Sonja Caka
Gjykata: Nuk ka shkaqe e rrethana për të qëndruar në burg, hetimi, në gjendje të lirë
Lirohet nga paraburgimi kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Apelit e kryeqytetit, e cila pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës për ndryshimin e masës së arrestit nga “Burg pa afat” në “Detyrim paraqitje”, çka do të thotë se kryebashkiakut të Kamzës do t’i duhet të paraqitet 1 herë në javë në Prokurorinë e Tiranës, duke qenë në këtë mënyrë në dispozicion të hetimeve. Argumenti që shoqëroi vendimin ishte se nuk ekzistojnë shkaqet dhe rrethanat për ta mbajtur kryebashkiakun e Kamzës në qeli. Sipas avokatit mbrojtës, Genci Gjokutaj, kreu i Bashkisë së Kamzës nuk ka shpërdoruar detyrën dhe nuk ka kryer asnjë shkelje. Gjatë seancës me dyer të mbyllura është bërë mjaft debat juridik, por në përfundim Gjykata ka dalë në përfundimin se nuk ekzistojnë shkaqet dhe rrethanat që zoti Mziu të qëndrojë në burg. Vendimi është dhënë nga treshja gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Zina Sollaku, Agim Bendo dhe Zamir Poda, të cilët e zhvilluan seancën e masës me dyer të mbyllura, duke i dhënë lirinë Mziut, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”. Pas vendimit të Apelit, mesditën e djeshme rreth orës 13:00, kreu i Bashkisë së Kamzës i shoqëruar nga avokati i tij la qelitë e paraburgimit dhe deklaroi jashtë burgut se “komentet t’i bëjë drejtësia”.
Akuza
Xhelal Mziu u lirua mesditën e djeshme nga institucioni i paraburgimit 302 në Tiranë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Më herët, katër javë më parë, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Mziun, i cili akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Pabarazi në tendera. Vetë Xhelal Mziu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se është i pafajshëm. Të njëjtin reagim ka pasur edhe zëvendësi i tij, nënkryetari Artan Dervishi, i cili është shprehur se nuk është e vërtetë asgjë nga ato që thuhet për z. Mziu. Vendimi i djeshëm u prit me duartrokitje nga mbështetësit e shumtë që kanë shoqëruar kryetarin e tyre në të dyja seancat e zhvilluara. Kryetari i Bashkisë Kamëz u arrestua në 20 dhjetor të vitit të kaluar, pasi akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i Ri – Laknas. Arrestimi erdhi pas një hetimi, i cili kishte nisur disa muaj më parë nga Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj drejtorit Juridik në Bashkinë e Kamzës, Atli Hoti, i cili është shpallur në kërkim. Sipas akuzës, rreth 800 milionë lekë të reja ka qenë fondi i segmentit rrugor Valias i Ri – Laknas dhe Mziu akuzohet se ka skualifikuar ofertën më të ulët ofruar nga një kompani, duke ia lënë tenderin një kompanie tjetër, e cila kishte ofruar rreth 200 milionë lekë më pak sesa shuma prej 800 milionë lekësh.
Reagimet
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve e cilësoi një vendim të drejtë të Gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu. Pas vendimit të Apelit, Paloka tha se vendimi i djeshëm është “vendimi që duhej të merrte çdo gjykatë që njeh ligjin”.
Korçë
Apeli liron ish-kreun e Policisë Kufitare, Ylber Zyberi
Gjykata e Korçës ka liruar ish-drejtorin e Kufirit dhe Migracionit në Kapshticë, Ylber Zyberi. Pala mbrojtëse kishte kërkuar nga Gjykata revokimin e masës së “Arrest me burg”. Sipas mbrojtjes, provat janë hedhur poshtë me vendim gjyqësor, ato janë të papërdorshme dhe nuk duhen të përfshihen, ndërsa Prokuroria shprehet se përgjimet janë të autorizuara dhe se ka një disk me përgjime. Në muajin dhjetor Gjykata dha masën “Burg pa afat” ndaj ish-drejtorit të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, Ylber Zyberi, i cili u arrestua nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kontrabandës”. I akuzuari Zyberi i cilësoi akuzat ndaj tij një sajesë dhe ka mohuar që të ketë lidhje me kontrabandën. Ai ka akuzuar si të përfshirë policinë, duke theksuar se ka kërkuar ndihmën e policisë së Korçës dhe e ka informuar lidhur me vendin ku bëhej kontrabanda dhe se kjo strukturë ka neglizhuar, pavarësisht se ka qenë në dijeni të gjithçkaje.
Vlorë
Mohon akuzat për abuzim seksual ndaj së bijës, “Arrest me burg” Lekës
Bashkim Leka, babai i akuzuar për dhunim seksual të së bijës, ka mohuar dje të ketë kryer veprime të tilla ndaj saj, duke e akuzuar 13-vjeçaren për trillime. Këto deklarime të Lekës janë bërë dje para togave të zeza në Gjykatën e Vlorës, ku u shqyrtua masa e arrestit ndaj tij dhe tre të rinjve nga fshati Lekaj i Lushnjës, pas denoncimit të një minoreneje se kanë abuzuar seksualisht me të. Gjykata vendosi të linte në burg tre nga katër të akuzuarit, duke i lënë kohë Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Njëri prej të akuzuarve, A. Leka, është lënë nën masën “Detyrim paraqitjeje” nga Gjykata, për shkak të moshës së mitur dhe faktit se vajza nuk e akuzon për përdhunim, porse i ka ndenjur afër dhe e ka këshilluar. Në burg kanë mbetur Bashkim Leka dhe si dhe Bertol Leka e Fatjon Gashi.




