Kujtim Çashku: Qendra e Filmit, pa vizione, ka qenë e ndikuar prej klaneve
Me nismën e Mirela Kumbaros, dje, në Ministrinë e Kulturës u organizua një tryezë “konsultimi” për filmin shqiptar, dokumentarin dhe filmin e animuar. Një bilanc i situatës se si ka shkuar kinemaja shqiptare në këto vite, duke iu referuar problematikës dhe suksesit.
Në takim ishin kineastë dhe producentë, si: Robert Budina, Ilir Butka, Saimir Kumbaro, Andi Deliana, Joni Shanaj, Edmond Tupja, Genc Përmeti, Iris Elezi, Gentian Koçi, Sabina Kodra, Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj, Artan Maku, Bertrand Shijaku etj. Po ashtu, ishte i pranishëm edhe drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Artan Minarolli, në fundin e mandatit të tij, prej kohësh mbaruar.
Disa nga problemet që u diskutuan nga të pranishmit ishte dilema se për kë po realizohen filmat shqiptarë?! Si do të risillet kinemaja te shikuesi i filmit shqiptar?! Sa mund të ndihmohet industria e filmit nga buxhetet e deritanishme dhe a është kjo rruga e vetme për të prodhuar filma?
Për këto shqetësime ministrja Kumbaro ka pasur një përgjigje, që sigurisht lidhet me vullnetin politik që ajo përfaqëson. Në fakt, ky vullnet nuk kishte shumë lidhje me “mbështetjen”, pasi u sugjeroi kineastëve se do të ishte në krah për “idetë” e tyre “vizionare për ecurinë e filmit”!
Ajo theksoi në fjalën e saj: “Është shumë i rëndësishëm takimi dhe ballafaqimi i mendimeve tuaja për të bashkëpunuar të gjithë së bashku në koordinimin, orientimin dhe krijimin e një sinergjie që do të ndihmojë prodhimin, mbështetjen dhe promovimin e filmit”.
Ajo çfarë ka ndodhur në tregun e kulturës prej më shumë se dhjetë vitesh është fakti se vetëm kinemaja njeh integrimin, për shkak të reformës së zbatuar duke kaluar më vete me Qendër dhe duke gjetur financime me bashkëpunime. Pavarësisht nga kjo, deri tani nuk është nxjerrë asnjë e dhënë nga QKK se sa filmat e financuar nga shteti kanë kthyer mbrapsht në arkën e tij. Sigurisht që për kineastët kryefjala është gjithmonë buxheti, ku jo pak herë debati ka gjeneruar dhe degjeneruar kur QKK-së i është dashur të ketë një bilanc mbi filmin shqiptar.
Modeli se bëhet film edhe me buxhet të vogël si gjithmonë merret kineasti Bujar Alimani, por me kujtesën se qe refuzuar nga QKK projekti i tij, kur iu desh t’i hynte filmit deri në selektimin nga Euroimage. Ky ka rrëfyer nga ana tjetër modelin e “kinemasë guerile”, kineastët indipendentë, të cilët prodhojnë filma me buxhete të vogla. Në fjalën e tij, kineasti Kujtim Çashku tha se QKK-ja e deritanishme ka funksionuar pa vizione të qarta dhe ka qenë e ndikuar nga klane të ndryshme në financime projektesh. Ka tërhequr vëmendjen ideja e Albania Film Commision, e cila funksionon prej disa vitesh pa hyrë në një sistem të qartë juridik dhe në ndihmë të prodhimtarisë së filmit shqiptar. Producentja Sabina Kodra diskutoi për Tax Credit dhe Tax Sheeter, dy mekanizma që në Evropë po nxisin shumë kinematografinë lokale si edhe bashkëprodhimet në vendet e ndryshme. Këto, sipas Kodrës, janë nga dy mënyrat e financimit shumë dinamike, e para lidhet me rimbursimin e TVSH-së dhe taksave të tjera, nëse arrihen investime me bashkëprodhime në vendin përkatës dhe e dyta është që nëse bizneset e ndryshme duan të investojnë drejtpërdrejt në kinematografi, shteti ia njeh si investim dhe ia zbret nga taksat. Kjo është përvojë tashmë në Evropë, ku Kodra e thotë se “çlirimi i këtyre faciliteteve ka sjellë një çlirim të madh energjie krijuese”. Kineasti Saimir Kumbaro kërkoi ndryshime në ligj, të cilat duhen rishikuar për të lehtësuar prodhimin e filmave shqiptarë. Në diskutimin e tij, kineasti Joni Shanaj kërkoi një ndarje të QKK-së me promocionin, çka nënkupton një strukturë e cila të mundet të punojë fort për promovimin e filmit dhe të jetë e shkëputur nga prodhimi i filmave. Njëherësh ai hodhi idenë e një QKK-je, vizionare dhe me strategji të qartë për mbështetje dhe prodhimtari kinematografike, nënkuptoi se deri më sot kjo strategji i ka munguar institucionit në fjalë. Këto dhe tema të tjera si filmi dokumentar, kronikë televizive apo propagandë̈, Bordi i Këshillit të Mbrojtjes së Projekteve, bazat dhe kriteret nga duhet vendosur; ku mbështetja financiare bazohet në talentin, meritat dhe më specifikisht, historikun e filmbërësit: çmimet për punën e kaluar apo arritjet në fazën e paraprodhimit me skenarin e ri. Distribucioni i filmit është i papërfshirë në këtë ligj si një nevojë e domosdoshme e industrisë së filmit etj.
Ministrja Kumbaro garantoi ecurinë e të gjitha temave të nxehta të debatit në një takim të dytë, ngritjen e një grupi ekspertësh që do të jenë pjesëmarrës të përmirësimit të ligjit të kinemasë, veprime që shumë shpejt do të realizohen në një takim të dytë. Ndërkohë, ajo bëri me dije bisedimet e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë për anëtarësimin në “Creative Europe”, projekti evropian për vitin 2014-2020, i cili do t’u mundësojë thithjen e fondeve nga BE-aj shoqatave dhe organizatave, individëve shqiptarë mund të aplikojnë me të drejta të barabarta në projekte evropiane për Art&Kulturë. A mjafton kaq për të mbaruar “detyrën politike”?
Re.Ku




