitin 2009, ai fitoi Topin e Artë dhe FIFA World Player of the Year. Ai vazhdoi dominimin e tij duke fituar edhe tre Topa të Artë në vitet 2010, 2011 dhe 2012. Ai gjithashtu fitoi në sezonin 2010-11 UEFA Best Player in Europe. Në moshën 24-vjeçare, Mesi u bë golashënuesi më i mirë i historisë së Barcelonës në të gjitha kompeticionet. Në moshën 25-vjeçare, Mesi u bë lojtari më i ri që shënon 200 gola në La Liga. Njohur gjerësisht si lojtari më i mirë në botë, Mesi është vlerësuar nga disa komentues, trajnerë dhe lojtarët si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Mesi është lojtari i parë në historinë e futbollit që ka fituar 4 herë rresht Topin e Artë dhe lojtari i parë që ka fituar 3 herë trofeun Këpuca e Artë Evropiane. Mesi ka fituar 6 La Liga, 2 Copa del Rey, 5 Supercopas de España, 3 UEFA Champions League, 2 UEFA Super Cup dhe 2 Botërore Klubesh. Mesi është lojtari i pari i parë dhe i vetëm i cili është shpallur golashënuesi më i mirë në UEFA Champions League në 4 sezone. Në mars të vitit 2012, Mesi shkroi historinë e Champions Leagues duke u bërë lojtari i parë në histori që shënon 5 gola në një ndeshje. Ai gjithashtu barazoi edhe rekordin e Hoze Altafinit me 14 gola të shënuar në një sezon të Champions League-ës. Mesi ka vendosur edhe rekordin evropian për më shumë gola të shënuar gjatë një sezoni, ai e vendosi rekordin në sezonin 2011-12 duke shënuar 73 gola, duke përfshirë edhe 50 golat në një sezon në La Liga, që është rekord më vete të vendosur gjithashtu në sezonin 2011-12. Po në sezonin 2011-12, Mesi u bë lojtari i parë në historinë e futbollit që shënon dhe asiston në 6 kompeticione të ndryshme. Më 16 shkurt 2013, Mesi shënoi golin e tij të 300 në karrierë më Barcelonën. Më 30 mars 2013, Mesi shënoi në ndeshjen e tij të 19 radhazi, duke u bërë futbollisti i parë në historinë e La Ligas që shënon të paktën 1 Gol në 19 ndeshje radhazi dhe i pari futbollistë që shënon gol kundër të gjitha skuadrave të La Ligas në një sezon të vetëm. Mesi e vazhdoi rekordin e tij deri në 21 ndeshje dhe e përfundoi në një ndeshje kundër Atletiko Madridit ku ai u detyra të braktiste ndeshjen, për shkak të një dëmtimi në këmbë.

 

 

Mishel Platini

Golashënuesi më i mirë i kampionatit për tre vjet me radhë, ai që sulmues i mirëfilltë nuk është, jo sipas rregullave. Regjisor që shpik ide për të lëshuar drejt rrjetës shokët dhe, në qoftë se shokët nuk e kapin momentin, ai e gjen vetë rrugën e golit. Perfeksionist që studion mijëra e mijëra herë në stërvitje atë goditje dënimi magjike e të mrekullueshme nga hyrja e zonës, pasi arti duhet kultivuar me ushtrime, edhe pse pastaj në momentin e ekzekutimit duket thjesht gjenialitet dhe improvizim. Është lumturia, është e pashpërthyer, e përbërë me buzëqeshje, jo të qeshura. Me melankoli të lehtë, me sfumatura. Lumturia është Juve, “ajo” Juve, Juve e Platinisë. Dy tituj kampion (1983 – 1984 dhe 1985 – 1986), Kupë Italie në 1982 – 1983, pastaj sukseset ndërkombëtare. Një Kupë Kupash, një Mundialito, një Interkontinentale, një Superkupë Evrope dhe Mishel kurorëzohet perandor i futbollit: nga 1983 deri më 1985 fiton tri herë radhazi Topin e Artë. Ka marrë pjesë në 3 aventura botërore, njëra nga të cilat (Meksika 1986) priste Francën në një rol prej ekipi të parë. Zhgënjim i madh, vendi i tretë meksikan. Në mënyrë paradoksale, shumë më tepër nga vendi i katërt i siguruar katër vjet më parë në Spanjë. Në dy sezonet e fundit torinezë dhe italianë konsumohet lamtumira, të paktën në kokën e tij. Data zyrtare mbetet e shkruar në vjetarët e futbollit: me 17 maj 1987 Juventus-Bresha përfundon me rezultatin 2-1 dhe përfundon në orën 17 e 47 minuta. Kampioni del nga fusha për herë të fundit. Në Itali, me fanellën e Juventus, ka luajtur 222 ndeshje dhe ka shënuar 103 gola midis kampionateve dhe kupave. Ka fituar 2 tituj kampion, një Kupë Italie, një Kupë Interkontinentale, një Superkupë, një Kupë Kampionesh, një Kupë Kupash, një Mundialito. Po ashtu dhe 3 herë Topin e Artë. Ka mjaft sa për të hyrë në legjendë.

