Dosja “Dritan Lamaj” Dyshime për 2 bashkëpunëtorë në ekzekutimin e ish-kryekomisariat

 Anxhela Tato

 

Hetimet, sinjalizime të pakonfirmuara se i dyshuari kryesor është ndihmuar nga 2 persona

 Prokuroria e Krimeve të Rënda, në pritje të analizave shkencore të ADN-së së gjurmëve të gjetura në makinë

 

dritan-lamaj1Në ekzekutimin e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj dyshohet se ka pasur edhe dy persona të tjerë të përfshirë. Çështja është ende e pazbardhur, për sa kohë organi i akuzës po vijon hetimet dhe dosja nuk është depozituar në Gjykatë. Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar i këtij krimi, Arben Frroku, natën e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e dy bashkëpunëtorëve. Sipas hetimeve të organit të akuzës, këto të dhëna janë ende të pakonfirmuara dhe në fazën e vërtetimit, por ky fakt është pohuar edhe në rrëfimin e dëshmitarit okular, i cili ka treguar se ka parë Frrokun bashkë me dy djem të tjerë, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Burime nga organi i akuzës sqarojnë se ka sinjalizime që Frroku është ndihmuar nga këta dy persona, identiteti i të cilëve mbetet ende mister. Dyshohet se këta dy individë kanë marrë dhe kanë fshehur armën e krimit, duke ndihmuar autorin e dyshuar të krimit që të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Këtyre aludimeve, të cilat lënë ende pa një autor krimin e rëndë, u shtohen edhe analizat e ADN-së së gjurmëve të gjetura në makinën e braktisur me ato gjurmë që janë zbuluar në vendin e ngjarjes. Dosja “Lamaj” është rrethuar nga shumë aludime rreth ekzekutorit. Ndonëse në ngarkim të Arben Frrokut është ngritur akuza e vrasjes, kjo nuk mohon faktin se të tjerë persona mund të jenë të përfshirë në këtë çështje.

 

Hetimet

Dosja është nën hetime në këtë akuzë që prej 24 shkurtit, kur edhe u pre fletë-arresti i parë për Frrokun apo për kushëririn e tij, Jak Jaku, që më pas nuk u hetua nga Krimet e Rënda, por vetëm nga Prokuroria e Tiranës për armëmbajtje pa leje. Dosja e tij ka shkuar në Gjykatë e veçuar, çka e ka përjashtuar, deri më tani nga dosja “Lamaj”. Megjithatë, akuza ka vijuar të punojë për të mbledhur prova, duke e ditur se çështja është komplekse dhe deri më tani përveçse në masa sigurimi nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për këtë procedim penal. Asnjëherë akuza nuk ka dalë në një njoftim për media për këtë çështje, ndryshe nga policia që në një njoftim për shtyp deklaroi se biznesmeni Arben Frroku është i dyshuari kryesor. Dhe tashmë, kur Frroku dhe Jaku ndodhen në Shqipëri, hetuesit kanë shpejtuar për të bërë veprimet e fundit hetimore. Burime konfidenciale pohojnë se, në kuadër të procedimit penal nr. 40 të këtij viti, do të kryhen edhe disa analiza ADN-je për të krahasuar gjurmët e ndodhura në vendin e ngjarjes, në makinën e vrasësve të braktisur në fshatin Domje të Tiranës dhe në makinën personale të të dyshuarit kryesor, Arben Frroku. Më parë, akuza ka siguruar disa gjurmë dhe tashmë do të bëjë vetëm krahasimet, për të marrë prova shkencore, që mund të ngrinin akuza ndaj të dyshuarve apo të arrestuarve. Gjithçka varet nga këto prova, por që akuza mund të ketë siguruar edhe dëshmi të rëndësishme, siç mund të jetë ndonjë dëshmitar okular apo ndonjë person që më parë është marrë nën hetim për këtë çështje. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkëpunon aktualisht ngushtë me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit, ndryshe sa më parë, ku ish-kupola dha dorëheqjen nga hetimi, pas publikimit të një fotoje me të dyshuarin Arben Frroku.

 

 

Policia e Vlorës

Analiza vjetore, 241 vepra penale më pak në krahasim me vitin 2012

 Policia e Vlorës ka zhvilluar analizën e saj të punës për vitin 2013, gjatë së cilës ishte i pranishëm edhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Gjatë analizës është evidentuar se në vitin 2013 është rritur sasia e drogës së sekuestruar nga Policia e Qarkut Vlorë, krahasuar me vitin 2012. Ky fakt bëhet i ditur pas publikimit të analizës vjetore të policisë të këtij qarku. Kështu, gjatë vitit 2013, në këtë qark u sekuestruan 7503.8 kg kanabis, 8.899 kg heroinë, 0.117 kg kokainë, ndërsa një vit më parë, në 2012, u sekuestruan 7045.3 kg kanabis, 4.841 kg heroinë dhe 0.737 kg kokainë. Ndërkaq në analizën vjetore të policisë, vihet re se është rritur numri i qytetarëve të huaj që kanë hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, për të kaluar më pas transit në vende të tjera të rajonit e më gjerë. Po ashtu, gjatë kësaj analize ra në sy një kurbë në rritje të dhënies së lejeve të qëndrimit për qytetarët me kombësi të huaj për të punuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Nga ana tjetër edhe drejtoria e policisë së Vlorës ka prezantuar analizën vjetore, ku ra në sy rritja e sasisë së sekuestruar të lëndëve narkotike në krahasim me vitin 2012. Gjatë këtij takimi, ku ishte prezent edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. Për sa u takon veprave penale në total janë evidentuar rreth 1700, nga të cilat janë zbuluar 71.5 për qind prej tyre. Në krahasim me vitin e shkuar, numri veprave të evidentuara ka rënë me 241 vepra me pak.

 

 

Krujë

I dënuar në Itali për vrasje, arrestohet Artan Bibaj

 Arrestohet në Krujë një i kërkuar nga drejtësia italiane për vrasje. Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 32-vjeçari Artan Bibaj, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm në Itali. Sipas policisë së Krujës, 32-vjeçari Bibaj, në tetor 2012, ka vrarë dy vëllezërit Kola në Firence të Italisë. Mësohet se 32-vjeçari nga Thumana e Krujës ishte në kërkim që nga nëntori i vitit 2012, pasi akuzohej për vrasje, vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake.

 

 

Përmet

Përdhunoi adoleshenten, pranga 22-vjeçarit

 Një 22-vjeçar është arrestuar në Këlcyrë nga policia e Përmetit, pasi akuzohet se ka përdhunuar një adoleshente. Burime nga policia rajonale bëjnë me dije se në prangat e policisë ka rënë 22-vjeçari Sadik Lamçellari nga Këlcyra e Përmetit. Sipas policisë, i riu, rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, në Këlcyrë, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 17-vjeçaren me inicialet S. S., e cila ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Përmet. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Hapura në përfundim të veprimeve të para hetimore kanë bërë arrestimin e 22-vjeçarit për veprën penale të “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura”. Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme.

 

Share it :