“Mein Kampf” i Hitlerit bëhet bestseller digjital

libri hitlerPrej 70 vjetësh libri më kontrovers i Gjermanisë, “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit, nuk mund të sigurohet zyrtarisht. Por interneti është histori tjetër. Prej nëntorit 2012 vepra e famshme e Hitlerit mund të shkarkohet në formë digjitale në gjuhën angleze. Amazon.com e ofron librin elektronik (Ebook) për vetëm 73 cent (0,99 dollarë), në iTunes atë mund ta blesh për 2,20 euro (2,99 dollarë). Kërkesa është e madhe. Gjatë muajve të fundit libri i Hitlerit është ngjitur në vendet e sipërme të listës së librave më të shitur të tregtarëve online dhe mund ta gjesh për shembull diku nga kreu në kategorinë e Amazon “Propagandë dhe psikologji politike”. Libri i Hitlerit u vlerësua madje me 3,8 yje nga pesë të mundshëm në faqen amerikane të internetit të Amazon. 354 komente kanë lënë lexuesit deri tani, ndër to edhe të tillë që e vlerësojnë librin dhe e cilësojnë si një “përkthim magjepsës”, apo të tjerë që mohojnë se shfarosja në masë dhe kampet e përqendrimit kanë ekzistuar ndonjëherë.

Libri i Hitlerit u publikua për herë të parë në 1925, një pjesë e dytë pasoi në 1926. Në të dy pjesët diktatori i mëvonshëm shpjegon ideologjinë e tij politike si dhe planet e tij për të ardhmen e Gjermanisë: një “rend të ri”. Në fund të Luftës II Botërore, vepra e tij ishte shumë e përhapur me mbi 10 milionë kopje.Por përballë mizorive të Holokaustit, libri nuk publikohet më në Gjermani që prej vitit 1945. Pas vetëvrasjes së Hitlerit në 30 prill 1945, e gjithë pasuria e tij, përfshirë të drejtat mbi “Mein Kampf” i kaluan Shtetit të Lirë të Bavarisë, pasi atje ndodhej vendbanimi i fundit i regjistruar i Hitlerit.Në marrëveshje me qeverinë federale gjermane, qeveria e landit të Bavarisë refuzon deri tani të lejojë përhapjen apo publikimin e librit në Gjermani. Të gjitha përpjekjet për të hedhur në tregun gjerman “Mein Kampf”, janë ndjekur penalisht nga shteti bavarez. Por se çfarë ndodh me publikimin anglez të librit, shteti bavarez nuk mund ta ndikojë, pasi të drejtat për versionin anglisht të librit i janë shitur Britanisë së Madhe dhe SHBA-së para 1945-s. Mundësia për të blerë një kopje anglisht të “Mein Kampf” nuk është pra asgjë e re. Por falë suksesit në rritje të dyqaneve online dhe tregtarëve të librit në internet, vepra e Hitlerit ndërkohë mund të merret edhe në formë digjitale dhe mund të shkarkohet fare lehtë përmes iTunes apo Amazon Kindle. Madje ekziston edhe një version anglisht falas; më shumë se 17 faqe interneti ofrojnë pjesë të përkthyera të librit ose versionin e plotë. Dhe kërkesa është në rritje.
Por nga vjen ky interes i papritur për librin e Hitlerit? Këtë pyetje i bëri vetes edhe gazetari Chris Faraone dhe nisi pak kohë më parë një debat në një artikull në faqen e internetit Vocative.com, në të cilën argumenton se kërkesa e papritur ka të bëjë thjesht me faktin që libri tashmë është disponibël në version digjital.

Share it :