 

 

Marko van Basten

Vlerësohet si njëri nga golashënuesit më të spikatur të brezit të tij. Van Basten luajti në klubin e Ajaksit të Amsterdamit 2 vjet, pastaj kaloi te klubi kampion AC Milan, ku përjetoi momentet më të bukura të karrierës së tij dhe arriti të fitonte 3 kampionate dhe 2 Champions League. Në vitin 1990, ai doli golashënuesi më i mirë dhe mori Topin e Artë. Në moshën 26-vjeçare ai u dëmtua seriozisht ne kavilje dhe u detyrua të tërhiqej nga futbolli për 2 vjet, u kthye në Holandë në vendin e lindjes, në moshën 29-vjeçare “tulipani” u tërhoq nga futbolli.

 

Johan Krujf

Në gusht të vitit 1963, ai nënshkruan në moshën 16-vjeçare kontratën e tij të parë më Ajaksin. Ai luan ndeshjen e parë më 15 nëntor të vitit 1964 kundër Groningenit; edhe pse ekipi e tij humb këtë ndeshje, ai shënon aty golin e tij të parë. Ai hyn në përzgjedhjen holandeze më 7 shtator të vitit1966 gjatë një ndeshjeje kundër Hungarisë, e cila përfundoi me rezultatin 2 me 2. Ai nënshkruan golin e barazimit. Më vonë, Holanda zhvillon një ndeshje më Çekosllovakinë. I lodhur nga një shënim golash shumë i dhunshëm, Krujf vendos “drejtësi” në veten e tij. Arbitri i jep kartonin e kuq dhe Krujf ishte lojtari i parë holandez që u përjashtua. Ajaksi fiton për herë të parë në finalen e Kupës së Evropës, që ishte data 28 maj e vitit 1969, por përulet para Milanit me rezultatin 4 me 1. Pasi u përjashtua nga fusha e blertë, Krujf largohet nga skuadra e Ajaksit. Ashtu si Gerri Muhren ka mbajtur numrin 9, ai mbajti numrin 14, numër që do t’i ngjitej pas kurrizit gjithë jetën e tij futbollistike. Ajaksi bëhet kampion i botës pas fitores në finale në “Wembley” kundër Panathinaikosit të Athinës, më 2 qershor të vitit 1971. Krujf fiton këtë vit çmimin Topi i Artë. Më 31 maj të vitit 1972, Ajaksi fiton për herë të dytë Kupën e Evropës përballë Interit falë dy golave të Krujfit. Ekipi i tij fiton njëkohësisht titullin e Kampionit të Botës së Klubeve më 28 shtator të vitit 1972 përballë Indepedientes. Krujf luan ndeshjen e tij të fundit në ekipin e Ajaksit më 19 gusht të vitit 1973 dhe më pas destinacioni i tij është ekipi i Barcelonës. Krujf u transferua në klubin sportiv të Barcelonës në fund të verës së vitit 1973 për një kontratë rekord. Ardhja te ekipi i Barcelonës dhe jo te Reali i Madridit të lojtarit më të mirë të botës duket si një triumf katalanas. Klubi s’ka fituar në Ligën e Kampioneve që prej vitit 1960 dhe ishte në prag të festimit të 75-vjetorit. Presioni i popullit ishte shumë i madh, Krujf konsiderohej si shpëtimtar që do t’i jepte klubit famë nga ajo e tij. Atij i lejohej gjithçka, përfshi këtu faktin e të pirit cigare “Camel” pa filtër në kohën e pushimit mes dy pjesëve të ndeshjes. Ekipi i Barcelonës, i drejtuar nga Rinus Mishels (një tjetër ish-lojtar i Ajaksit), nuk mund të besonte te reduktimet që në fillim të sezonit, por kjo ndodhi pasi e detyruan disa probleme politike dhe administrative. Krujf luan për herë të parë, pra nën fanellën e re, me ngjyrat e kësaj skuadre, më 28 tetor të vitit 1973. Në këtë ndeshje ai shënon dy gola përballë Granadës. Ai fiton përsëri çmimin “Topi i Artë” në vitin 1973. Ai bëhet idhulli i katalanasve. Gjithashtu ekipi po bënte ndeshje me vlera duke mos pësuar asnjë humbje. Jo më larg se një vit më pas, skuadra e Barcelonës arrin të jetë shumë në formë, duke fituar derbin përballë Real Madridit, në “Santiago Bernabeu”, me rezultatin 5 me 0, më 17 shkurt të vitit 1974. Kështu skuadra e Barcelonës udhëton drejt titullit kampion që kishte 14 vjet që e priste. Më 7 korrik të vitit 1974, Holanda sfidoi Republikën Federale Gjermane “në shtëpinë e saj” në finalen e Kupës së Botës. Por atë ditë gjermanët ishin më të fortë dhe më të zotë, por fati nuk i ndihmoi që të fitonin. Këtë herë i talentuari Krujf fiton për herë të tretë çmimin “Topi i Artë”, duke u bërë kështu lojtari i parë që fiton këtë çmim tri herë radhazi.

 

 

 

Franc Bekenbauer, 2 herë

Bekenbauer bëri debutimin me Bajernin në Regionalia Sud në krahun e majtë kundër Shtutgarter Kkers në 6 qershor 1964. Në sezonin e parë në Regional League, 1964-1965, skuadra arriti të ngjitej në kategorinë e sapoformuar, Bundesliga, d.m.th. në ligën kombëtare. Bajerni shpejt u bë një forcë në kampionatin e ri gjerman, duke fituar Kupën e Gjermanisë në sezonin 1966-1967 dhe arritur sukses evropian, duke fituar Cup Winners Cup në 1967. Bekenbauer u bë kapiteni i skuadrës në sezonin 1968-1969 dhe udhëhoqi klubin e tij në fitimin e kampionatit të parë. Ai filloi të eksperimentohej si një libero, duke e kthyer këtë rol në mbase eksponentin kryesor të lojës sulmuese. Gjatë kohës që Bajerni drejtohej në fushë nga Bekenbauer, klubi fitoi tri kampionate radhazi (1972-1973-1974) dhe gjithashtu fitoi radhazi tri kupa Evrope (1974-1975-1976). Në mënyrë interesante, Bekenbauer është thërritur “Der Kaiser” nga fansat dhe mediat që në vitin 1968. Anekdota që e shpjegon (e thënë dhe nga vetë Bekenbauer) thotë që në një ndeshje të Bajernit në Vjenë, Austri, Bekenbauer bëri një sesion fotosh ngjitur me bustin e ish-perandorit austriak Franc Jozef I. Media e quajti “Fussball-kaiser” më vonë dhe së shpejti u quajt “Der Kaiser”. Në vitin 1977, Bekenbauer pranoi një kontratë luksi për të luajtur në kampionatin e SHBA-së, me Nju Jork Kozmos. Ai i ndihmoi Kozmosin të fitonte 3 kampionate, 1977-78-80. Bekenbaueri u tërhoq nga futbolli, pasi luajti dhe 2 vjet me Hamburgun (1980-1982) ku arriti të fitonte Bundesligën dhe përsëri në vitin 1983 arriti të fitonte kampionatin e SHBA-së me Nju Jork Kozmosin, viti i tij i fundit si lojtar. Në karrierën e tij në kampionatin vendas, ai bëri 587 paraqitje dhe shënoi 81 gola.

