Në praktikën time psikoterapike kam hasur mjaft shpesh njerëz me probleme armiqësore: prindër të inatosur me fëmijët e tyre, fëmijë të inatosur me prindërit e tyre, burra e gra të inatosur me njëri-tjetrin – dhe me të dashurit e tyre, pa përmendur dashnoret e bashkëshortit.
Leana ishte 41 vjeçe dhe kishte një vajzë 12-vjeçare, Sallin. Ajo erdhi të më takonte ngaqë kishte frikë se do të shpërthente ndonjë ditë nga sjelljet prej rrugaçeje të Sallit. Salli kishte nisur të bënte mungesa në shkollë dhe ta gënjente të ëmën shpesh e më shpesh.
– Nuk e kuptoj përse i pëlqen Sallit të bëjë kështu si e ka nisur. Mbasi më premton çdo natë se të nesërmen do të shkojë në shkollë, ajo përsëri nuk bën asgjë nga ato që më thotë.
E pyeta Leanën se ç’po bënte ajo për ta ndihmuar Sallin që të shkonte mëngjeseve në shkollë.
– Po ja, i them se po nuk shkoi në shkollë, kam për ta vrarë.
– E kuptoj. Dhe si të përgjigjet vajza për këtë?
– Ajo tërheq jorganin më lart dhe shtiret sikur gjoja po fle.
– Si ndihesh në ato çaste?
– Nis e ziej nga brenda.
– Ku të shpie ty, kjo e zierë nga brenda?
– Ku më shpie? Këtu, besoj.
– Mirë e ke. Zemërimi yt nuk i ka sjellë asnjë dobi Sallit. Madje më keq, ti po e rraskapit veten më kot.
– Po, po, ashtu po bëj.
– Dhe më duket se, sa më shumë shfryn e shpërthen ti në mëngjes, aq më shumë përpiqet Salli të shpëtojë, duke u strukur më thellë poshtë jorganit.
– Keni të drejtë, besoj. Por unë thjesht nuk di se çfarë duhet të bëj tjetër. Nuk jam fare në vete.
Objektivi i parë me njerëz në situatën e Leanës është t’i ndihmosh që ta kuptojnë qartësisht se janë ata vetë që po i shkaktojnë zemërim vetes së tyre dhe se ky zemërim po u hap edhe telashe të tjera shtesë.
Leana kishte një problem Praktik: Si t’ia bënte me të bijën e saj. Problemi emocional ishte zemërimi. Unë arrita ta bind Leanën se sapo të arrinte e ta komandonte zemërimin e saj, atëherë do të qe më e përgatitur për të bërë diçka rreth problemit PRAKTIK që kishte.
Në fakt, pasi e stërviti veten për të shmangur zemërimin, unë dhe ajo përpunuam bashkërisht një strategji të arsyeshme për ndryshimin e sjelljes të së bijës nëpërmjet një sistemi shpërblimesh dhe dënimesh. Për shembull, nëse një mëngjes, Salli ngrihej në kohë, ajo mund të lejohej në mbrëmje që të shikonte sipas dëshirës ndonjë video.
Doli se ideja e përdorimit të shpërblimeve dhe dënimeve i pati vajtur në mend Leanës edhe më parë dhe e pati provuar por s’e kishte vazhduar gjatë, për shkak të acarimeve të saja. Mitdhënia e suksesshme kërkon mendje të ftohtë.
Vonesat, kërkesat dhe shqetësimet
Hedhëri, një grua 35-vjeçare, me flokë të gjata bionde dhe vështrim si të përvajshëm, u konsultua me mua sepse ndjente shpesh herë melankoli dhe mungesë motivacioni.
– Ndihem përherë sikur nuk dua të ngrihem nga shtrati, – më tha mua me hidhërim. – Thjesht, ndjej se asgjë nuk ia vlen më sadopak.
Përveçse ndihej përgjithësisht e depresuar, ajo shpesh shqetësohej seriozisht dhe e zinin spazma të qarash. Pas ca pyetjeve të kujdesshme, arrita në përfundimin se pakënaqësitë e Hedhërit qenë fokusuar kryesisht te martesa e saj gjashtë-vjeçare. Në mjaft aspekte kjo martesë dukej e rregullt. Bashkëshorti i saj, Pitëri, ishte tip i dashur, ndihmues dhe komunikues. Por ajo thjesht ndjente se nuk mund t’i duronte dot vonesat e tij të palogjikshme.
Për sa kohë e njihte ajo Piterin, ai s’i kishte ardhur kurrë ndonjëherë nëpër takime në kohën e caktuar. Sado i kërkonte ndjesë dhe tregohej i gatshëm për të qenë këtej e tutje i përpiktë, ai prapëseprapë, madje edhe në rastin më të mirë, do të dukej me njëzet minuta vonesë. S’është nevoja ta themi se kjo i krijonte probleme serioze jo vetëm atij vetë, por edhe Hedhërit. Përveç vonesave në oraret e kinemave apo aktiviteteve sociale, Hedhëri pati humbur edhe fluturimet apo aktet e para të operave, për shkak të tij.
