KSHH, projekt 2-vjeçar për parandalimin e dhunës dhe torturës në burgje

0
164

Tiranë

 

Vjollca Meçaj, takim me kreun e burgjeve, Artur Zoto, për zbatimin e këtij projekti. Shtrirja e tij kohore, 2 vjet në 11 burgje të vendit

 

takimi Mecaj-ZotoNjë projekt i ri bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit ishte në qendër të takimit të djeshëm mes krerëve të institucioneve përkatëse, Artur Zoto dhe Vjollca Meçaj, dhe bashkëpunëtorët e të dyja palëve. Në perspektivën e zgjerimit të këtij bashkëpunimi dhe efekteve më të frytshme, do të nisë këtë vit një projekt i ri 2-vjeçar, 2014-2016, me fokus parandalimin e dhunës dhe torturës në burgje. Ky projekt pritet të shtrihet në 11 burgje të vendit. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e mirëpriti dhe e gjeti me interes propozimin e një projekti të tillë, që, sipas tij, do të sillte një impakt mjaft pozitiv në sistemin penitenciar. “Jam i hapur për çdo bashkëpunim dhe ju falënderoj për kontributin që keni dhënë ju si Komitet, pasi kjo na bën të përmirësojmë cilësinë e ofruar në burgje. Besoj se ky projekt do të sillte një impakt në këtë drejtim”, – u shpreh Zoto. Ndërkohë, Meçaj, nga ana e saj, u shpreh se bashkëpunimi i KSHH-së me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka qenë i vazhdueshëm, ndaj ky projekt është pjesë e fokusit të punës së këtij komiteti.

 

Projekti

 

“Së bashku kundër torturës në polici dhe burgje në Shqipëri” është projekti që pritet të nisë së shpejti zbatimin, i cili ashtu sikurse sugjeron edhe titulli, ka në fokus parandalimin, denoncimin dhe njohjen me format e dhunës. Ky projekt që përfshin edhe Policinë e Shtetit, mbështetet në 85% të tij nga fondet e Komisionit Evropian dhe 15 % nga donatorë të ndryshëm. Ai do të marrë zhvillim në muajt pasues dhe do të shtrihet në 11 IEVPenale të vendit, konkretisht në Peqin, Berat, Korçë, Elbasan, Fushë Krujë, Vlorë, Rrogozhinë, Durrës, Lushnjë dhe Lezhë. Projekti parashikon trajnimin e të dënuarve mbi të drejtat e tyre dhe njohjen e terminologjisë juridike për të bërë dallimin mes termave “keqtrajtim” dhe “torturë”, bazuar në rekomandimet e ndryshme të organizmave evropianë në mbrojtje të të drejtave të të dënuarve. Ajo që ky projekt sjell ndryshe, në lidhje me trajtimin e të dënuarve në sistemin penitenciar, është ndërthurja e informacionit të shkruar me atë verbal, që do të zhvillohet në formën e trajnimeve në vetë mjediset e IEVP-ve. Gjithashtu, ai përfshin vizitat monitoruese nga KSHH, ndjekje të çështjeve më të spikatura në kuadër të dhunës në burgje, trajtim efektiv të ankesave dhe menaxhim më të mirë të incidenteve (greva, protesta, vetëvrasje etj.). Trajnimi do të prekë edhe stafin e burgjeve, si atë të sigurisë, social e shëndetësor, duke pasur kështu fokus shumëdisiplinar. Projekti do të bëhet në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimeve të Burgjeve, ku do të ngrihet edhe një database i të trajnuarve që do të përfshihen në këtë projekt dhe që do të pajisen me një certifikatë në përfundim të tij. Në mbyllje të projektit do të hartohet një Raport përmbledhës.

 

 

Gjykata

Përfundimi i hetimit, dyndje çështjesh për dhunë në familje

Në Gjykatën e Tiranës prej ditësh vijon mbartja e dosjeve, proces që pritet të përfundojë këtë javë, ndërkohë që në sekretari vazhdojnë të dorëzohen prej Prokurorisë dosjet për të cilat kanë përfunduar hetimet. Ajo që vihet re, në fakt, por edhe e konfirmuar nga burime zyrtare pranë kësaj Gjykate, është numri i lartë i dosjeve të mbërritura për veprën penale të “Dhunës në familje” dhe “Drejtim pa leje të automjetit”. Nëse grupi i dytë i referohet operacioneve më të fundit të policisë për të evituar aksidentet në rrugë, duke mbërritur në 5 ditë 35 çështje për t’u hedhur në short, grupi i parë i veprave penale i referohet tronditjes së madhe që po shoqëron familjen shqiptare prej kohësh. Dhunues janë bashkëshortë ndaj grave apo fëmijë ndaj prindërve. Në fundjavë apo dhe fillimin e javës tjetër, pas hedhjes së shortit elektronik, pritet që të gjitha dosjet e mbërritura t’u dorëzohen gjyqtarëve për të caktuar data e gjykimit.

 

 

Gjykatë e Lartë

Vëllezërit Yzeiri ankimojnë dënimin për vrasjen e nënës së Lul Cakës

 Pas vdekjes së Mile Çamit, në Gjykatën e Lartë do të jenë vetëm vëllezërit Yzeiri që do të mbrojnë veten lidhur me akuzat për vrasjen e nënës së Lul Cakës. Dosja është depozituar në gjykatë më 9 janar dhe pritet të shqyrtohet nëse do të pranohet ose jo rekursi në dhomën e këshillimit. Të akuzuarit i shpëtuan burgimit përjetë dhe u dënuan vetëm nga 25 vite burg, ndërsa kanë mohuar se kishin lidhje me krimin e rëndë. Sipas Prokurorisë, Mile Çami dhe dy vëllezërit Yzeiri akuzohen për veprën penale të “Vrasjes me paramendim për interes gjakmarrjeje”, kryer në bashkëpunim. Sipas akuzës, në vitin 1999, i dënuari Lulzim Caka është arrestuar dhe qëndronte në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Fier. “Më 1 korrik të këtij viti, ka ardhur në Fier nëna e Lulzim Cakës, Xhevrije Caka, për të takuar të birin, bashkë me dhëndrin e saj. Paraditen e kësaj date, pranë Komisariatit të Policisë Fier po lëviznin me një autoveturë tip “Mercedes-Benz” të pandehurit Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri e disa persona të tjerë të dyshuar. Në momentin që e ndjera Xhevrije Caka është afruar pranë Komisariatit, për të takuar djalin e saj, është afruar aty dhe automjeti i të pandehurve. Më pas, Artan e Bledar Yzeiri, në bashkëpunim me persona të tjerë kanë rrëmbyer të ndjerën Xhevrije Caka dhe e kanë futur me forcë në automjetin e tyre”, – thuhej në dosjen e Prokurorisë. Më tej, sipas hetimeve të kryera, automjeti i të dyshuarve, shoqëruar nga makina të tjera, janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së Zogut të Zi. Kunati i Lulzim Cakës është kthyer në shtëpi i terrorizuar dhe, pasi ka biseduar me bashkëshorten, ka shkuar e ka denoncuar në Policinë e Fierit rrëmbimin e vjehrrës. Të nesërmen, në vendin e quajtur Stani i Durajve, në perëndim të fshatit Seman i Ri, është gjetur e vrarë me armë zjarri Xhevrije Caka. Për këtë ngjarje akuzohet si organizator Fatmir Emini, duke u cilësuar si ngjarje për shkak të hasmërisë me Lul Cakën.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency