Administrata Nga 1 tetori, 88 ankesa tek KSHC, nëpunësit mes Administratives dhe ligjit të ri

Gëzim Saliu

 

Ngërçi për nëpunësit, në pritje të vendimit të Kushtetueses që rrëzoi aktin e qeverisë

 

KomisioniNga 1 tetori deri në fillim të muajit janar, në Komisionin e Shërbimit Civil janë regjistruar gjithsej 88 ankesa. Edhe pse mospublikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi aktin normativ të qeverisë që shtynte me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit të nëpunësit civil, ka krijuar një ngërç mes punonjësve të administratës lidhur me ankesat, duket se deri në 1 prill të 2014-ës, kur edhe hyn në fuqi ligji i ri, KSHC do të ushtrojë rolin e saj të plotë. Pas kësaj date, ky organ nuk do të shqyrtojë më ankesa, por do të monitorojë mënyrën e trajtimit të nëpunësve civilë në të gjitha institucionet shtetërore. “Në përfundim të procesit mbikëqyrës, komisionerët do të nxjerrin një vendim të argumentuar dhe ky vendim do të shoqërohet me një paralajmërim për të rregulluar ato parregullsi që janë konstatuar. Gjithashtu, do të vendosë një kohë të arsyeshme për t’u rregulluar ato dhe nëse pas përfundimit të këtij afati përsëri nuk ka vepruar institucioni apo ai faktor i shërbimit civil që nuk ka vepruar në lidhje më paralajmërimin, atëherë komisioneri ka të drejtë të vendosë një gjobë që varion nga 20-30% të pagës së personit që gjendet në shkelje”, – tha dje për “AS” Arbana Basha, drejtore e mbikëqyrjes në KSHC.

 

Gjykata Administrative

Me hapjen e Gjykatave Administrative është rritur numri i padive të punonjësve të administratës së shkarkuar nga detyra, të cilët kërkojnë dëmshpërblim ose kthimin në postin e mëparshëm. Janë të shumta dosjet që janë shqyrtuar e të tjera që janë në proces si në Tiranë ashtu edhe në qarqet e tjera të vendit. Vetëm në Tiranë, që nga nisja e funksionimit të Gjykatës Administrative janë adresuar 450 padi për marrëdhënie pune, ku pjesa më e madhe e tyre kanë si objekt dëmshpërblimin për zgjidhjen e marrëdhënies së punës. Po ashtu, numër të lartë padish ka shënuar edhe Gjykata Administrative e Vlorës, ku nga 200 padi gjithsej, 50 çështje kanë marrë vendim të formës së prerë në favor të personave që kanë paditur institucionet shtetërore për shkarkim të paligjshëm nga puna. Numri i çështjeve me të njëjtin objekt pritet të shtohet, për shkak të kalimit të çështjeve administrative nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në mesin e muajit dhjetor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ të qeverisë për ligjin e “Nëpunësit civil”, por ajo që ka krijuar ngërç, jo vetëm mes palëve politike në vend, po kryesisht për nëpunësit civilë të cilët kanë pasur ankesa ose janë shkarkuar nga puna, është fakti i mungesës së publikimit të këtij vendimi nga ana e Kushtetueses. Edhe pse, sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese nuk ka të përcaktuar asnjë afat maksimal të gjykimit të një çështjeje, ashtu edhe të zbardhjes së një vendimi, ky “boshllëk” ka ndikuar jo pak në reformën e administratës publike, pasi moszbardhja e vendimit lë në fuqi dispozitat e ligjit të vjetër të nëpunësit civil. Ky i fundit përcakton se çdo nëpunës, vendi i punës i të cilit është suprimuar, për shkak të mbylljes së institucioneve të administratës publike, largohet nga shërbimi civil. Ndërkohë, ligji i ri i nëpunësit civil detyron institucionin përkatës që t’i gjejë një vend pune ekuivalent me atë që ka në administratën publike çdo punonjësi që i është suprimuar vendi i punës, pa i lënë mundësi që ai të kalojë në listën e pritjes deri në një vit.

 

 

Porti i Shëngjinit

Zv.kryeministri i Kosovës, Pacolli: Të jetë i hapësirës së përbashkët

Pak ditë pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në Prizren, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, bën të ditura detaje mbi këtë aktivitet si edhe ide për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve. Në emisionin “Studio e hapur” në “News 24”, Pacolli deklaroi se lidhur me portin e Shëngjinit, është e domosdoshme që ai të trajtohet si një hapësirë e përbashkët. “Kosova nuk mund të bashkëpunojë ekonomikisht me Kinën, për shkak të barrierave kineze, jo të Kosovës. Tërheqja e investimeve kineze në Shqipëri është më e lehtë, sepse Shqipëria është e njohur nga Kina, ka marrëdhënie diplomatike me Kinën. Unë nuk synoj të them tash ai port është i Kosovës apo jo. Ai port do të jetë i hapësirës së përbashkët. Nuk ka diskutime në detaje. Primare është që ai port, të gjenden mjetet, investimi, financimi dhe të nisë ndërtimi i atij porti shumë me rëndësi, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin”. Sa u përket kritikave për fondin e dhënë nga dy qeveritë për Luginën e Preshevës, Pacolli theksoi: “Nuk ka qenë edhe mirë e menduar ndoshta. Ka qenë vetëm një thënie prej sinqeritetit. Është menduar të jepen vetëm 100 mijë eurot e para, por unë nuk besoj se ai është limiti që do të bëhet për nënat dhe fëmijët në Preshevë. Eksiton mënyra e të kuptuarit. Nuk ka qenë limiti, por ka qenë participimi simbolik. Jam i bindur se kësaj iniciative të qeverisë së Tiranës dhe Prishtinës do t’i bashkëngjiten edhe shumë qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria”.

 

 

Me ftesë të Nishanit

Presidenti i Bullgarisë viziton në 16 dhe 17 janar Tiranën

Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, do të zhvillojë nga data 16-17 janar një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Kështu, gjatë vizitës në Tiranë, Presidenti Plevneliev do të pritet në një ceremoni zyrtare në Presidencë, si dhe do të takohet me Presidentin Nishani, ndërsa më pas do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti bullgar Plevneliv do të marrë pjesë edhe në një koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit të organizuar me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Bullgari, ku do të performojnë grupe folklorike shqiptare dhe bullgare.

 

 

 

 

Share it :