“Bernabeu” kthehet në Coca Cola?

BernabeuE çuditshme, por kur në punë hyn paraja, çdo gjë duket normale. Coca Cola i ka bërë një ofertë prej plot 80 milionë eurosh Realit të Madridit për të ndryshuar emrin e stadiumit “Santiago Bernabeu”. Kjo është oferta e dytë më e lartë në drejtim të Florentino Perezit brenda pak muajsh. Presidenti i “Los Blancos” do të takohet me drejtuesit e shtëpisë prodhuese të pijes për të diskutuar për5 çështjen. Në 2013-ën, Microsoft ofroi 50 milionë euro, por Reali nuk pranoi. Tashmë në vitet e fundit, marketingu bën padronin në sport. Kështu edhe “Bernabeu” është gati të përshtatet. Të parët që ndërmorën këtë nismë ishin anglezët e Arsenalit, duke e lidhur emrin e stadiumit të tyre me atë të kompanisë ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, “Fly Emirates”. Të dytët pastaj ishin gjermanët e Bajernit, që ndryshuan emrin e stadiumit në “Allianz Arena”.

 

 

Januzaj: Kosova, zgjedhja ime e parë

Adnan Januzaj mund të përfaqësojë Kosovën, duke zgjedhur një rrugë të mesme pas kërkesave që disa vende kanë bërë për të rrëmbyer talentin me kombësi shqiptare. Lajmin e bën të ditur portali turk “fanatik.tr”, që shton se mesfushori i Mançester Junajtid e ka marrë një vendim të tillë, pasi FIFA i lejoi Kosovës të luajë ndeshje miqësore pa himn dhe flamur. Faqja e specializuar sportive vë në gojën e Adnanit fjalët: “Në emër të popullit të Kosovës dhe të familjes sime, për t’i bërë ata të lumtur, zgjedhja ime do të jetë Kosova”. Turqia është një nga vendet që pretendon shërbimet e talentit, por në garë për të janë edhe Belgjika, Kroacia, Anglia dhe Shqipëria. Në rast se lajmi i faqes turke të internetit konfirmohet zyrtarisht edhe nga familjarët e djaloshit, atëherë kjo ndoshta do të ishte zgjidhja më optimale për të plotësuar dëshirën e shqiptarëve, të cilët kërkojnë me ngulm që ylli i “djajve të kuq” të përfaqësojë kombëtaren kuqezi.

 

 

Shqipëria ngjit një pozicion në klasifikim

Kombëtarja kuqezi, edhe pse vazhdon të jetë në kuotën e 571 pikëve, ka ngjitur një shkallë në klasifikimin e përgjithshëm botëror, falë edhe rrëshqitjes së Norvegjisë që më parë ndodhej para nesh, ndërsa tani ka humbur 5 pozicione. Në renditjen e fundit, veç kombëtares nordike, Shqipëria pasohet edhe nga Australia Burkina Faso Sllovakia e Guinea, ndërsa nuk ka asnjë surprizë për sa u përket 25 vendeve të para, që mbeten të pandryshuara në raport me Dhjetorin.

Spanja, kampione në fuqi e Evropës dhe e botës, prej shtatorit 2011 vazhdon të mbajë të pacenuar vendin e parë me gati 200 pikë më shumë se Gjermania e udhëhequr nga Hoakim Lëv, që konsiderohet një nga skuadrat më favorite për trofeun e Botërorit në Brazil. Me diferencë më të ngushtë pikësh, podiumi plotësohet me Argjentinën, që pasohet nga Kolumbia e vendit të katërt Portugalia Uruguaji, Italia, Zvicra, Holanda e Brazili. Në përditësimin e fundit nga FIFA për muajin Janar, ekipet përfaqësuese që kanë bërë hapa galopantë janë Arabia Saudite, ka fituar plot 14 vende dhe renditet e 73-ta, Egjipti ndodhet në vendin e 31-të pasi ka ngjitur 10 shkallë, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që pasi kanë parakaluar 8 kombëtare, pozicionohen në vendin e 63-të.

 

 

Sedorf mbërrin në Milano

Shpëtimi i Milanit mbërrin në tokën e “djajve të kuq”. Tekniku i ri i skuadrës së Milanit është gati për të drejtuar këtë skuadër. Sedorf është fotografuar në Milanelo gjatë seancës stërvitore me kuqezinjtë teksa shoqërohej nga Galiani. Ndërkohë, skuadra ka publikuar edhe foto të nënshkrimit të kontratës e cila përfundon më 30 qershor 2016. I ulur përkrah administratorit Adriano Galiani, profesori holandez vulosi kështu nisjen e një aventure të dytë në Milanelo, duke firmosur kontratën, por këtë herë si trajner i skuadrës. Menjëherë firma e Sedorfit u pasua edhe nga njoftimi zyrtar i Milanit në “Twitter”, i shoqëruar me foton e dy të pranishmëve në zyrën e Galianit.

Share it :