 

 

 

Pele dhe Maradona, yje pa Top të Artë

Legjendat e futbollit si Pele e Maradona, edhe pse konsiderohen si futbollistët më të mëdhenj në histori të futbollit, nuk e kanë pasur fatin e Lionel Mesit për ta fituar Topin e Artë. Ka edhe futbollistë të tjerë të mëdhenj si Eusebio, Maldini, Del Piero e Zaneti, të cilët, përkundër sezoneve fantastike, nuk arritën ta shijonin çmimin prestigjioz. Shumë emra të mëdhenj të futbollit kanë arritur të shpërblehen për lojën, golat dhe sukseset e tyre me çmimin prestigjioz Topi i Artë. Duke filluar nga Franc Bekenbaueri i madh i Gjermanisë e deri te Lionel Mesi i kohëve tona, shumë yje të futbollit janë kurorëzuar me titullin më të rëndësishëm individual në sportin popullor. Por, çuditërisht e edhe fatkeqësisht për spektaklin dhe atë çka ata kanë dhënë në fushën e lojës, ka edhe disa emra tejet të mëdhenj që nuk e kanë fituar këtë çmim. Prej tyre vlejnë të përmenden ndoshta dy emrat më të mëdhenj të historisë së këtij sporti: Pele dhe Diego Armando Maradona, të cilët nuk e kanë fituar këtë trofe pavarësisht se njihen si ‘mbretërit’ e futbollit. Braziliani spektakolar kishte fituar gjithçka me Santosin dhe me përfaqësuesen e Brazilit, por fati i keq i tij është se jetoi në një kohë kur çmimet individuale nuk jepeshin. Ndërkohë, legjenda argjentinase bëri çka deshi me topin, duke e drejtuar Napolin dhe Argjentinën drejt sukseseve të paharruara, por as këto nuk i ndihmuan që ta kishte epitetin “Top i Artë”. Mirëpo, braziliani dhe argjentinasi nuk ishin të vetmit të cilët nuk e shijuan Topin e Artë. Portugezi Eusebio konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit, pastaj legjenda e Juventusit, Alesandro del Piero, apo shtylla e mbrojtjes së Milanit, Paolo Maldini, i cili fitoi 5 Champions me kuqezinjtë. Edhe futbollistët e mëdhenj të ditës së sotme si Zllatan Ibrahimoviç, Samuel Eto, Didier Drogba apo Havier Zaneti nuk e patën fatin ta shijonin atë që Lionel Mesi e provoi katër herë. E keqja për këta lojtarë është se Topi i Artë i ndahet vetëm një futbollisti dhe të tjerët, përkundër sezoneve fantastike nëpër të cilët kalojnë, duhet të kënaqen me kaq.

 

 

 

 

Barcelona, skuadra me më shumë Topa të Artë

Skuadra që mban vendin e parë në renditje për trofeun më të rëndësishëm individual të fituar nga lojtarët e saj është Barcelona, me plot 10 të tillë. Menjëherë pas katalanasve në vend të dytë renditen dy klubet italiane, Milani dhe Juventusi, pasi futbollistët e tyre e kanë fituar nga 8 herë Topin e Artë. Pavarësisht se kësaj radhe e fitoi Kristiano Ronaldo, Reali i Madridit ndodhet vetëm në vendin e 4, me 6 trofe, i ndjekur nga gjermanët e Bajern Mynihut, me 5 të tillë. Në 10 trofetë e fituar nga Barcelona sigurisht është Lionel Mesi ai që mban vendin e parë me 4 çmime, i ndjekur nga Johan Krujf me 2 dhe Ronaldinjo Rivaldo, Stojçkov e Luis Suarez me nga 1 Top të Artë. Te Milani bie në sy holandezi Marko van Basten me 3 trofe. Te Juventusi, ai që udhëheq është presidenti aktual i UEFA-s, Mishel Platini, po me 3 trofe, ndërsa te Reali kryesojnë Alfredo di Stefano dhe Kristiano Ronaldo me nga 2 çmime.

 

Lista (Gri me font pak me te madh)

Lionel Mesi – Barça 2009, 2010, 2011, 2012

Mishel Platini – Juve 1983, 1984 dhe 1985

Johan Krujf – Ajaks 1971, Barcelona 1973 dhe 1974

Marko van Basten – Milan 1988, 1989 dhe 1992

Franz Bekenbauer – B. Mynih 1972 dhe 1976

Kevin Kigan – Hamburg 1978 dhe 1979

Karl Hajnc Rumenige – B. Mynih 1980 dhe 1981

Ronaldo – Inter 1997 dhe Real Madrid 2002

 

Share it :