Gjatë tërë atyre viteve Hedhëri kishte provuar strategji të shumta. Për ca kohë pati refuzuar të shkonte ndokund bashkë me të, por kjo praktikisht u kishte shkatërruar jetën sociale. Ta ndihmoje që të bëhej gati ishte sërish diçka e kotë, sepse ai thoshte se ajo veç e vononte edhe më shumë me ato nxitjet e saja. Duke e yshtur e duke ia kujtuar atij pareshtur këtë huq, dukej sikur me to ia shtonte të shoqit edhe më shumë prirjen për tu vonuar, kështu që të gjitha ato përpjekje përfundonin me atë që Hedhëri shpërthente përherë nga zemërimi. Në nja dy raste ajo u përpoq ta gënjente për orët e takimeve dhe disi i eci, por më pas e braktisi edhe këtë taktikë ngaqë kjo i dha Piterit një arsye shtesë për tu vonuar edhe më shumë. Ai nisi ta ketë parasysh gënjeshtrën e saj dhe në kalkulimet që bënte, përcaktonte se koha e vërtetë e ndonjë takimi ishte më vonë se ora që i pati thënë e shoqja.
Në përgjigje të pyetjes sime, Hedhëri e pranoi me mjaft ngurrim se për shkak të këtyre vonesave kronike, po e urrente deri në atë pikë Piterin, sa po e mendonte seriozisht divorcin.
Problemi Praktik i Hedhërit ishte se ajo qe bezdisur mjaft shpesh nga vonesat e të shoqit. Problemi emocional ishte se po ndihej fatkeqe për shkak të zemërimit që ndjente ndaj të shoqit.
Kërkesat e Hedhërit përmblidhnin:
- Piteri DUHET të më trajtojë me më shumë vëmendje.
- Ai DUHET të vijë në kohën e duhur.
- Ai nuk DUHET të m’i prishë planet e mia.
- Ai nuk DUHET t’i bëjë miqtë e mi të presin.
- Ai DUHET të jetë më i kujdesshëm.
- Meqë ai është kaq i përgjegjshëm në fusha të tjera të jetës, edhe në këtë fushë ai DUHET të veprojë me më shumë përgjegjshmëri.
Gjatë sesionit tim të dytë me Hedhërin, i mësova metodën e Terapisë Tri-minutëshe. Doli se ajo ishte një nga klientet e mia më të ndërgjegjëshme dhe pas njëfarë kohe, nisi t’i praktikonte Ushtrimet Tri-minutëshe nga tri herë në ditë. Ndërkohë që mendimet po i merrnin trajta më realiste, zemërimi i saj u pakësua.
Më pas ajo arriti t’i reduktojë Ushtrimet Tri-minutëshe dhe të ishte përsëri e aftë për të mos e shqetësuar veten nga mërzitja që i shkaktonte Pitëri. Pastaj, mbasi i peshoi më realisht të mirat dhe të metat e martesës së saj, vendosi se Piteri kishte më shumë anë pozitive sesa anë negative.
Ushtrimet Tri-minutëshe të Hedhërit
Ja një shembull prej atyre shumë Ushtrimeve Tri-minutëshe që kopjoi dhe përsëriti me mend Hedhëri, derisa i çrrënjosi tërësisht “DUHET” e saja.
- (Ngjarja Aktivizuese): Piteri më trajton në mënyrë të pavëmendshme, duke arritur 30 minuta me vonesë në takimin tonë.
- (Bindja Irracionale): Piteri DUHET të më trajtojë me më shumë vëmendje.
- (Pasoja Emocionale): Zemërim, tërbim, inat.
- (Diskutimi): Përse DUHET të më trajtojë ai mua më me kujdes?
- (Mendimi i Ri Efektiv): Nuk ka ligj në univers që të thotë se Piteri DUHET të më trajtojë më me kujdes. Do të doja shumë që të më trajtonte kështu, por nuk jam unë ajo që e drejton universin apo që e komandoj Piterin. Meqenëse është qënie njerëzore e papërkryer me vullnet të lirë dhe zgjedhje të lira, ai ka për të vepruar nganjëherë në mënyrë të pakujdesshme. Çdonjeri është i papërkryer dhe vonesat e përhershme janë papërkryeshmëria e Piterit. Kjo është tepër e pakëndshme, por aspak tmerr! Megjithëse unë nuk e pëlqej një sjellje të tillë të pakujdesshme, unë mund ta duroj atë çka s’më pëlqen. Në vend që të gërryej veten nga brenda për këtë, më mirë ta përballoj sy më sy dhe njëherë e përgjithmonë faktin se, sa herë të le takim me ndokënd, probabiliteti është se Piteri do të vonohet. Ç’fatkeqësi! Por realiteti na bën që për t’i shijuar avantazhet e martesës, duhet të vuajmë gjithashtu edhe disavantazhet e saja.
- (Ndjenja e Re): Më shumë e pakënaqur, sesa e zemëruar.
Dy muaj terapi e ndihmuan Hedhërin të ndihej më pajtuese ndaj problemit të Piterit. Megjithatë, herë pas here ajo përjetonte kthime të shkurtra mbrapsht, ngaqë i kërkonte Piterit të vinte saktësisht në oraret e takimeve.
Por menjëherë e pa mëdyshje, ajo merrte lapsin e fletoren dhe bënte një ushtrim tri-minutësh. Ato pak minuta meditimi të përqëndruar ia ndryshonin zemërimin në thjesht një pakënaqësi të mprehtë, ngaqë i duhej ta duronte një problem si ky.




