Raporti për Shqipërinë Reforma në drejtësi, KiE: KLD, zgjedhje me shumicë të cilësuar

Gëzim Saliu

 

Komisioneri Muižnieks: Rastet e korrupsionit në gjyqësor të hetohen në mënyrë efektive dhe të ndiqen penalisht

Raporti: Ministri i Drejtësisë të mos përfshihet në procedimet disiplinore të gjyqtarëve

 

nils muiznieksKëshilli i Evropës kërkon që të gjitha rastet e korrupsionit në vend të hetohen në mënyrë efektive dhe të ndiqen penalisht. Në raportin e KiE-së për Shqipërinë, të publikuar dje nga komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muižnieks, u vu theksi tek reformat në drejtësi, ku u rekomanduar depolitizimi i drejtësisë sipas tij vjen nga mënyra e zgjedhjes së përfaqësuesit të Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Anëtarët e këtij Këshilli duhet të votohen me shumicë të cilësuar në parlament dhe duhet të ushtrojnë një ndikim më vendimtar në emërimin, promovimin dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve, duke përfshirë edhe ata të Gjykatës së Lartë. Çdo ndërhyrje politike e pavend në funksionimin e gjyqësorit duhet të shmanget. Kjo nënkupton edhe heqjen e përfshirjes së ministrit të Drejtësisë në procedimet disiplinore të gjyqtarëve”, – tha komisioneri.

 

Raporti

Në raportin e përgatitur nga komisioneri Muižnieks pas vizitës së tij në Shqipëri në shtatorin e vitit të kaluar, vlerësohet strategjia kombëtare dhe plani i veprimit për të forcuar sistemin gjyqësor në Shqipëri, por nga ana tjetër theksohet se janë të nevojshme veprime më të vendosura, duke përfshirë më shumë transparencë dhe procedura në bazë të meritave për emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve. Në këtë kontekst, komisioneri inkurajon autoritetet të miratojnë masat e nevojshme legjislative të cilat do të sigurojnë një shumicë të cilësuar për votimin në Parlament në lidhje me emërimin e prokurorit të Përgjithshëm nga ana e Presidentit. “Tempi është shumë i ngadaltë në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut, por dhe zbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare. Të gjitha vendimet e dhëna nga Gjykata duhet të jenë të menjëhershme, të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë efektive”. Më tej ai bën të ditura mangësitë në zbatimin e legjislacionit të ndihmës juridike, të cilat sipas komisionerit pengojnë qasjen efektive në drejtësi, veçanërisht nga grupet në nevojë. “Autoritetet duhet të adresojnë këtë çështje në bashkëpunim të ngushtë me OJQ-të e specializuara. Mirëpres planin e autoriteteve për të reduktuar taksat gjyqësore për të siguruar qasje më të efektshme në drejtësi. Megjithatë, është e nevojshme që gjyqtarëve të rretheve dhe atyre të apelit t’u sigurohen udhëzime të qarta në lidhje me zbatimin e vendimit të vitit 2013 të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje”. Nga ana tjetër, komisioneri rekomandon hetimin dhe dënimin e zyrtareve në të gjitha nivelet, ndërsa thekson nevojën për hetimin e demonstratës së 21 Janarit. “Që procesi të jetë i besueshëm dhe të ndihmojë në restaurimin e besimit të publikut ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, është e rëndësishme të vendosen dënime të përshtatshme parandaluese për çdo zyrtar të zbatimit të ligjit të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

 

 

 

Durrës

Marrëveshja për ujësjellësin, 85 milionë dollarë nga BB. Rama: Reformë rrënjësore tek kanalizimet

Banka Botërore do të financojë 85,3 milionë dollarë për hapjen e puseve të reja për nxjerrjen e ujit, stacionin e ri të pompimit si dhe ndërtimin e një tubacioni të ri të ujit të pijshëm me gjatësi 65 km nga Fushë-Kuqja e Laçit deri në Durrës. Marrëveshja u firmos dje në Bashkinë e Durrësit me praninë e drejtores së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ellen Goldstein, dhe Kryeministrit Edi Rama. Golstein theksoi në fjalën e saj se popullata e Durrësit është trefishuar pas vitit 1990, por jo sasia e ujit. Ajo shtoi se situata aktuale e furnizimit me ujë nuk është pozitive, me vetëm 6 orë në ditë, ndërkohë që vetëm 30 për qind e sasisë së ujit humbet rrugës dhe po kaq nuk paguhet. Ndërsa Kryeministri Rama u shpreh për një reformë rrënjësore në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve. “Është një sfidë e qeverisë dhe e pushtetit vendor, por është një sfidë edhe në kuadrin e reformës rrënjësore që ne do t’i bëjmë sistemit tonë të ujit. Jemi vendi i dytë më i pasur në Evropë për burime ujore dhe jemi ndoshta i vetmi vend në botë që nuk ka në kontroll burimet veta ujore. Përkundrazi, është kampion i pa konkurrueshëm i shpërdorimit të këtyre burimeve, të kësaj pasurie shumë të madhe, nga e cila jo vetëm që nuk përfitojnë ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë, por Shqipëria humbet përditë, ndërkohë që duhet të fitojë përditë. Ne do ta reformojmë rrënjësisht këtë sistem”, – tha Rama. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se ky investim është mjaft i rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin e rajonit të Durrësit. Para nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Rama ka inspektuar impiantin e përpunimit të ujërave të zeza në Shënvlash, i cili përfundoi një vit më parë dhe tashmë një pjesë e ujërave të zeza përpunohen në këtë impiant.

 

 

Ideja e Kryeministrit

Pllakat bronzi në bulevard për 4 të vrarët e 21 Janarit

Në kuadër të trevjetorit të demonstratës së 21 Janarit, qeveria ka menduar që të ngrejë një memorial për 4 të vrarët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Deputeti socialist Artan Gaçi, i cili mbikëqyri punimet, deklaroi se memorialët do të qëndrojnë gjithmonë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në nderim të qytetarëve që humbën jetën në demonstratën e opozitës së atëhershme kundër mazhorancës së kaluar.

 

 

Rikonstruksioni

Përfundojnë punimet para ndërtesës, oborr i ri te Kryeministria, mbetet fasada

Rikonstruksioni i oborrit të ndërtesës së Kryeministrisë ka përfunduar. Pas thuajse më shumë se tre muajsh punime, janë mbyllur rikonstruksionet në pjesën ballore të ndërtesës, ku skela tashmë nga shkallët është zhvendosur tek fasada. Palmat janë zëvendësuar me pemë dekorative, ndërsa janë hequr kangjellat dhe është zëvendësuar mermeri i shkallëve. Rregullimi i oborrit, i zyrave dhe i fasadës ishte puna e parë që nisi Kryeministri Rama sapo shkeli në zyrën e tij të re në shtator. Ky rikonstruksion hapi debat të gjerë mes palëve politike, por edhe në opinionin publik lidhur me koston e këtyre punimeve. Nga ana e saj, qeveria, edhe përmes kreut të saj Rama, ka pohuar se këto punime janë vullnetare dhe nuk kanë kosto nga qytetarët. Ndërkohë, opozita ka kërkuar transparencë për këtë çështje, pasi, sipas saj, nuk janë bërë publikë si emrat e donatorëve ashtu edhe tenderët.

 

 

Share it :